Edi Rama nuk priti dot deri më 7 prill, por e futi sot në kolaps ekonominë

Edi Rama nuk priti dot deri më 7 prill, por e futi sot në kolaps ekonominë

Nga Vehap Kola - 02/04/2020

Duke bërë të ndaluar pagesën e qirave për pronarët e dyqaneve, magazinave dhe apartamenteve dhe duke përgjysmuar pagat e zyrtarëve, Edi Rama nuk priti datën 7 prill që Shqipëria të binte në kolaps. Ai e futi Shqipërinë në kolaps që sot më 2 prill. Ndërhyrja në pagesat e qerave ndërmjet palëve private është shumë më kriminale se thjesht ekonomike, pasi është uzurpim i pronës privatë, por mjafton edhe vetë efekti ekonomik i saj këtë muaj si hyrje në një spirale pasigurie.

Për të qenë i sigurt për këtë kolaps, Edi Rama nuk mori përsipër asnjë detyrim për të kompensuar qiradhënësit për qiratë e munguara, por bëri hazër kërcënimin me gjobë pesëfish për këdo që guxon të marrë qiranë sipas kushtetutës dhe ligjit. Paratë që do të kursejë nga anullimi i prokurimeve dhe përgjysmimi i pagave ai nuk t’i përdorë për të mbështetur grupet shoqërore më të goditura, por siç duket do t’i mbajë për vete që të sigurojë pagesën e PPP-ve të kota, duke treguar kështu se ndaj oligarkëve konçesionarë ai ka detyrime.

Në të gjithë vendet që kanë ndjekur rrugën e karantinimit për shkak të epidemisë, miliona njerëz kanë humbur vendet e punës. Vendi ynë nuk ka raportuar ende se sa shqiptarë kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të mbylljes së aktivitetit tregtar të shumicës absolute të sipërmarrjeve. Megjithatë dihet se një pjesë e madhe e të punësuarve në kompanitë privatë të mbyllura pas datës 9 mars e kanë humbur tashmë vendin e punës.

Të vetëpunësuarit apo të punësuarit në dyqane, restorante, hotele dhe catering, transportin e pasagjerëve, tregëtinë e karburanteve etj do të marrin këtë muaj vetëm 1/4 ose 1/3 e pagës. Për muajin prill shumica prej tyre do të kenë humbur vendin e punës dhe nuk do të paguhen nga punëmarrësit e tyre. Pagat minimale të premtuara nga qeveria pritet të japin efektin e tyre të zbehtë vetëm në maj, pasi akti normativ që përligj këtë premtim nuk hyri në fuqi për marsin.

Rritja e shitjeve në kategorinë e produkteve ushqimore e shkaktuar nga krijimi i rezervave ushqimore në javët e para do të pasohet nga një rënie e shitjeve në vijim për shkak të reduktimit të ndjeshëm të të ardhurave për konsum. Një pjesë e madhe e familjeve që i sigurojnë të ardhurat nga dyqanet e shërbimeve dhe vetëpunësimi do të reduktojnë në masë blerjet e produkteve bazë për shkak të humbjes së 75% të shitjeve të marsit. Një efekt pozitiv mund të ndjehet në fillim të majit, nëse mbulimi i premtuar nga qeveria i pagës minimale për këtë kategori bëhet realitet dhe përmbushet në tërësi.

Ekonomia shqiptare ka humbur këto tre javë dhe do të vazhdojë të humbasë edhe gjatë muajit prill një vlerë biznesi që nuk do ta rikuperojë gjatë vitit. E thënë me një gjuhë më të thjeshtë, askush nuk do të blerë në maj apo në qershor rrobat dhe ushqimet që nuk bleu dot në mars apo në prill. Edhe një pjesë e shitjeve që vjen nga shfrytëzimi i ofertave sezonale, sidomos për turizëm brenda vendit, nuk do të kompensohen. Ashtu sikundër karburanti që nuk është shitur e nuk do të shitet gjatë periudhës së karantinës nuk do të konsumohet gjatë pjesës tjetër të vitit.

Vala e dytë e goditjes ndaj ekonomisë do të vijë në muajt në vijim pas anullimit të prokurimeve publike nga APP. Kontratat e punëve publike që do t’i mungojnë ekonomisë do të lënë më shumë shqiptarë të papunë dhe do të ulin kërkesën për materiale ndërtimi dhe mallra të ndryshme. Ngrirja e veprimtarisë së biznesit dhe gropa buxhetore që shkaktohet prej saj sjellin kështu valën e dytë të goditjes. Në këtë mënyrë vendi ka hyrë në një spirale varfërimi që mund të ndalet vetëm me rihapjen e njësive të biznesit.

Sa më e gjatë periudha e karantinimit, aq më shumë shqiptarë do të mbeten pa punë dhe më shumë familje do të zhyten në varfëri. Kësaj kategorie do t’i bashkëngjiten të gjithë ato familje që për shkak të mbylljes së dyqaneve dhe sipërmarrjeve të tyre të vogla mund të marrin një pagë minimale nga qeveria në maj. Një shtresë tjetër i shtohet ortekut të kaosit social nga qeveria: qiradhënësit, pronarë të dyqaneve dhe apartamenteve të dhëna me qira. Ata nuk do të marrin qiratë nga qiramarrësit dhe nuk do të kompensohen nga qeveria për qiranë e papaguar.

Të gjitha parashikimet optimiste pranojnë se produkti i përgjithshëm bruto i ekonomisë botërore do të rrudhet sivjet me 1.5%. Ky zvogëlim i normës së rritjes për vendet në zhvillim siç është Shqipëria do të jetë më i lartë. Vetë Ministria e Financave ka përgjysmuar parashikimin për normën e rritjes së ekonomisë nga 4 në 2%. Por me këto masa drastike, që nuk janë marrë askund në botë, ekonomia nuk ka asnjë logjikë të rritet, përkundrazi vetëm të tkurret.

Vendet që parashikojnë reduktimin e rritjes ekonomike me 1.5%, kanë planifikuar që të financojnë konsumin me paketa ndihme që arrijnë deri në 20% të produktit të brendshëm bruto. Paketa e ndihmës që ka ofruar qeveria është vetëm 0.3% e produktit të përgjithshëm. Prandaj ekonomia jonë nuk do të ketë rritje as për oligarkët këtë vit, sepse për shqiptarët e thjeshtë nuk ka patur rritje të të ardhurave në asnjë prej viteve të kësaj qeverie në pushtet. Me përgjysmimin e pagave të administratës, me hedhjen në erë të të ardhurave nga qiratë si një zë i rëndësishëm në produktin e brendshëm bruto, është shumë e lehtë të parashikohet se rënia ekonomike do të jetë e madhe.

Një sektor që po dëmtohet nga regjimi i izolimit është bujqësia. Fermerët janë prekur nga pasiguria për shitjet pasi varfërimi i përgjithshëm i popullsisë do të tkurrë kërkesën gjatë muajve të verës dhe vjeshtës kur të vilen prodhimet. Bllokimi i eksportit u ka mohuar fermerëve një pjesë të të ardhurave dhe i ka detyruar të ulin çmimet ne tregun vendas për të shitur mbifurnizimin me produkt bujqësor. Çmimet e disa produkteve bujqësore mund të mos mbulojnë kostot, duke çuar drejt falimentimit edhe ekonomitë familjare në fshat. Regjimi i Edi Ramës ka vetëm një plan për popullsinë që mbahet me këto të ardhura: planin e shtrëngimit të rripit se jemi në luftë.

Dërgesat nga emigrantët janë reduktuar ndjeshëm sepse shumica dërrmuese e diasporës shqiptare është e vendosur në vende që po aplikojnë distancimin social në mënyrë strikte. Gjatë kohës së karantinimit emigrantët e ligjshëm do të përfitojnë vetëm paketat e ndihmës nga qeveria ndërsa ato të paligjshëm nuk do të kenë asnjë të ardhur. Të afërmit e emigrantëve në Shqipëri kanë vetëm një premtim nga qeveria: të shijojnë vuajtjet e pasojave të një lufte të vërtetë.

Edi Rama nuk mund të akuzohet më se ai po gabon me ekonominë. Sepse ai po bën një krim. Me qëllim ai po këput të gjithë zinxhirët e shkëmbimeve ekonomike duke bllokuar paranë cash. Sot ai më shumë se kurrë e ka provuar se ai po vepron kështu me qëllim. Ai po bën çdo lëvizje që, ndonëse në kohë paqeje, shqiptarët të provojnë vuajtjet e një lufte të vërtetë. Ndërsa vetë, duke mos paguar asnjë çmim për të, po ndjek modelin e çdo tradhëtari në kohë lufte.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco