Lajmi i fundit

VIDEO e SKANDALIT/ Nuk i pëlqeu pyetja, Rama shtyn gazetaren e SYRI TV, Ambrozia Meta

Me ‘arrestimin’ e Ramës duhet të merren institucionet e shëndetit mendor, jo ato të drejtësisë

Me ‘arrestimin’ e Ramës duhet të merren institucionet e shëndetit mendor, jo ato të drejtësisë

Nga Gentian Gaba - 02/04/2020

Dërgimi i 30 mjekëve dhe infermierëve në shtetin fqinj u shndërrua në një mundësi të artë pi-ari për Ramën. Për njeriun që propagandën nuk e ka armën më të fortë, por të vetmen, minutat mediatike që krijoi ky gjest po përdoren për të mbushur hapsirën që do të duhej t’ia dedikonte gjendjes së rëndë ekonomike. Ndërkohë që uria rritet dhe frigoriferët zbrazen, oferta për qytetarët, të cilët në këtë kohë trajtohen si spektatorë, është telenovela e Ramës. Prandaj çdo intervistë apo koment që ka dhënë për mediat përtej Adriatikut, ndonëse në gjuhën italiane, synon të adresojë audiencën shqiptare.

Në njërën prej këtyre intervistave, për një gazetë sportive të Torinos, e cila në vendin tonë u publikua me titullin zhurmëmadh, jo pa shkak, “Edi Rama: Ja si më arrestuan në Itali…”, në një rrëfim në dukje të dëlirë, Rama tregon sesi u ndalua nga policia sepse kishte mbrojtur një grua në Bolonja. Një histori e padëgjuar, me të vetmin dëshmitar rrëfyesin e saj, e cila kishte për qëllim paralelizimin midis historisë së italianëve që shkonin si qytetarë të dorës së dytë në Amerikë dhe të shqiptarëve që kishin atëmot të njëjtin fat në Itali, që nuk mund të binte në vesh të shurdhët në Shqipëri.

Jo për heroizmin e pakënduar të Ramës, por për faktin se heronjtë e kronikës së zezë që ky i fundit ka futur në Parlament dhe bashki, kanë bërë që në Shqipëri të ketë një ligj enkas për të larguar nga politika personat e arrestuar dhe të dënuar. Për këtë arsye, në përputhje me sa parashikon ligji i ‘dekriminalizimit’, ish-deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylikbashi tërhoqi vëmendjen e opinionit publik mbi faktin se kryeministri, i cili ka vendosur kryqin mbi JO-në si përgjigje e pyetjes nëse ‘keni qenë ndonjëherë i arrestuar’, deklaron në një media të huaj se është arrestuar në Bolonja.

Vrik pas kërkesës së Bylykbashit për një sqarim publik nga Edi Rama, kryeministri, me shumë gjasë i qesëndisur nga zhurma e kurthit që kishte kapur prenë e synuar, cicëroi në Twitter si kapadai. Në thellimin që i bëri intervistës së dhënë për gazetën sportive, pasi fshikullon me gjuhë përçmuese kundërshtarin, rrëfen se ai në Bolonja nuk ishte një arrest, por një sherr me një polic, i nxitur nga ‘racizmi antishqiptar’ që Rama, në një ngjarje pa kohë dhe dëshmitarë, me demek po luftonte.

Një grackë e mirëmenduar për të futur kundërshtarin politik në një fushë beteje tjetër nga ajo e krizës së thellë ekonomike, e njerëzve të mbyllur pa bukë, pa punë dhe pa të drejta në shtëpi. Një goditje mediatike që jo vetëm zhvendos debatin, por njëkohësisht krijon narrativën e një Rame mbrojtës të grave dhe të drejtave të shqiptarëve të nëpërkëmbur nga racizmi.

