Shpërthimi i koronavirusit në Krujë fsheh diçka të frikshme

Shpërthimi i koronavirusit në Krujë fsheh diçka të frikshme

Nga Enton Palushi - 23/04/2020

Ditën e enjte dolën në dritë të tjera detaje mbi atë që po ndodh në Krujë pas shpërthimit të koronavirusit në fasoneri. BIRN raportoi se nuk bëhet fjalë vetëm për një fasoneri ku ka shpërthyer infeksioni, por më shumë. Ndërkohë shteti i Edi Ramës ka nxituar të bëjë atë që di të bëjë më mirë se gjithçka tjetër, në fakt të vetmen gjë që di të bëjë: të vendosë gjoba. Se përse u kujtuan tani që të vëndosin gjoba, këtë le ta interpretojnë njerëzit si të duan.
Ka plot detaje nga kjo dramë që të këpusin shpirtin dhe të bëjnë të revoltohesh, por ai më i rëndi është se shumë punonjës kanë refuzuar që të shkojnë prej ditësh në punë nga frika e koronavirusit. E megjithatë, të tjerë janë vendosur përballë zgjedhjes: sëmundjen apo punën për të mbajtur frymën gjallë dhe i janë dorëzuar kësaj të fundit.

Opozita shqiptare ka kërkuar që në fillim të epidemisë mbylljen e fasonerive dhe vendosjen e ndihmës financiare ndaj këtyre bizneseve dhe punonjësve të tyre. Ky është rasti kur një forcë politike tregon jo vetëm vizion, por edhe dhembshuri ndaj qytetarëve. Kurse qeveria, duke mos i dëgjuar këto thirrje dhe duke i dërguar këta njerëz drejt virusit vdekjeprurës, ka zeruar plotësisht çdo strategji me të cilën po mburret. Ajo ka bërë pluhur çdo propagandë se po mbron jetën e qytetarëve. Atje, në Krujë dhe rajonet rreth saj, ka rënë plotësisht shteti. Jo për herë të parë.

*
Para pak ditësh, gazeta e njohur gjermane, Tages Zeitung publikoi një profil për Edi Ramën, të cilin e quante ‘Mister Corona’. Një ironi për kryeministrin shqiptar, i cili thuhet se e drejton shtetin në mënyrë autokratike nga FB i tij personal.

Sërish është e habitshme qartësia me të cilën shkruajnë mediat e huaja për atë që ndodh në Shqipëri. Arsyeja mund të jetë më e thjeshtë nga sa mendojmë. Kjo nuk vjen vetëm nga liria e tyre, por mbi të gjitha nga distanca. Çdo studiues politik e di se një popull e ka të vështirë ta kuptojë nga brenda llumin ku është zhytur. Nga distanca, qoftë fizike apo kohore, llumi bëhet më i qartë. 

Konstatimi më i fortë që bën Tages Zeitung është se ndërsa kryeministri shqiptar po imponon masat më të rrepta dhe më të pazakonta të izolimit në Europë, duke nxjerrë edhe ushtrinë në rrugë, po lejon nga ana tjetër të vazhdojë biznesi aty ku janë interesat e tij. Teksa shqiptarët e tjerë po i mbyll brenda, nëpër fasoneri, call center dhe kantiere ndërtimi po vazhdon puna. Fitimet ekonomike janë më të rëndësishme se shëndeti i këtyre njerëzve. “Kjo ekspozon më qartë se çfarë fshihet realisht pas ‘luftës’ së Ramës me virusin”, mbyllet shkrimi.

U desh pak ditë që të provohej se shëndeti i njerëzve nuk është më i rëndësishëm se fitimet ekonomike. Si mund të ketë guxim tani Edi Rama dhe të dalë e të thotë se i izoloi shqiptarët sepse i dhimbset jeta e secilit prej tyre? Si mund të pretendosh pas kësaj se të gjithë janë të barabartë përballë virusit? Si mund të hiqet si ‘babai’ i kombit, kur disa qytetarë i lë brenda dhe të tjerët i nxjerr në greminën e vdekjes vetëm për hir të parave? Si mund të pretendojnë shqiptarët se kjo qeveri po tregohet e dhembshur, kur pas denoncimeve të opozitës po mësohet se korrupsioni dhe vjedhjet po vazhdojnë në pandemi edhe nën petkun e tenderave sekretë?

*
Shteti i Edi Ramës, të atij që njihet si ‘Skënderbeu i Elisës’, u shemb për ironi dy herë në Krujë. Herën e parë kur lejoi banorët e Thumanës që të jetonin në pallatet e goditura nga tërmeti i shtatorit deri kur erdhi goditja finale vrastare e nëntorit; dhe herën e dytë kur lejoi banorët e varfër të asaj zone që të vazhdonin të punonin nëpër fasoneri, edhe pse dihej se virusi vrastar do godiste më rëndshëm aty.
Unë nuk e di se si e merr guximin Rama të dalë para krutanëve, sikundër nuk e di si mund ta presin sërish ata. Nuk e di as si mund të dalë përpara shqiptarëve kur u ka lënë të kuptohet se jeta e tyre nuk vlen. Por di të them që krizat janë një arsye shumë e madhe për të reflektuar. Madje nëse i beson autorit Alan Lightman, bota ndryshon dhe bëhet më e mirë falë krizave. 
Ndaj është koha që të reflektojmë dhe të reagojmë. Tani është koha që jo vetëm të huajt, por edhe ne të kuptojmë llumin ku jemi zhytur. Nëse nuk e kuptojmë as pas kësaj pandemie, atëherë i meritojmë të gjithë të zezat që na pllakosin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Pa emer23/04/2020 23:19

Me ke ekip luan Babakari I Fiorentines tani?

Skrapari23/04/2020 19:50

Me sa duket i meritojme te gjitha te zezat qe na pllakosin. Si mund te shpjegohet ndryshe mosreagimi i miletit ndaj bemave dhe gjemave te ketij horri? Opozita merret vetem me konstatime dhe jep ide se si dilet nga kriza. C'pune ka Lul Basha te jape alternative zgjidhjeje? Koha nuk pret, une jam dakord me thirrjen e Doktorit per te mbushur sheshet dhe per ta fshire njehere e mire kete ndyresire. Boll talli bo... me ne. Dhe populli i Krujes dhe ne pergjithesi malesoret te mos bejne gabimin fatal qe kane bere kohet e fundit duke votuar nje parti terroriste sic eshte PS (Ridhjerja), sepse ata me shume se kushdo tjeter i kane ndjere pasojat e rregjimit 50 vjecar komunist.

Shto koment

Denonco