Statistikat propagandistike të Besës, përballë miliona eurove të grabitura

Statistikat propagandistike të Besës, përballë miliona eurove të grabitura

Nga Ndriçim Mehmeti - 20/04/2020

Që kur filloi periudha e izolimit të vendit apo karantinimit siç quhet në mënyrë të gabuar (sepse karantinimi është për personat e infektuar, ndërsa izolimi prek një masë më të madhe të popullsisë), kryeministri dhe mëkëmbësit e tij rendën pas shufrave, statistikave, projeksioneve e deduksioneve, secili për fushën e vet. Në të njëjtën linjë plot besnikëri qëndroi edhe Minisrtja Shahini.

Duke ngatërruar i nxënësit, me bimët, prodhim patatesh, litra qumështi, apo me bilancet import- eksport, Besa na nxori në pah se mësimi onllajne ishte i suksesshëm, sepse kishte lexuar INSTATI-n, i cili na bënte me dije se: 99% e shqiptarëve kanë televizor dhe 97% e tyre kanë një telefon kryesisht smart.

Le të analizojmë shkurt shifrat e thëna dhe të pathëna nga Besa

Edhe pse u fut në një fushë në të cilën ministrja e arsimit, nuk është se ja thotë shumë, përsëri po i marrim për të mirëqena, shifrat e saj. Por vetiu lind pyetja:

Sa përqind nga 97% e shqiptarëve, që zotërojnë telefon smart, kanë akses në internet, në një vend ku 50% e tyre renditen si në gjendje gjysmë të varfër dhe plotësisht të varfër?

Sa përqind e shqiptarëve kanë lap-top, tabletë apo mjete të tjera për të lundruar në internet, përveç telefonit?

Për këtë Besa nuk i referohet aspak INSTAT, i cili vëren se: “23,7% e individëve përdorin laptopin, 6,8% përdorin tabletin ndërsa  2,5% përdorin pajisje të tjera”.

Po të shkojmë më tutje në arsyetimin tonë, sa janë mundësitë e mbulimit me internet në të gjithë vendin tonë, nga kompanitë që e ofrojnë këtë shërbim? Edhe në këtë rast i referohemi të dhënave zyrtare që vijnë nga institucionet shtetërore.

Në një raportim në parlamenti shqiptar më datë 23 maj 2018, z. Zela, mes të tjerash theksonte se:  “Në Shqipëri, mbulimi me valë në të gjithë territori nuk është i njëjtë.

Abonentët në zonat periferike, të cilat paguajnë për paketat me internet me shpejtësi 4G, shërbimin e marrin për shpejtësi 2G. Shqetësimi për cilësinë e internetit është ngritur nga deputetët në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ilir Zela, e lidhi këtë mangësi me mungesën e mbulimit të territorit me valë.”

Nga kjo deklaratë zyrtare del se jo vetëm shqiptarët janë të vjedhur, por nuk marrin shërbimin e duhur, çka e vështirëson në shkallën më të lartë mundësinë për të kryer mësimi në distancë në kushtet normale, pasi ngadalësia në internet vështirëson komunikimin normal të mësuesve me nxënësit dhe prindërit.

Mundësia e cunguar për të pasur qasje në internet në të gjithë territorin e vendit, sipas Zelës “vjen edhe për shkak të vështirësive që kanë operatorët për të marrë leje për ndërtimin e kullave për një mbulim më të mirë”. Pra duket fare qartë se ka zona të tëra, që nuk janë të mbuluara me internet, ose interneti është sa për të thënë dhe nuk kryen dot funksionet që kërkohen nga mësimi online.

Por sa janë fëmijët në arsimin parauniversitar që nuk marrin mësim, sipas statistikave të Besës?

Ata ndryshojnë nga java në javë, në varësi të kurbës së ulëse të COVID-19. Në një emision televiziv, Besa deklaroi se “janë diku tek 10 mijë nxënësit e arsimit parauniverzitar që nuk kanë ende një kontakt me mësuesit, ose përndryshe siç do të thoshte Besa, 3% e nxënësve në arsimin parauniversitar kanë dalë jashtë sistemit të edukimit në distancë prej më shumë se 5 javësh.

