Për Coronën, njerëzimi e ka fajin vetë

Për Coronën, njerëzimi e ka fajin vetë

Nga Carmen-Francesca Banciu - 04/04/2020

Aktualisht pretendohet me obsesion se jemi në një luftë midis njerëzimit dhe virusit Corona. Luftë do të thotë të kesh një armik që vjen nga jashtë. Për Coronën njerëzimi e ka fajin vetë, mendon Carmen-Francesca Banciu.

Nga Deutsche Welle

Mua më duket më tepër se po ne përjetojmë një revolucion. Virusi e detyron njerëzimin që ta shohë veten si një bashkësi të madhe së cilës urgjentisht i nevojiten ndryshime. Virusi na detyron të kuptojmë se ne si pjesë e një organizmi jemi të ndërvarur dhe kemi nevojë për njëri-tjetrin. Çdo komb dhe çdo individ, çdo qenie, qoftë e re, qoftë e moshuar, janë po aq të vlefshme dhe të rëndësishme në zinxhirin që siguron mbijetesën në planet.

Prej kohësh ne ndjejmë në zverk kërcënime nga rreziqe pjesërisht difuze, por që na prekin të gjithëve: pasojat e globalizmit, plakja e shoqërisë, rritja e popullsisë, zhdukja e biodiversitetit, tkurrja e burimeve, ndryshimi i klimës, pasojat e luftërave. Tani ne e dimë se problemet globale nuk mund të izolohen ose të zgjidhen në nivel kombëtar. Sidoqoftë, është e rëndësishme që as qeveritë, as lëvizjet ekologjike, fetare apo politike të mos fitojnë kurrë epërsi për të zbatuar zgjidhje globale me mjete totalitare.

Corona mësuesja jonë

Izolimi po përdoret aktualisht si zgjidhje për të penguar përhapjen e virusit. Por izolimi është iluzor në një botë në të cilën ne të gjithë jemi të ndërvarur. Shumë më tepër sesa të izolohemi ne duhet të mësojmë të vlerësojmë se ç‘është e nevojshme, e dobishme dhe e kotë. Corona është mësuesja jonë edhe në këtë drejtim.

Në vetëm pak javë, virusi Corona (SARS-CoV-2) shkaktoi një revolucion. Një gjë mikroskopike, e padukshme, e pathyeshme e megjithatë e brishtë, delikate (dhe që as mund të shumëfishohet në mënyrë të pavarur) ka arritur t'i kallë datë tërë botës, të gjunjëzojë më të fuqishmit e botës, të kërcënojë gjithë ekzistencën tonë, ta ndryshojë jetën tonë me një ritëm tmerri.

Gjithçka ndryshoi rrënjësisht në vetëm disa ditë. Zakonet, nevojat, kërkesat, pretendimet janë relativizuar. Të gjithë jemi bërë refugjatë të mundshëm. Vetëm se ne nuk mund të marrim askund arratinë nga vetja. Ne na kërkohet të qëndrojmë në shtëpi për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Urdhëri i momentit është të ndalemi e të mendohemi thellë, dhe të qëndrojmë brenda derisa bota të ketë gjetur ekuilibrin. Të ushtrohemi në durim, të pranojmë rëndësinë e jospektakolares. Të kuptojmë se çfarë ka vërtetë rëndësi për jetën tonë.

Tani ne po mësojmë çdo ditë të vlerësojmë gjërat që kemi injoruar, lënë pas dore, harruar ose konsideruar si të panevojshme: të kalojmë kohë së bashku, të kalojmë kohë me veten, të perceptojmë sensualitetin e jetës, të rigjallërojmë shqisat tona, të ngadalësojmë ritmin e jetës. Të përcaktojmë dhe vlerësojmë rëndësinë e punës, të arsimit, të studimeve, të lidhjeve shoqërore, por edhe të pasurisë. Të gjërave që nuk tregtohen në bursë, por falë të cilave ne ndjehemi tepër të pasur. Ne po mësojmë të vlerësojmë çdo njeri dhe shumë gjëra të tjera.

Me shpejtësi po kuptojmë se efikasiteti nuk duhet të jetë masa e vetme për të matur vlerën e jetës. Mësojmë të rikuptojmë kohën dhe cilësinë e jetës, të dëgjojmë fëshfërimën e gjetheve, zhurmën e pikave të shiut, të vëzhgojmë ndryshimet e dritës, të vlerësojmë erën dhe ngjyrën e ushqimit dhe shijen e gjellës së sapo gatuar. Ne mësojmë se sa vlerë ka një buzëqeshje spontane. Dhe shumë më tepër. Tani po merr rrugë një rilindje masive emocionale e një shoqërie të sëmurë nga mungesa e vëmendjes.

Koha për një fillim të ri

Para epokës së Coronës ishim të gjithë të kapluar nga një nxitim i gjithanshëm. Askush nuk kishte kohë, madje edhe për të shpëtuar mjedisin koha na dukej shumë e shkurtër. Masat e karantinës e kanë detyruar shumicën prej nesh që në dukje të mos bëjë asgjë. Ne dhe mjedisit na u dhurua kohë. Kohë për të reflektuar për një fillim të ri dhe për ta vënë atë në udhë.

Mjekët, infermierët, punonjësit e pastrimit të qytetit, prodhuesit dhe shpërndarësit e ushqimeve dhe të gjithë ata që mundësojnë vazhdimin e jetës së përditshme duke vënë jetën në rrezik, janë heronjtë e ditës. Ne të tjerët rrimë në shtëpi dhe nëse jemi aq të mençur sa të durojmë veten dhe të mos zhytemi pafund në Netflix & Co. por të hyjmë në bisedë me veten dhe të komunkojmë thellë dhe në mënyrë autentike me të tjerët, shumë shpejt do të kontribuojmë për të gjetur zgjidhje për krizat.

Deri sa të ndodhë kjo ne në të gjithë botën vazhdojmë të pjekim bukë me maja. (Edhe NY Times publikoi një recetë për këtë.) Ne punojmë kopshtin, sistemojmë dollapët, renditim letrat, lexojmë, mësojmë ndonjë gjuhë të re, këndojmë, vizatojmë dhe qajmë. Dhe mbi të gjitha mendojmë dhe krijojmë një rend brenda vetes. Në mendje hartojmë plane për shërimin e të gjithëve dhe një fillim të ri.

Ne na bëhet e qartë që jemi në të njëjtën barkë. Dhe shpëtimi i barkës është i mundur vetëm nëse përpiqemi për të mirën e të gjithëve. Për momentin kjo do të thotë të heqim dorë nga shumë gjëra, të mbajmë distancë fizike, t'u japim mësim fëmijëve tanë në shtëpi dhe t'u mundësojmë atyre të marrin pjesë në mësim përmes internetit. Edhe fëmijët po bëjnë sakrificat e tyre. Si do të ndikojë ky ndryshim masiv jetën e tyre?

Ne nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo gjendje pauze. Por pas ditëve të izolimit, të luftës, të dëshpërimit dhe të reflektimit, ne do të dalim plotësisht të ndryshuar nga krizalidat tona. Një metamorfozë globale. Ne do të rritemi me detyrat tona. Si pas një lufte, ne do të krijojmë plot vrull diçka të re. Dhe krijimtaria e botës do të shprehet në gjëra të qëndrueshme, të rëndësishme, domethënëse. Kush do të dojë të mendojë pas kësaj për jetën e vet të dikurshme?

Carmen-Francesca Banciu ka lindur në Rumani. Që nga nëntori i vitit 1990 ajo jeton në Berlin, ku punon si shkrimtare dhe autore për revista e gazeta dhe ofron seminare për shkrim kreativ. Që nga viti 1996, ajo shkruan edhe në gjuhën gjermane. Libri i saj "Lamtumirë shokë dhe të dashur” u propozua për Çmimin Gjerman të Librit 2018. Së shpejti botohet në anglisht romani i saj "Arratisja e babait”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco