Komandant, Besa! Nuk drejtohet arsimi me video onllajne

Komandant, Besa! Nuk drejtohet arsimi me video onllajne

Nga Ndriçim Mehmeti - 13/04/2020

Në këto ditë të vështira për këdo brenda e jashtë vendit, vëmendja më e madhe, mbetet tek ata, të cilëve u kemi besuar menaxhimin e përditshëm dhe në perspektivë të jetës sonë. Në thuajse të gjitha vendet e botës, pa asnjë përjashtim, gjen një angazhim në terren apo përmes televizionit, komunikimit në rrjete sociale të qeverive dhe çdo anëtari të kabinetit qeveritar, sipas fushës dhe sektorëve që mbulon secili.

Në kundërshtim me këtë qasje, këtu në Shqipërinë tonë të dashur, ka zgjedhur të flasë vetëm Komandanti, nga mëngjesi në darkë e nga darka në mëngjes. Shan, mallkon, predikon fjalë të shenjta (siç ai pretendon, por nga i ka marrë një Zot e di), nxjerr akte normative në mëngjes, i rishikon në drekë, i tërheq në darkë, e përsëri zgjohet në mëngjes me xhevahirin e radhës, që na i shet të gjithë këtë shfaqje të egos personale, për të treguar heroin në kohë rreziku, si lodhje e stërmundim për ne.

Pasi e morëm vesh por gjë nuk kuptuam me paketën ekonomike, pagën e luftës, kredinë që mbetet e njëjtë për të paguar, qiratë që edhe mund të paguhen edhe jo, njerëzit kanë nevojë të dinë më shumë për arsimimin e fëmijëve të tyre.

Përse Komandanti që dikur ndodhej edhe kur inaugurohej një palestër në Tepelenë a Vrion, në një shkollë me 50 nxënës, sot nuk flet asnjë fjalë për arsimin?

Sepse të flasësh për COVID-19 është shumë më e lehtë, sesa për arsimin. Numri i të prekurve me COVID-19, zyrtarisht është 433 në vendin tonë, ndërkaq që numri i të prekurve nga mungesa e arsimit është disa fish më shumë. Ndërprerja e mësimit ka ndikuar në jetën e 530 mijë fëmijëve në arsimin parauniversitar, 34 mijë mësues, mbi 180 mijë familje anë e kënd vendit. Po të shtosh edhe 138 mijë studentë mbi 12 mijë pedagogë dhe familjet e studentëve atëherë del se mbi 50% e popullsisë aktive, janë në një hall të madhe për të cilën nuk flet askund, në asnjë resht apo paragraf të fjalimeve pafund të komandantit.

Ai, lideri i dy brigjeve të Adriatikut, na foli gjerë e gjatë për planin A, B, C dhe D, por asnjë fjalë për arsimin. U bënë urdhra dhe udhëzime, në të cilat arsimi kishte një resht të vogël, ‘institucionet arsimore mbyllen nga data x deri në y’, dhe kaq. Paketa e deklaruar nga Komandanti dhe mëkëmbësi i tij i fatkeqësive Ahmetaj, nuk ka asnjë fjali, pale më plan masash në nivel qeveritar, se çfarë do të ndodhë me arsimin në skenarin A, B, C dhe D? Në grupin e ekspertëve, nuk është ngritur asnjëherë çështja e arsimit në tërësi, shkollave dhe universitetit.

Si do të shkojë filli, me këtë sektor, në të cilin kanë lidhur jetën, të ardhmen, mbijetesën, ëndrrat, pjesa më e madhe e popullit shqiptar. Komandanti nuk ka asnjë vizion, asnjë plan, e asnjë ide se çarë ndodh me arsimin dhe sesi duhet të sillemi tani që vetë Ai, ka deklaruar lirimin e masave. Dikush mund të mendoj e të qaj hallin e Komandantit, ose të shprehet në të drejtën e vet, ‘po ai ka gjithë vendin në kurriz, përse nuk del Besa, që paguhet si ministre e arsimit nga taksat, gjaku dhe djersa tonë’. Besa heziton edhe më shumë se Komandanti, të dali e të flas.

Pse ngurron Besa po aq sa Komandanti të flas për arsimin?