Dy ditë më parë Besa e rregulloi shifrën dhe doli në përfundimin se ishin vetëm 8 mijë nxënës. Pra brenda një jave magjistarja Besa, kishte mundur të siguronte qasje në mësimin onllajne, jo pak por 2000 nxënësve, të cilët nuk i dinte se ku i ishte prej datës 9 mars e deri më datë 16 prill 2020. Ndërkaq Besa nuk e di dhe nuk ka si ta dijë, sesi bëjnë mësim në distancë fëmijët e 17 mijë familjeve që ndodhen në çadra prej tërmetit të 26 nëntorit, rreth 5 mijë fëmijë romë dhe egjiptianë dhe disa mijëra që kanë braktisur shkollën tani e vite më parë. Por ani edhe kjo nuk ka problem. Vijojmë me shifrat e Besës, kësaj radhe për arsimin universitar. 

Mësimi në distancë për studentët (e cila është një formë mësimdhënie extra ligjore, pasi nuk parashikohet në legjislacionin shqiptar) na dha shifra dhe shpjegime të çuditshme: Nga 120 mijë studentë, 30 mijë nuk kanë kontakt me pedagogët, 50 mijë bëjnë mësim dhe 40 mijë të tjerë kanë përfunduar mësimin në 9 mars dhe presin provimet!??

Vetëm Besa mund ta dijë sesi 40 mijë student kanë përfunduar vitin akademik dhe presin të marrin provimet. Por edhe sikur të jetë kjo e vërtetë, ¼ e studentëve janë zyrtarisht jashtë procesit mësimor. Përse? Sepse varfëria, pamundësia ekonomike, zonat nga vijnë, biblioteka digjitale me leksione falas në gjuhën shqip që nuk u ngrit kurrë,  janë një seri faktorësh që nuk i lejojnë ata të kenë mundësi të marrin mësimin online, nga pedagogët e tyre.

Çfarë ka fshehur Besa në shifrat e njëjta që përsërit si papagall, në çdo dalje në Facebook?

Besa na ka bërë me dije në shumë vido-selfi të saj, që “mësuesit u gjendën të pa përgatitur dhe si të gjithë dhe po bëjnë të pamundurën”. Të jetë i vërtetë ky konstatim, apo përsëri Besa di më shumw, por vetëm kaq thotë? Ja çfarë shkruhet në shtypin shqiptar në 8 prill 2015. “Brenda tre vjetësh 46 000 gjimnazistë do të kenë mundësinë të mësojnë në të ashtuquajturat klasa inteligjente.

Ministria e Arsimit dhe e Sportit, prezantoi dje projektin e modernizimit të sistemit arsimor, projekt që parashikon digjitalizimin e mënyrës së mësimdhënies në 360 gjimnaze të vendit. E gjitha brenda tre vjetësh.” Ministrja Lindita Nikolla, tha se “parashikohen të trajnohen 8 000 mësues, prej të cilëve gjysma janë trajnuar tashmë.” Madje Lindita, kishte ironizuar asokohe, qeverinë paraardhëse në investimet që ajo kishte bërë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke thënë se: “Vetëm 9 për qind e gjithë investimit shkoi në këtë drejtim”, tha ministrja Nikolla, e cila shtoi se në këtë periudhë nuk pati një projekt të qartë as për mirëmbajtjen e kësaj infrastrukture, për të cilën u shfaq zero interes. Por ndryshe nga projektet e kaluara, investimi i tanishëm synon një plan konkret të përdorimit të kësaj teknologjie në shkolla”.

Kryeministri Rama ishte edhe më i bindur, e i vendosur, duke deklaruar se: “Jam i bindur që me përfundimin e këtij projekti në tre vitet e ardhshme, ne do të kemi mundësinë të themi se jemi në kushtet e një transformimi të pandodhur më parë. Ky projekt do të bëjë të mundur që të gjithë nxënësit e gjimnazeve të vendit të mos kenë më kufi ndarës mes zonash më të mirëqena dhe zonash më të varfra, sepse të gjithë do të jenë të barabartë përpara burimeve dhe mundësive të dijes.”

Nga këto deklarime mësojmë se, në vitin 2018, sipas premtimit të znj. Nikolla do të përmbyllej programi që do të digjitalizonte mësimdhënien në 360 gjimnaze të vendit. Duhet të ishin të trajnuar mbi 12 mijë mësues dhe nxënësit do të merrnin mësim të barabartë si në zonat e varra dhe të pasura, sipas z. Rama. Por ka edhe më.

