Ekonomia globale përpara një recesioni dramatik

Ekonomia globale përpara një recesioni dramatik

Nga Dojçe Velle - 15/04/2020

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ul parashikimet si kurrë më parë. Pritet një recesion global për shkak të pandemisë së virusit Corona - madje edhe më i rëndë sesa pas krizës financiare një dekadë më parë.

Për shkak të krizës së Coronës, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur brenda disa muajve parashikimet e tij për ekonominë globale më shumë se kurrë më parë. "Bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike në tre muajt e fundit," dhe 2020 do të sjellë ndoshta një recesion edhe më të rëndë se sa kriza e madhe në vitet 1930 – thuhet në prognozën e fundit për ekonominë botërore të FMN-së .

"Kjo krizë është si asnjë tjetër deri tani." Situata ekonomike është më e keqe sesa në krizën financiare 2008/09. FMN pret një rikuperim të fortë gjatë vitit të ardhshëm, por pranon se ky vlerësim varet kryesisht nga kohëzgjatja e pandemisë dhe në fund mund të ketë po ashtu humbje.

Sipas FMN-së në vitin 2020, ekonomia globale do të tkurret me 3.0 përqind. Në këtë mënyrë parashikmet e bëra në janar ulen me 6.3 pikë. Ekonomia globale shënoi stanjacion gjatë krizës financiare, por në atë kohë u prekën kryesisht vendet e industrializuara. Kurse tani po preken de fakto të gjitha vendet. FMN i konsideron programet e gjera të masave të shpëtimit të qeverive të shumta, që kanë arritur në disa trilion dollar, si pozitive. Sipas FMN-së, një rimëkëmbje graduale pritet të fillojë në gjysmën e dytë të vitit. Në vitin 2021 ekonomia globale pritet të rritet me 5.8 përqind.

Pasiguri e madhe

Nëse jeta publike, e cila thuajse është ndërprerë, rifillon përsëri së bashku me ekonominë në gjysmën e dytë të vitit, në vitin 2021 mund të ketë një rimëkëmbje të pjesshme. Sidoqoftë kjo prognozë lidhet me "pasiguri të jashtëzakonshme", tha presidentja e FMN-së Georgieva. "Gjendja mund edhe të përkeqësohet" dhe kjo varet kryesisht nga kohëzgjatja e pandemisë.

Sipas FMN, kriza i ka prekur të gjitha vendet, por vendet e varfëra dhe vendet në zhvillim nuk mund të reagojnë aq mirë ndaj saj. Ato kanë sisteme më të këqija shëndetësore, më pak rezerva në buxhet dhe janë nën presion në rritje nga investitorët. "Dy muajt e fundit nga portofolet e vendeve në zhvillim janë tërhequr rreth 100 miliardë dollarë - tri herë më shumë sesa gjatë krizës financiare globale."

Georgieva shtoi se së fundit më shumë se 90 vende kanë bërë kërkesë për financime për raste emergjence. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Drita jeshile u është dhënë tashmë programeve të ndihmës për Ruandën, Madagaskarin dhe Togon. FMN mund të japë hua deri në një trilion dollarë.

FMN-ja aktualisht po shqyrton instrumentet që ka në dorë për të ndihmuar si linja kredie paraprake dhe në disa raste, për vende tepër të varfëra edhe lehtësim të borxheve, në mënyrë që të investohen më shumë para në sistemin shëndetësor./DW

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco