Shkelja e lirive të qytetarëve, abuzim i rëndë me pushtetin

Shkelja e lirive të qytetarëve, abuzim i rëndë me pushtetin

Nga Bujar Nishani - 23/04/2020

Pas fatkeqësisë natyrore prej tërmetit dhe vuajtjeve të shtuara prej paaftësisë e kaosit të shkaktuar prej qeverisë, qytetarët shqiptarë po vuajnë përsëri jo vetëm rrezikun e krijuar nga pandemia COVID-19, por dhe dhunën, poshtërimin dhe dhimbjen ekonomike e sociale nga kjo qeveri jo vetëm e paaftë por dhe kriminale në raport me të drejtat dhe nevojat e jetesës për qytetarët dhe familjet shqiptare.

Paaftësinë dhe kaosin e shkaktuar prej saj, qeveria është përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe ta fshehë e transformojë në dhunë dhe qasje poshtëruese e kriminale ndaj qytetarëve të vendit.

Në pamje të parë ky adresim i imi duket i padrejtë dhe i pajustifikuar ndaj po rendis në poshtë disa përcaktime të thjeshta kushtetuese dhe krahasimin me to të veprimeve qeveritare ndaj familjeve shqiptare.

Kushtetuta jonë përcakton: Neni 15/1. “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik”.

Ky përcaktim kushtetues nuk lejon që të drejtat e qytetarëve të vendosen poshtë detyrimeve të qeverisë, por përkundrazi, në çdo rast shërbimi i qeverisë vihet i tëri në funksion të të drejtave të qytetarëve.

Këtu nis shkelja e parë e rëndë e lirive të qytetarëve prej qeverisë pasi rasti i pandemisë u shndërrua në një sjellje ku qeveria veç urdhëronte qytetarët për çdo lloj kufizimi dhe qytetarët vuanin mungesën masive të shërbimeve edhe më bazike.

Eshtë e vërtetë që ne si e tërë bota u përfshinë në pandeminë "COVID-19", një situatë e jashtëzakonshme që kërkon marrjen e masave të jashtëzakonshme. Pikërisht që këto masa të jenë në shërbim të popullit dhe jo abuzimit prej pushtetit, në shërbim të mbrojtjes dhe shërimit dhe jo shtimit të dhimbjes dhe poshtërimit të popullsisë, Kushtetuta dhe ligjet e vendit kanë parashikuar dhe rregulluar gjithçka.

Në rastet e jashtëzakonshme është e parashikuar të vendoset ose Gjendja e Jashtëzakonshme, ose Gjendja Emergjente e Fatkeqësisë Natyrore.

Kushtetuta, neni 170/2. “Parimet e veprimtarisë së organeve publike dhe shkalla e kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, përcaktohen me ligj.

Qeveria tek ne shpalli Gjendjen Emergjente të Fatkeqësisë Natyrore por duke aplikuar mbi popullsinë masat ekstreme të Gjendjes së Jashtëzakonshme, kur në fakt nuk ishte në fuqi ajo situatë juridike! Pika (3) e këtij neni është edhe më e rëndësishme tek citon: “Ligji duhet të përcaktojë parimet, fushat dhe mënyrën e kompensimit të humbjeve që vijnë si rezultat i kufizimit të të drejtave dhe lirive gjatë marrjes së masave të jashtëzakonshme”.

Por skandali kushtetues dhe shkelja penale nis me faktin se ligji për shpalljen e masave (jo gjendjes) së jashtëzakonshme u bë vetëm me datën 24 mars 2021.

Vendim nr.243, datë 24.3.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, ndërkohë masat ekstreme të shuarjes së të drejtave të qytetarëve ishin urdhëruar që prej datës 10 mars e në vijim ku çdo ditë shtoheshin masa të reja dhunimi.

Më e rënda ishte pikërisht mungesa prej qeverisë e “kompensimit të humbjeve që vijnë prej kufizimit”, ky është një detyrim kushtetues taksativ.

Kushtetuta, neni 17/2. “Këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Qeveria shqiptare, e vetmja nga të gjitha qeveritë e rajonit tonë, (në hapësirën prej Sllovenisë deri tek Greqia), që deklaron pezullimin e Konventës Evropiane. Kjo ka vetëm një shpjegim. Mentalitetin dhe modelin politik që trashëgon dhe përfaqëson qeveria e rilindsve, pasardhës të stalinistëve shqiptarë!

Kushtetuta, neni 101 “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme.

Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve”.

Që nga 10 marsi e në vijim deri në mesin e muajit prrill, pothuajse çdo ditë qeveria ka nxjerrë akte normative por asnjërin prej tyre nuk e ka dërguar në Kuvend.

Për më tepër masat për mbylljen e qytetarëve në shtëpi dhe orët e lejimit për dalje nuk janë marrë nga asnjë akt normativ i Këshillit të Ministrave por nga urdhra të ministrave ose facebook i kryeministrit !!! Qesharake, antikushtetuese, krim i rëndë penal! Po përse? Sepse aktet normative të Këshillit të Ministrave kanë fuqinë e ligjit ndërsa aktet e ministrave nuk kanë fuqinë e ligjit.

Ato janë thjesht akte që veprojnë vetëm brenda juridiksionit të fushës së ministrisë përkatëse. Këtë e sanksionon Kushtetuta! Nuk lejon zgjedhje! Ndaj mbyllja e qytetarëve me ditë të tëra, veç me liri 1 orë në 24, ka qenë e paligjshme, por dhe çdo penalizim i bërë ndaj qytetarëve për shkelje, është abuzim i rëndë ne pushtetin.  Çdo qytetar i ndëshkuar duhet t’i drejtohet gjykatës e deri në Strasburg për të marrë kompensimin e një dënimi të pa ligjshëm!

Kushtetuta, neni 173/2 “Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin”.

Pra Kushtetuta lejon angazhimin e ushtrisë veç në Gjendje të Jashtëzakonshme jo në atë të Fatkeqësisë Natyrore, e në këtë rast me vendim Kuvendi! Kjo qeveri dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë nxorën në rrugë blindat me armatim të rëndë. 

Për të justifikuar këtë akt të rëndë qeveria tentoi një manipulim tek ligji “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, duke sajuar një amendim por duke dalë turpshëm zbuluar pasi atë periudhë nuk rezulton asnjë mbledhje e Kuvendit që të bënte amendim ligji.

Sjellje më skandaloze nuk mund të parafytyrohet për një parlament. Por gjithçka mund të ndodhë në regjimin e rilindsave. Kjo është veç njëra anë e medaljes.

Ajo që e kompromenton rëndë këtë akt është fakti se ushtria doli në rrugë më datën 20 mars e pavarësisht amendimit të ligjit, “Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore” dhe masat e jashtëzakonshme u shpallën vetëm më 24 mars.

Çdo parashikim ligjor pa u shpallur masat e jashtëzakonshme nuk ekzekutohet dot. Përgjegjësit e këtij akti të rëndë antikushtetues do mbahen përgjegjës një ditë! Këto janë vetëm disa raste të dhunimit të rëndë të jetës dhe veprimtarisë së familjeve shqiptare në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve që garantojnë jetën e tyre. 

Në këtë situatë duhet të ishte Gjykata Kushtetuese të ndërhynte e të merrte në mbrojtje qytetarët. Ajo nuk ekziston! Në mungesë të saj duhet të vepronte prokuroria dhe drejtësia, ndaj këtyre abuzimeve të rënda me pushtetin mbi masën e qytetarëve.

Ato janë kapur politikisht dhe asgjesuar për njerëzit Në qerthullin e këtij abuzimi masiv ndaj qytetarëve, mungesës së mekanizmit garantues të lirisë së tyre, zhbërjes së shtetit ligjor dhe ngritjes së kultit të pandëshkueshmërisë, zgjidhja mbetet vetëm tek reagimi masiv i qytetarëve. Thjesht për të mbrojtur familjet e tyre! Kjo është super kushtetuese!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco