Testimet e Ramës dhe telefonata me Komitetin Teknik

Testimet e Ramës dhe telefonata me Komitetin Teknik

Nga Klodian Tomorri - 17/04/2020

Përgjatë javëve të fundit Edi Rama është kritikuar se ka shkelur papushim mbi Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Megjithatë, në Shqipëri ekziston ende një ishull pavarësie, i cili i ka qëndruar ndaj agresionit juridik të kryeministrit. Ai është Komiteti Teknik i Ekspertëve, që drejton Mira Rrakacolli me Albana Ficon.

I pyetur një ditë më parë se pse Shqipëria nuk kryen testime masive të popullatës si rruga më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit, kryeministri përsëriti të njëjtin justifikim: “Numri i testimeve përcaktohet nga Komiteti Teknik i Eksperteve. Unë jam vetëm përçues i vendimeve që merr Komiteti.”

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht Shqipëria ka kryer 1.6 testime për çdo 1 mijë banorë duke qenë rrotë më rrotë me Ganën, Afrikën e Jugut, Botsvanën dhe Butanin. Të gjitha vendet e rajonit kanë testuar më shumë, ndërkohë që mesatarja e testimeve në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian është dhjetëra herë më e lartë. Por kryeministri thotë se qeveria nuk ka përgjegjësi, pasi vendimmarrja e testimeve është e Komitetit.

Shkurt, me një gur vriten dy zogj.

Së pari justifikohet numri tmerrësisht i ulët i testimeve për fryme që ka Shqipëria në raport me vendet e tjera të ngjashme, dhe së dyti krijohet imazhi i një vendi, ku qeveria respekton institucionet e pavarura dhe qeveris mbi bazën e rekomandimeve të specialistëve.

Kjo narrativë e bukur, më kujton një histori të para disa viteve.

Aty nga viti 2016, disa nga biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri u bënë bashkë për të investuar në një kompani, e cila operonte në sektor strategjik. Bëhej fjalë për një operacion financiar që shkonte gati sa 1 për qind e Prodhimit Kombëtar, por jo të gjithë ishin euforike.

Njëri nga biznesmenët në atë grup, që për mua është një nga njerëzit më inteligjentë të biznesit në Shqipëri, e kishte nuhatur që kompania ishte aset toksik dhe nuk vlente as 20 për qind të çmimit që po negociohej. Por në pamundësi për t’u thënë jo kolegëve që e kishin afruar për shkak të lidhjeve të tjera të biznesit që kishte me ta, iu desh të improvizonte një strategji dalje. Strategjia ishte kjo;

Ditën e transaksionit, teksa të gjithë ishin ulur në tryezën, ku do të nënshkruhej marrëveshja, përpara se të hidhte firmën, u tha kolegëve që unë kam një biznes të strukturuar dhe për çdo vendim më duhet konfirmimi i bordit. Ngriti telefonin dhe improvizoi sikur po fliste me drejtorin e Bordit, për të kërkuar lejen e transaksionit. Por nga ana tjetër e telefonit përgjigja ishte negative. Gjoja i zhgënjyer i kërkoi Bordit qe ta shqyrtonte sërish vendimin. Por sërish përgjigja qe negative.

Përplasi telefonin në tavolinë duke bërë si i inatosur me bordin për t’u shfajësuar para biznesmenëve të tjerë. “I kam duart e lidhura- tha. Nuk më lejon Bordi të jem pjesë e marrëveshjes.” Të gjithë biznesmenët në atë sallë e dinin mirë se Bordi ishte justifikim kot.

Kompanitë në Shqipëri janë biznese individuale, ku vendimet i merr pronari, ndërsa bordet, edhe kur ekzistojnë, jane fiktive, të përbëra nga familjarët ose vartësit e pronarit. Edhe në këtë rast, personi nga ana tjetër e telefonit ishte një familjar, që nuk do të guxonte kurrë të kundërshtonte vendimin individual të pronarit. Por strategjia rezultoi efektive. Biznesmeni në fjalë ishte i vetmi që shpëtoi. Gjithë të tjerët humbën miliona euro, pasi më pak se një vit pas transaksionit, kompania u shit me 20 për qind te çmimit që u ble.

Tani imagjinoni për një moment një skenë të ngjashme.

Edi Rama që merr në telefon Albana Ficon duke i kërkuar leje që të bëjë më shume testime për virusin dhe zonja Fico që i përgjigjet: “Në asnjë mënyrë. Komiteti Teknik është kundër testimeve masive dhe nuk do ta lejojë këtë.”