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini e ka edhe më të vështirë të flas, ndonëse është detyra e saj, si në kohë paqeje e lufte, të na tregojë se ku jemi dhe ku mendojmë të shkojmë përmes arsimimit. Po m Besa jo vetëm që ngurron të flas, por është tmerrësisht e trembur nga situata që i ra për hise. Kjo për faktin e thjeshtë se Besa nuk ka as plan, as ide të qarta, as staf që ta pyes, as nuk di të të dëgjoj, as nuk merr mundimin të pyesin në kohë normale e jo më tani, në kohë lufte sikundër shprehet Komandanti. Nëse ju kujtohet tërmeti, Besa shkroi një status në facebook, sa qesharak aq edhe absurd, në një moment sa të vështirë aq edhe tragjik për popullin shqiptar:

‘Asnjë nxënës dhe mësues nuk janë dëmtuar nga tërmeti’, i cili ra në orën 04 të mëngjesit dhe sigurisht ministrja e arsimit, e ka ditur që të gjithë oshin në shkollë dhe shpëtuan paq. Tani që erdhi situata e COVID-19, ministrja Shahini, përsëri doli dhe në pa përgjegjshmëri totale, që vjen si rezultat i paaftësisë që ka në drejtimin e arsimimit, doli dhe u tha njerëzve të njëjtën fjali por me ndryshim date. Ministrja deklaroi se, ‘ne shpresojmë se shkolla do të hapet në datën 23 mars’, pastaj kur qeveria ndryshoi datën ajo doli përsëri e tha: ‘ne shpresojmë të hapim shkollat më 3 prill’, e kur shkollat nuk u hapën as më 3 prill, ‘ne shpresojmë ti hapim se shpejti, por po na ecën për bukuri me mësimin onlljane’. Asgjë konkrete, nuk dëgjoi askush për çështje që shqetësojnë më shumë nxënësit, studentët, pedagogët, mësuesit, prindërit. Kur do të hapet shkolla, apo ky vit mësimor do të quhet i mbyllur? Si do të veprohet me provimet e Maturës Shtetërore dhe provimet kombëtare të lirimit?

A është e mundur të shtyhet viti akademik në universitete, në muajt e verës? Si do të operohet me nxënësit që do të ikin jashtë vendit? A janë të higjienizuar, me ujë të rrjedhshëm dhe të gjitha standardet e pastërtisë nga veriu në jug institucionet e arsimit parauniversitar? Kopshte dhe çerdhet do të hape në verë apo në shtator? Nëse nuk hapen institucionet e arsimit parashkollor këtë verë, kush do të kujdeset për fëmijët e kësaj moshe në familje, pasi prindërve u duhet të punojnë? Cilat janë kriteret për pranim në Institucionet e Arsimit të Lartë? Si do të bëhet me lëndët praktike që kanë studentë, por ato në fakt nuk janë kryer?

A do të diplomohen në verë apo në shtator studentë? Kur mendohet të zhvillohen konkurset në programet e studimit që e kanë si kriter të pashmangshëm procesin e konkurrimit? A do të mbahen zgjedhjet për drejtues të lartë në universitete apo do të shtyhen për në vjeshtë? Besa jo betim që duhet ët fliste, por duhet të kishte një plan veprimi të qartë, udhëzime që tanimë duhet të ishin publike si dhe një grup pranë saj që do të ishte përgjegjës për zbatimin e këtij pani në nivel qendror dhe lokal. Besa së fundmi zgjodhi një taktikë të padëgjuar ndonjëherë, në asnjë vend e në asnjë cep të planetit:

Nxori të flas për masat e Ministrisë së Arsimit, një drejtor të një institucione varësie të Ministrisë së Arsimit. Drejtori sqaroi gjithçka përmes një video të xhiruar nga ai vet, brenda makinës së tij, rrugës së kthimit nga zyrat e ministrisë së arsimit në shtëpinë e vet. Kurse Besa, zgjidhi një komunikim onllajne me parlamentin e nxënësve, të cilët i çelën sytë me ‘sugjerimet e tyre’, të shpërndara praktikisht nga sejmenët e Besës në Ministrinë e Arsimit. Këto janë edhe gjetjet më të reja e komunikimit onllajne që Besa ka zgjedh ta ndajë me vartësit e saj dhe gjithë publikun. Ndërkaq ne vijojmë të dëgjojmë e të dëgjojmë dhe përsëri dëgjojmë, në pafundësi atë të vetëquajturin Mesia të shqiptarëve.

Disa thonë që nuk kuptojmë asgjë, disa e lëvdojnë, të tjerë ndërrojnë kanalin, por përsëri ai shfaqet kudo. Askush nuk di asgjë, si do të shkojë filli i jetës së tij, e aq më pak, edukimi dhe nxënia e fëmijës së tij, në këtë kohë të vështirë. Dinë një gjë të saktë. Komandanti flet e flet për masa karantimi e burg, ndërsa Besa përzgjedh nga dy pyetje dhe kthen të njëjtën përgjigje çdo javë. Mos harro dhe një gjë të fundit Besë: Bëj një video selfie, ku nxënësit janë duke pikturuar onlljane, diellin që ndriçon Shqipërinë me fytyrën e Komandantit në sfond. Për të tjerat mendon drejtori rrugës së kthimit nga zyra jote në shtëpi, me makinën e tij dhe platforma digjitale, që do të jetë një fantazi, ‘nxënësit për nxënësit’.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari13/04/2020 21:37

Bravo prof. Mehmeti

Shto koment

Denonco