ALARM! Ja kokëçarjet pas arritjes së ‘pikut’ dhe ‘optimizmit’ për të dalë nga kriza

ALARM! Ja kokëçarjet pas arritjes së ‘pikut’ dhe ‘optimizmit’ për të dalë nga kriza

Nga Kastriot Islami - 02/04/2020

Kudo në Europë po diskutohet/debatohet, duke thirrur ekspertët më të mirë dhe shkencëtarët më të shquar, me pyetjen: Çfarë duhet të bëjmë pas pandemisë?

Por shumë pyetje vijnë pas kësaj pyetje; madje shumica prej tyre duken retorike…

A mund të qëndrojmë pafundësisht në karantinë/izolim total? Natyrisht që përgjigja është JO. Pyetja më natyrale është: Edhe sa kohë do të qëndrojmë në këtë gjendje izolimi total? Cilat janë alternativat nëse dalim nga izolimi total? Sa të sigurt jemi që pandemia s’rikthehet nëse dalim nga izolimi total? Si dhe kur duhet të dalim apo do të dalim nga izolimi total? A do të mund të kthehemi në normalitetin e mëparshëm? Ç’do të thoshte normalitet pas pandemisë? Ose akoma më shkoqur: Si do të jenë jeta, shkolla, puna, e tjerë e tjerë në kushtet pas izolimit total?

Për të dhënë një përgjigje të saktë këtyre pyetjeve duket shumë e vështirë… Sepse paraprakisht duhet sqaruar se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj krize… dhe çfarë pasojash ka lënë kjo krizë për periudhën pas pandemisë

Së pari gjatë kësaj krize, ku në qendër ka qenë izolimi total apo karantina, është synuar të ulet përhapja e virusit ndonëse rreth 1 milion banorë në planet kanë rezultuar “pozitivë” dhe 50 mijë të vdekur.

Le të imagjinojmë se gjatë kësaj periudhe 6-mujore, 10 herë më shumë individë në planet janë prekur nga virusi; sepse ata ose kanë pasur simptoma të lehta ose nuk kanë pasur simptoma. Ndërkohë që popullsia e planetit është rreth 7,8 miliardë, atëherë do të rezultonte se vetëm rreth 1,25 individë për mijë kanë qenë të prekur nga Covid-19 në nivel planetar. Kjo shifër duket se është pak a shumë edhe për çdo vend. Kjo të shtyn të mendosh se popullsia e prekur nga virusi, që mund të ketë krijuar imunitet, është shumë e vogël.

Nga shpjegimet e epidemiologëve duhet që të prekej 50-70 përqind e popullsisë që të mund të krijohej “imuniteti kolektiv” apo që quhet ndryshe “imuniteti i masës/tufës”. Pra, jemi shumë larg kësaj gjendjeje. Kjo do të thotë se shoqëria s’ka mundësi të kthehet e sigurt në normalitet vetëm po t’i referohemi këtij parametri. Thënë ndryshe, nëse do të ktheheshim në normalitet, të gjithë ata që s’kanë qenë të prekur nga Covid-19, dhe ata janë rreth 99,9 përqind e popullsisë, do të prekeshin nga ky virus.

Së dyti shtrohet pyetja: Atëherë, si do të dalim, dhe kur, nga izolimi total? Por para se të përgjigjemi kësaj pyetjeje, bëhen disa pyetje të tjera.

Pra së treti: A mundet ekonomia të rezistojë dhe sa gjatë mund të rezistojë ajo pa u rrënuar në kushtet e izolimit total? A mundet buxheti, duke rritur borxhin, të shmangë rrënimin e ekonomisë në kushtet e izolimit total? Derisa mund të rritet borxhi? Dhe a mund të rritet ai pafundësisht? Përgjigjet duken evidente: borxhi nuk mund të rritet pafundësisht dhe ka një limit të rritjes së tij, përndryshe stabiliteti ekonomik do të rrezikohej rëndë. Për rrjedhojë ekonomia duket se nuk mund të rezistojë pafundësisht në kushtet e izolimit total, madje kohëqëndrimit në këto rrethana duket se po i vjen fundi…

Së katërti: Si do të mund të dilnim nga izolimi total për t’ju kthyer normalitetit? Një mënyrë do të ishte vaksinimi i popullsisë; por për të qenë realistë e të ndershëm me publikun, kjo duket një perspektivë e largët. Ka disa ekipe që punojnë në botën e zhvilluar dhe të gjithë pa përjashtim deklarojnë se kjo është një mundësi që ka gjasa të bëhet realitet vetëm pas 12-18 muajve. Pra, në periudhën nga sot deri pas 12-28 muajve shtrohen të njëjtat pyetje. Thënë më troç: as qytetarët dhe as ekonomia s’rezistojnë dot në kushtet e izolimit total edhe 12-18 muaj, pra edhe kjo nuk është një zgjidhje realiste për rikthim në normalitet.

Së pesti: A kanë epidemiologët ndonjë zgjidhje tjetër për të mundësuar rikthimin në normalitet? Teorikisht ekziston mundësia e prodhimit të medikamentit/medikamenteve që mund të përdoreshin për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Edhe në këtë aspekt perspektiva afatshkurtër duket e zymtë. Ekipet e shkencëtarëve po punojnë, por ende nuk ka një përgjigje pozitive dhe kjo duket relativisht e largët po të kemi parasysh urgjencën që kanë qytetarët dhe ekonomia për të dalë nga izolimi total. Pra edhe kjo mundësi duket e parealizueshme.

Së gjashti: a mund të riktheheshim në normalitet përmes krijimit të “imunitetit kolektiv”? Përgjigja teorike është pozitive. Por më lart shpjeguam se jemi shumë larg kësaj situate, për rrjedhojë nëse do të kalonim në normalitetin e para-pandemisë, atëherë në kushtet e mungesës së “imunitetit kolektiv” shanset janë shumë të mëdha të riktheheshim përsëri në pandemi.

Atëherë shtrohet pyetja: çfarë mbetet për të bërë? Pra nëse kemi arritur në këto përfundime: i) nuk qëndrojmë dot në izolim total sepse as qytetarët dhe as ekonomia nuk e suportojnë një gjendje të tillë. Ii) nuk rikthehemi dot në kushtet e normalitetit si më parë se ekziston rreziku i lartë i rikthimit në pandemi sepse imuniteti kolektiv nuk është siguruar dhe vaksina duket e largët për t’u bërë e aksesueshme nga qytetarët apo as medikamentet për trajtimin e sëmundjes nuk duken në horizont.

Në këto kushte, në vendet e zhvilluara po diskutohen në mjedise shkencëtarësh, profesionistësh të të gjithë fushave dhe vendimmarrësish politikë opsionet për t’i dhënë përgjigje pyetjes: Si dhe kur do të dilet nga rrethanat e izolimit total/karantinës? Si do të jetë jeta pas kësaj krize?

Janë sugjeruar disa opsione/skenarë, dy prej të cilave janë:

-Njëri quhet “stop and go”. Që do të thotë që thotë shoqëria rikthehet në normalitet për një farë kohe dhe pas një periudhë bie përsëri në pandemi. Pastaj përsëri rikthehet në normalitet e kështu më radhë derisa të gjendet ose vaksina, ose medikamenti për trajtimin e sëmundjes, ose deri sa të krijohet “imuniteti kolektiv”. Ky duket një opsion i “pranueshëm” në letër, por pothuajse i parealizueshëm në realitet dhe me shumë gjasa duket se do të refuzohet.

-Tjetri bazohet në një “përzierje qasjesh”; kjo do të thotë që do të ruhet izolimi, por jo plotësisht.

Ky ndryshe quhet opsioni i “izolimit të diferencuar dhe gradual”.

Në këtë rast do të duhej paraprakisht të kryhej një testim masiv i popullsisë për të përcaktuar se cilët individët kanë qenë të prekur nga Covid-19 dhe kanë krijuar imunitet. Në kushtet (ende të pasqaruara plotësisht) kur imuniteti i krijuar ruhet dhe vepron nëse ata ribien në kontakt me Covid-19, të gjithë personat që do të rezultonin nga testimi me imunitet mund t’i riktheheshin normalitetit. Në këtë rrethana do të përjashtoheshin përmes “diferencimit”, pra do të mbeteshin në kushtet e izolimit total apo pothuajse total të gjithë segmentet/grupet vunerabël të shoqërisë, personat me sëmundje kronike, mosha e tretë, e tjerë. Të tjerët do t’i “ktheheshin normalitetit të ri”, pra do të mund të rifillonin të jetonin e punonin në rrethanat e reja të përcaktuara nga rregulla të forta të mbrojtjes nga Covid-19.

Thënë ndryshe: duket se shoqëria duhet të përgatitet për të jetuar normalitetin e ri sepse rikthimi në normalitetin e para epidemisë duket pothuajse i pamundur, së paku në periudhën afatshkurtër.

Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen edhe për këtë situatë shumë të vështirë e komplekse të pas-pandemisë. Madje kjo duket më e komplikuar dhe më e vështirë se ajo e pandemisë. Për më tepër kjo nuk mund të përballohet me mashtrime e gënjeshtra dhe as më gjeste naive trimërie e heroizmi. As duke u marrë vendimet nga një individ i vetëm, kjo s’duhet të ndodhë e as duhet lejuar në asnjë rrethanë. Madje kjo vendimmarrje nuk duhet të lejohet të merret as nga ashtuquajtura shumicë e vetëgjykuar. Sepse në këtë rast bëhet fjalë për të marrë vendime do të thosha “mes jetës e vdekjes” për çdo individ, familje, prind apo fëmijë që ndodhet mes rrezikut të virusit dhe urisë, por edhe për të gjithë shoqërinë që ndodhet mes rreziqeve të pandemisë dhe të rrënimit ekonomik. Kudo këto vendime po gatuhen përmes debatesh dhe konsultimesh ku janë implikuar njerëzit më të aftë dhe më të mençur dhe përmes një transparencë maksimale është siguruar mbështetja dhe bashkëpunimi ekstrem i të gjithë qytetarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp02/04/2020 14:21

Ja pra, Profesor paska zgjidhje.Paska debate,konsultime dhe do meren vendime nga njerëzit më të aftë dhe më mënçur siç thoni Ju. U pritka edhe vaksina. Po ne budallenjt ta themi ndonji fjalë Profesor?. Do nisë jeta si zakonisht, apo do presim që dikush si dikur Ylli Bufi të jap mandatën 'edhe gjashtë ditë bukë kemi'. Cfarë vaksine?. Një lugë vaji ulliri në mëngjez dhe pak limon, mjalt,bulmet,mish, ushqim i shëndetshëm dhe pak stres, është vaksina më e mirë. Të gjitha këto i kemi një hap larg. I kemi neglizhuar dhe i kemi lënë pas dore
përjashto kohën kur Sali Berisha nxiti dhe investoj mbjelljen e drufrutorëve në rang vëndi, ashtu sikurse për një kohë më të gjate ngase do duhej 'sabotuam' zhvillimin e reformate të tjera në fushën e pronësisë. Revolucion në mentalitetin qeverisës për këdo,për mazhorancën sot dhe opozitën nesër, për të vënë në lëvizje ekonominë kombëtare, përkundër ngutjes për të marë pushtetin sot, nëpërmjet dështimit total të Edi Ramës.

Shto koment

Denonco