Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ 'Divorci' Meta - Kryemadhi

Me mësimin onllajne, arsimin e kalle fare Besë

Me mësimin onllajne, arsimin e kalle fare Besë

Nga Ndriçim Mehmeti - 05/04/2020

Si të gjithë ne, sikundër çdo sektor e fushë të jetës edhe arsimi po kalon ditë sa të vështira, aq të pakuptimta përtej limitit dhe këllqeve që mban, përzier me hipokrizi dhe tallje qeveritare. Kësaj radhë Komandanti i zënë shumë me punë, ja ka lënë fushën e hapur të besuarës së tij më të re, Besës. Kjo e fundit gjeti rastin ta varros njëherë mirë arsimin, ose siç thonë vëllezërit tanë shqiptarë në Kosovë e gjetiu, e kalli arsimin të gjallë në dhe. Për të kryer këtë akt të pashembullt,  u gjet koha dhe momenti i përshtatshëm: pandemia e Covid-19 dhe si për ironi tonë mjeti më efikas në komunikimin e njerëzimit, teknologjia e informacionit, ose shkurt e qartë, e shprehur me gjuhën e Besës:mësimi ollajne.

Po ç’të keqe ka përdorimi i mësimit online, apo në distancë për fëmijët, shqiptar, mund të pyes çdokush?

Asnjë të keqe nëse fëmijët, vëllezërit, nipërit dhe mbesat tona, do të ishin si fëmijët e therë të Evropës, apo më konkretisht akoma, të vendeve që na rrethojnë.  Më së parti duhet të themi e ta përsërisim me shumë  forcë e këmbëngulje, se arsimi nuk është një privilegj, por një e drejtë që rrjedh nga Kushtetuta e Shqipërisë. Neni 57, pika 1 e Kushtetutës e shpreh të drejtën e arsimimit në këtë mënyrë: “Kushdo ka të drejtën për arsimim”. Duke qëndruar dhe respektuar këtë parim themeltar të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (që shpresoj ta ketë lexuar edhe Besa, tash që nuk shkon në punë e ka boll kohë të lirë) gjëja e parë që të shkon ndërmend është se a po zbatohet ky detyrim i shenjtë për të gjithë fëmijët shqiptar me mësimin online? Përgjigja e ministres është jo. Në daljet e saj me vido selfie apo edhe në TV, ajo ka deklaruar, se: “Sipas INSTAT 99% e shqiptarëve kanë televizor në shtëpi dhe 97% kanë telefon celular e kryesisht smart”.

Tani lyp nevoja dhe ndjenja qytetare e gjithkujt të pyes Besën: Sa është numri i fëmijëve që nuk kanë mundësi të marrin mësim dhe që futen në atë 3% e më shumë që nuk kanë as telefon, as telefon smart e madje as strehë e bukë për të ngrënë? Sa është numri i fëmijëve që janë vendosur në çadra, kontenierë, që kanë ikur me prindërit në shtëpitë e vjetar të fshatit të origjinës, pasi ju shkatërrua streha e tyre në qendrat urbane pas tërmetit? Sa janë fëmijët me nevoja dhe aftësi ndryshe që jo vetëm nuk marrin  mësim, por as nuk u jepet leja të dalin jashtë banesës së tyre, për tu argëtuar sadopak në këto ditë të vështira? Sa është numri i fëmijëve të ngujuar që nuk marrin as mësim e as nuk shohin dritën e diellit? Sigurisht që Besa nuk ka për të kthyer asnjë prej këtyre përgjigjeve. Me planin e saj “të dali ku të dali”, Besa as nuk di e as që nuk ka interes të dijë për këto shtresa. Ajo del 3 herë në javë, dhe flet vet si qëmoti në emisionin “Ju pyesni e ne përgjigjemi”, porse nuk di as vetë çarë të thotë, si ta thotë. E frikësuar në maksimum në 3 minuat që ligjëron, mezi pret të mbarojë dhe ka të njëjtën përzier që ka përdorur ditë më parë, veçse ndërron herë kryefjalën e herë kallëzuesin. Duke i marrë rolin specialistes të pritjes apo marrëdhënieve me publikun Besa dijë vetëm të flas, të gënjej, ta pyesësh por të tjera gjëra e të përgjigjet për tjetër gjë. Del e flet për mësimin onllajne, duke pranuar vetë, se nuk kanë asnjë platformë të përbashkët dhe nxënësit bëjnë mësim me ç’munden: Facebook, Viber, Classroom, Zoom, Akadamia.al, RTSH, etj. Në një gjuhë që e kupton vetë Besa, kërkon të na kumtojë se shpikjet e saj, tanimë mund ti quajmë arritje të mëdha të arsimit shqiptar.

Por vetë Besa pranon se nuk i beson shumë fjalëve të saj dhe metodave bashkëkohore që po ndjek, siç kërkon të na e shes mësimin onllajne. Me gojën e saj kemi dëgjuar se “maturantët nuk do të testohen për mësimet që ka programi lëndor prej muajit mars e këtej”. Si kështu shoqja Besë? Ju na thatë se mësimi po zhvillohet, shumë rregullisht? Përse organizuat një fushatë me pretekstin e pyetësorit për të parë nëse zhvillohet apo jo mësimi në distancë, kur ju jeni të sigurt në suksesin 99.99% të nismës suaj gjeniale?? Apo tani besoni edhe vetë se ky mësim jepet sa për të thënë e që të kënaqi Komandantin, juve si ministre e arsimit dhe popullin që ju dëgjon me endje anë e kënd mëmëdheut? Mos vallë kërkoni që disfatën e radhës në arsim, të na i shisni si reformë epokale, siç bëhet edhe shoqja Linditë?

Përse nuk e pranon Besë, që ky është një mësimi onllajne është një akt drejt kalljes në dhe të arsimit shqiptar?

E di që e ke të vështirë, shumë të vështirë. E shoih sikletin tënd në çdo dalje, Shoh një energji të pashoqe, për të na shitur sapunin për djath, përmes postimeve tuaja dhe urdhrit që ti bëjnë ndarje (share) dhe pëlqime (like) të gjithë mësuesit, nxënësit dhe prindërit. I ke hyrë një valle që as nuk di si ta kërcesh, as fjalët dhe as muzikën nuk ja ke dëgjuar ndonjëherë. Thjesht të thanë se është një vend i lirë pune në Shqipëri, qokë për ty në emër të këshilltarëve të Ramës dhe mbajte frymën, pasi në Kosovë u sfilite me OJF-të e gjë nuk dilte. Erdhe dhe askush nuk të njihte, derisa Komandanti të besoi sektorin më të vështirë për këdo në këtë vend, Ministrinë e Arsimit.

Ti e more emërimin si një privilegj e jo detyrim, si një zgjedhje qe e bëmë ne vëllezërit e tu në Shqipëri, pasi të kishim një borxh të madh e të pashlyer e erdhi koha të ta shpërblenim në këtë mënyrë. Kujtove se ishte e thjeshtë. Edhe paraardhësja tënde nuk kishte bërë ndonjë gjë të madhe, veçse shpikej që fundosnin çdo ditë ato arritje që kishte arsimi. Ti thjesht u gjende aty, për të na treguar edhe njëherë se Komandanti zgjedh grenzat më të mira, që dinë si të shkatërrojnë jo një koshere e dy, por të shfarosin koloni me bletë, që veç mirë i sjellin natyrës.

Kështu edhe Besa erdhi e na doli me lloj e lloj reformash: 3 lëndë në 6 orë, bëjmë detyrat e shtëpisë në klasë, hamë ku të hamë mbi banka e në dysheme dhe në fund i vuri kapakun me mësimin ollajne. Por këtë të fundit, duket se e ka marrë si një sidë personale. Del vetë, herë në hollin e  pritjes në shtëpi ku pozicioni nuk ndryshon, qëndron vetëm aty ku ka si sfond pikturat e fëmijëve, ndërsa në zyrë ndryshon pozitë, herë tek biblioteka gjysmë e boshatisur e herë tek dritarja që sheh nga rruga e Durrësit, duke recituar të njëjtin refren: “ne shpresojmë shumë që të rikthehemi në shkollë shumë shpejt”, porse çdo të thotë shumë shpejt, vetëm Besa e di. Nuk ka asnjë plan, nuk ka asnjë vendim, nuk ka asnjë udhëzim të qartë e të saktë, për të gjitha nivelet e arsimit, prej ciklit parashkollor deri tek ai i lartë. Ah po Besa ka një udhëzim shumë  të qartë e të thjeshtë:

Bëjmë mësim online, duhet që mësuesit të testojnë online, të plotësojnë tabelat online emër mbiemër të nxënësit sa përqind morën pjesë, numrat e telefonit të prindërve), tabelat ti dërgohen drejtorit të shkollës, drejtori i shkollës ZVA, ZVA Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale të Arsimit Parauniversitar, këta janë dërgojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar dhe këta të fundit Besës në MASR. Pra një procedurë shumë e thjeshtë, që i merr çdo mësuesi 2-3 orë kohë. Por mësuesi ka edhe detyra të tjera: Shpjegim onllajne, korrigjim onllajne, të kujdeset për familjen e tij dhe natyrisht tu siguroj edhe fëmijëve të vet të marri mësime onlljane. Detyrën e raportimit për mësimin onllajne e kanë edhe universitet që janë “autonome e të pavarura” në vendimet e tyre. Sigurisht që jemi në prag zgjedhjesh e askush nga drejtuesit e universiteteve, nuk i thotë dot Besës, se në ligjin e arsimit të lartë nuk parashikohet mësimi onllajne.

Por le të kthehemi tek fillimi i shqetësimit tonë. A je e sigurt Besë, se të gjithë fëmijët shqiptarë, tani që po flasim kanë mundësi të barabarta dhe kushte të njëjta për të ndjekur mësimin  distancë? A i pe pak minuta pas bisedës tënde në “Opinion”, sa fëmijë kishte në çarda, kontenierë në ngrehina pa derë e çati, që vetëm emrin kanë shtëpi, që tregonin me lot në sy pamundësinë e tyre për të ndjekur shkollën në kushte normale e jo më tani që gjithçka është në izolim? A i pe këmbët e zbathura, çorapet e grisura, lotët që rridhnin nga faqet e rreshkura, kur tregonin se shokët i tallnin, pasi i quanin të palarë? A i dëgjon vallë klithmat e tyre, kur rri e gatuan, mediton apo lundron në internet në shtëpinë tënde luksoze e të ngrohtë, për këta fëmijë? Së fundi a të zë gjumi natën krejt pa brejtje ndërgjegjje e  pa pendesë Besë?

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Krist05/04/2020 18:46

Prisja nje pergjigje,apo edhe koment,ligjor,prej Juristit,sepse,situaten,teper te qarte,na e ka paraqiur,autori i shkrimit!

JURISTI05/04/2020 11:21

"Ti thjesht u gjende aty, për të na treguar edhe njëherë se Komandanti zgjedh grenzat më të mira, që dinë si të shkatërrojnë jo një koshere e dy, por të shfarosin koloni me bletë, që veç mirë i sjellin natyrës".

BRAVO ! Teper brilant si shkrim dhe me shume rendesi problemi qe ngrini , me i rendesishmi pas situates se virusit . Kjo ka qene qasja e kesaj qeveri ndaj arsimit dhe femijeve ne 7 vjet qeverisje . Ky vit shkollore do mbyllet formalisht dhe femijet do ndjekin klasa me te larta me mangesi ne dije . Mire na e bejne kur te gjithe fleme . Me komandantin po ri jetojme " Poemen e mjerimit"

Shto koment

Denonco