Një goditje komunikimi që vjen si pasojë e pamundësisë për t’i dhënë përgjigje serioze një situate që do të vijë duke u përkeqësuar, nëpërmjet të cilës opinionit publik i kërkohet të mos mendojë sesi po qeveriset, por nga kush po qeveriset. Andaj, pas më shumë se dy dekada në politikë dhe shtatë vjet në pushtet, Ramës i lipset të sendërgjojë një imazh të ri simbolik, që të zëvendësojë atë real.

Një veprim që tiparet e vetme të ngjasisë i ka me ato të autokratëve narcizist, të cilët kërkojnë të rishkruajnë historinë, shpeshherë duke e bërë veten pjesë të saj dhe, ndonjëherë, duke krijuar vazhdimësi me figura të së shkuarës.

I tillë është krahasimi grotesk që Spiropali i bën Ramës me Skënderbeun, apo ai që po tentohet të kryhet nëpërmjet njehsimit të sforcuar me Ismail Qemalin, kur daljet në media kryhen përkrah portretit të ‘Babait të Kombit’; të cilit po i kopjon stilin, me shpresë që t’i rrëmbejë titullin. Në të njëjtën vazhdë ishte përpjekja e dështuar nëpërmjet Veliaj, për ta renditur Ramën ndër protagonistët e 8 dhjetorit 1990. Po ashtu, edhe roli që i ka dhënë vetes në episodin e gruas së panjohur në një aeroport të Italisë, me të cilin, ai që në ato kohë shkurante ‘Ina, Ina, hiqi brekët’, kërkon sot skeptrin e kalorësit të shqiptarisë.

Gjetje komunikimi që të lënë shijen e keqe të fatkeqësisë të së paturit një kryeministër, i cili në kohë emergjence kombëtare, merret me hilet e propagandës. Për të cilat, në kohë karantine, kur shëndeti mendor është po aq i rrezikuar sa ai fizik, të japin përshtypje se me deklaratat e Ramës mbi arrestimin e tij, nuk duhet të merren institucionet e drejtësisë, por ato të shëndetësisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ajo02/04/2020 17:23

Te lumte Z. Gaba!
Por keni harruar vetem dicka. Rama, sigurisht qe qellimin kryesor ka qe te zhvendoset vemendja nga problemet e verteta qe po kalon vendi i rrezikuar dyfish:nga koronavirusi dhe kollapsi i plote ekonomik. Sepse ai dhe qeveria e tij nuk po duan apo dijne si ta menaxhojne. Por mos harro se jo rastesisht, Rama na paska rrezikuar burgun ne mbrojtje te nje gruaje shqiptare SHTATZENE nga abuzimi dhe racizmi italian ne ato vite te pare post komuniste. E rastesishme? Aspak! Te gjitheve iu kujtohet historia shume e dhimbshme e Matilda Makocit dhe birit te saj, Gregorit. Abuzimi i Rames ndaj bashkeshortes se tij, turperimi publik qe i beri asaj dhe te atit te tij, mohimin e atesisise dhe kujdesit prinderor qe i beri te birit per mbi 10 vjet, sot ai kerkon ta fshije nga kujtesa publike duke na u shfaqur si hero. Dhe jo nje hero i zakonshem, por nje hero teper i ndjeshem ndaj nenave shtatzana, nderkohe qe realisht ne vitin qe pretendon heroizmin teksa mbronte nje nene shqiptare krejt te panjohur prej tij, ai as e kish idene se si ngjante biri i tij, a kishte ushqim te mjaftueshem per te jetuar, a i mungonte i jati, a i shkaktoi ndonje traume emocionale atij dhe nenes se tij? Po atit te tij? Rama ne ato vite jetonte jeten e lumtur ( apo te cartur? ) te nje bohemi, eksperimentonte me drogera, shijonte plazhet nudiste, kontrabandonte ikona te vjedhura (?) nga vendi i tij, apo shkruante dekadenca si ajo shemti : “ Ina, Ina, hiqi......”
O Zot, si mundet populli im vazhdon dhe duron ende nje monster te tille?

Shto koment

Denonco