Pas mbylljes së telefonit, kryeministri që nuk pyet për Kushtetutën dhe ligjet, të cilat i shkel lehtësisht edhe me postime nga Facebooku, detyrohet të bindet.

Testimet nuk i lejojnë Mira Rakacolli me Albana Ficon. Kryeministri i ka duart e lidhura.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

futja plot18/04/2020 11:40

Thua vërtetë se thelbi i këtij shkrimi na qenka "përkthimi" i fjalve rrotë më rrotë ?
Lidhur me të vërtetën që ka përmendur autori i shkrimit, se Rama fshihet pas gishtit, do të bëja pyetjen :
A e ka dëgjuar kush Ramën që qoftë formalisht të thotë se për këtë punë vendos qeveria, parlamenti apo partia ?
Ai në çdo dalje publike me gojë e me shkrim, përsërit gjithmonë fjalën "unë".
.
"Unë kam bërë, unë po bëj e unë do të bëjë këtë e ate "
A i keni dëgjuar si deklarojnë ministrat e tij servilë për pakon "Rama 1" e për pakon "Rama 2" për ndihmat financiare të qeverisë për problemet katastrofale ekonomike që solli politika e tij e bllokimit total të bizneseve, e që me paturpësi po ata e quajnë si një vepër "humanitare" të kryeministrit që me taksat e mbledhura e me borxhe që do të hanë edhe taksat e viteve të ardhëshme, paskej ndarë ca para ?
Veprim "humanitar" do të ishte që Rama si person e si qytetar, do të kishte dhuruar kështjellën e Surrelit për ta kthyer në spital apo strehim të të dëmtuarve nga tërmeti që ngelën jashtë në mes të dimrit, por jo kthimin e vetëm një pjese të vogël të taksave të mbledhura apo një përqindje shumë të vogël të GDP.
Ja po e quajmë si "zgjuarsi" të tij, që për të dalë nga situata e tërmetit, shfrytëzoi ndjeshmërinë e vendeve të tjera që dhuruan apo dhanë borxhe me interesa të ulta mbi një miliard euro, por pandemia botërore i ka kthyer të gjitha shtetet me moton "O Mete për vete", prandaj shteti shqiptar duhej kollandrisur me paratë e veta.
E dëgjojmë ate që paturpësisht të dalë publikisht e të deklarojë se për mua mbi gjithshka ka rëndësi jeta e njerëzve, prandaj vendosa që ti mbyll të gjithë shqiptarët në shtëpi.
Por nëse vërtetë i dhimbseshka atij jeta e shqiptarëve, puna e parë që duhej të bënte , menjëherë sa ndodhi gjëma në Itali, duhej që menjëherë të anullonte një nga konçesionet flagrante korruptive të ndërtimit të rrugëve me 20 milionë euro kilometri, e me ato para të blinte 500 mij teste e 1000 respiratorë.
Të hiqte dorë nga çekap e kap çfarë të kapësh, e gjithë energjitë e paratë ti kushtoheshin rrezikut të jetës nga pandemia.
Në një kohë që gjithë qeveritë e vëndeve më të zhvilluara mendojnë se si të shpëtojnë humbjen e miliardave të eurove nga stopimi i ekonomisë nga pandemia, qeveria bythëgrisur shqiptare, mendon sa sa para do ti shpëtojnë xhepave të qeveritarëve e oligarkëve të lidhur me ta.

kuti 17/04/2020 14:42

E para punes o futja kot; shprehja "rote me rote" ka dale nga garat e çiklizmit, nga tifozet e ketij sporti, qe do te thoshte se dy çiklistet qe kishin arritur te paret, kishin te njeten kohe ne finish pra: ishin "rrote me rrote" o rrote Nuk ka asnje perkthim ketu sepse fjala rrotë, është shqip, o rrotë! Tung!

futja kot17/04/2020 13:10

Shprehja "rrote me rrote" eshte nje perkthim fjale per fjale nga jashte, pra nuk eshte e perdorimit shqip! Kjo mund te zere vend nese shqipja nuk ka te perngjashmet e saja. Mirpo shqipja i ka keto, si p.sh.: eshte aty-aty, qe do me thene eshte gati njelloj, cfare shpreh edhe perkthimi gabim i huaj "rrote me rrote", nje perkthim tamam prej rrote!

Shto koment

Denonco