Një nga drejtueset e lartë të administratës së MASR, në atë periudhë do të deklaronte se: “Projekti i digjitalizimit të mësimdhënies realizohet përmes një sistemi, që quhet “Socrates”, Ky sistem përmban në vetvete sistemet “classroom management” (menaxhim i klasës), “learning management system” (sistem i menaxhimit të mësimit), dhe “e-register” (regjistri elektronik). Të gjitha këto realizojnë klasën inteligjente”. Pra ishte parashikuar se do të kishte një platformë për mësimdhënien, një regjistër, një sistem menaxhimi, gjithçka unike për mësimin digjital. Përse Besa ankohet se nuk ka qasje në internet, mësuesit përdorin platforma të ndryshme, nuk janë të përgatitur?

Sipas projektit me një shumë fillestare 3.5 milion euro i digjitalizimit të mësimit, i shpallur nga znj. Nikolla dhe z.Rama si dhe shpjegimi në detaje i drejtuesve teknik në MASR, sot në këtë situatë që ne jemi, duhet të kishim aktiv një infrastrukturë të njëjtë të mësimit digjital për mësues e nxënës, funksionimin e programit “Socrates”, ku përfshihen një regjistër elektronik, një sistem menaxhimi dhe platformë e njëjtë  e mësimit digjital. Por Besa i mbuloi të gjitha këto fakte tronditëse të një afere korruptive të pastër në institucionin që ajo drejton, duke na bërë për budallenj me deklaratat e saj. “Tabletat janë në shkollë, nuk mund të dalin nga shkolla dhe se nuk ka karrikues që ti ngarkojë veç atij që është në shkollë”. Ky është shpjegimi, për grabtijetn dhe shpërdorimin e miliona eurove të paraardhëses së saj dhe mbulimin që i bën Besa sot.

Prandaj e dashur ministre, leri statistikat e shpikura prej teje, shko dhe denonco aferën marramendëse të devijimit të eurove në llogaritë e shefave të tu, kushtuar projektit që do të siguronte një platformë të mësimit digjital, një model të menaxhimit të klasës dhe një regjistër të njëjtë elektronik për nxënësit dhe mësuesit.

Mos harro Besë të denoncosh, se çfarë u bë me milionat e premtuara për bibliotekën digjitale dhe internet e leksione falas, lehtësisht të aksesueshme nga studentët, premtuar në “Paktin për Universitetin” veten dhe KM Rama.

Me siguri që, ti Besë nuk ke për ta bërë, pasi edhe vetë je e përfshirë në të gjithë këtë mega grabitje të arsimit shqiptar, përndryshe, do të kërkoje llogari që në 2018, se cilat ishin rezultatet e projektit 3-vjeçar të shpallura prej ish-shefes tënde Lindita dhe idhullit tënd pa krena z. Rama.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp20/04/2020 12:04

"Ndiq paranë" thonë ekspertët. Kjo nuk është fusha juaj mesa duket dhe nuk është as detyra juaj. Por detyra e prokurorit të përgjithshëm dhe e SPAK besoj se po, të cilët mund dhe duhet të çelin një hetim kryesisht qoftë edhe nga një opinion në portal.Si specialist në fushën e arsimit do kishte interes të dihej opinioni juaj por edhe ekspertëve të tjerë të fushës së arsimit, se si ka qenë niveli i mësimdhënies nga profesorati, nga mësues të ciklit parauniversitar etj. Cili është kontigjenti, 'furrxhiu', 'furra' edhe në fund 'mielli'. Produkti, 'buka', është derivat. Specialistët ikën jashtë. U goditën politikisht. Vakumi u mbush me 'kristalist'. Në sistem 'militojnë' me qindra të tillë, portalet janë më së paku përzgjedhje e 'doktorave të shkencave' partiake, por gjithashtu edhe korrupsioni e ndikimi të natyrave të tjera. Nuk kam dyshim që ju i njifni problematikat në arsim, e doni ndryshimin, por kam merak se do paragjykoheni si ekspert i mbartjes së problematikave nga një qevrisje në tjetrën."Furçat" si 'ministër në hije' që ju bëjnë bythlëpirsit e të gjtha kohrave, ju dëmton. Jo se Ju nuk e meritoni. Përfshihuni në 'projektin kombëtarist' për një qeverisje ndryshe.

Shto koment

Denonco