Do t’ia dalim, po si do të dalim?

Do t’ia dalim, po si do të dalim?

Nga Ndriçim Mehmeti - 29/03/2020

Përtej entuziazmit të mishëruar në shprehjen e famshme të Martin Luter Kingu, “Yes we can”, “po ne mundemi”, na duhet pak më tepër, të shohim pak më larg. Po ne mund t’ia dalim, por si do të dalim? Kjo është pikëpyetja e ngulur thellë në mendjen, problemi më kryesor, çështja më e rëndësishme dhe dilema  më e madhe. Quajeni si të doni, por duhet të merremi shumë aktivisht si me përballimin e situatës, ashtu edhe me atë që vjen pas asaj, që quhet dritë në fund të tunelit. Duke shpresuar se në vendin tonë të vogël dhe me shumë halle, nuk do të ngjasë skenari italian  apo spanjoll, duke uruar që me fillimin e verës t’i rikthemi jetës sonë të përditshme, pyetja që nga gërryen përbrenda është:

A do të jetë sadopak normale, rutina tonë e përditshme? Këtu besoj se tundim kokën të gjithë. Dikush mund të thotë me të drejtë, se “ne nuk dimë ku kemi kokën, ti na flet, çdo të bëhet për dy, tre muaj, tre vjet apo edhe për dekadat që vijnë pas”? Sigurisht që ne shpresojnë të kalojmë këtë kohë të vështirë, duke hedhur sytë nga eksperienca fatkeqe e fqinjëve, vullneti i palëkundur i stafit mjekësor për një shërbim cilësor në kushtet e Shqipërisë dhe duke u mbështetur tek bujaria e të huajve, për t’ia dalë mbanë. Por kjo nuk mjafton. Kur të dalim nga izolimi, karantinimi, masat shtrënguese, do të shohim se bota që ne njihnim nuk do të jetë ajo më e para. Sjellja jonë do të ndryshoj tërësisht, siç ka filluar të ndryshoj nga pak pa e kuptuar. Ne jemi bërë nervoz, bëjmë llogarinë e parave a do të dalin apo jo, po muajin tjetër si do t’ia bëjmë, po sikur të vazhdoj dhe dy muaj? Kjo është përllogaritje e mirë për ata që kanë njëfarë sigurie se do të kthehen në punë. Ndërsa për të tjerët që punojnë në fushën e shërbimeve, turizmit, perspektiva është edhe më e zymtë. Një pjesë e tyre e kanë humbur vendin e punës. Është naive të mendosh se turizmi do të vijoj të jetë ai që ishte më parë, ashtu sikurse edhe largimi nga Shqipëria, nuk është më një alternativë, kjo pasi fatkeqësia ka mbërthyer globin me të gjithë pasojat më të mundshme negative. Pra në pikëpamje ekonomike, do të shohim një shoqëri gjithnjë e më të varfër ekonomikisht.

Varfërisë ekonomike, do t’i shtohet varfëria shpirtërore. Në kushtet e mbylljes në shtëpi për familjet me të ardhura, ata që kanë humbur punën, që janë në pamundësi të paguajnë qiratë dhe faturat më bazike të muajit, gjendja shpirtërore, do të jetë po aq e varfër e ndoshta më e rënduar se gjendja ekonomike. Ata kanë humbur shpresën, nuk kanë mbështetje dhe nuk mund t’i gëzohen vetëm lirisë së lëvizjes pas kapërcimit të kësaj situate. E gjithë familja do të jetë në ankth. Prindërit për punën, fëmijët që nuk dinë se çfarë do të bëjnë. Viti mësimor ka marrë fund, maturantët janë në një situatë të paqartë, nëse bëhen ose jo provimet, çfarë do të ndodh me ata maturantë që akne aplikuar për jashtë vendit, a do t’i mirëpresin shtetet ku kanë aplikuar etj. Me një shqetësim në rritje janë studentët, ata që diplomohen, ata që janë në master, ata që presin të fillojnë praktikën profesionale, ata që do të marrin diplomën, që do të japin provimin për tu licencuar.

Mësuesit dhe pedagogët po bëjnë të pamundur të shpëtojnë çka munden, ndërkaq që ministrja e arsimit, është kthyer në zëdhënëse e zyrës së ankesave dhe nuk ka një paqartësi të theksuar edhe për ato që thotë vetë. Për të gjitha këto kategori nuk ka një plan, nuk ka një projeksion, që të mund të shuaj disa dilema e të jap pak shpresë. Po kaq të shqetësuar janë profesionet e lira, avokat, financier, pedagogë punonjës të stafit ndihmës në shkolla dhe universitet private, pasi nuk e dinë nëse do të rikthehen në vendin e punës, a do të ketë më nevojë për ta, a do të shkurtohet apo jo një pjesë e stafit?

Tensionet do të shoqërojnë kthimin tonë në jetën normale, duke luftuar me njëri-tjetrin se kush do të rri në punë, si do të bëhet për të gjetur një tjetër punë, kush e meriton të jetë në punë, pse zgjodhën atë dhe jo mua? Fuqia jonë blerëse do të bie,. Kushdo që do të mund të shtie në dorë pak lekë, do ti shpenzoj me shumë kursin në drejtin të ushqimit. Shkollimi i fëmijëve, argëtimi, pushimet, do të harrohen shumë shpjet. Qytetet do të jenë të shkreta ose gjysmë të shkreta pas mesditës, jo prej ndalimit të lëvizjes, por mungesës së mundësive dhe dëshirës, qoftë edhe për një shëtitje me familjen. Ne do të gjithë do të mendojmë, po sikur të përsëritet në vjeshtë apo dimër e njëjta situatë, si do t’ia bëjmë në palcë të dimrit?

Ka kaluar gati një muaj dhe ne ende nuk kemi një paketë të mirëfilltë financiaro-sociale. Miratohen një akt me ca miliona lek që trullos e shastis popullin, po si shprehen në ndihmë ndaj njerëzve e kategorive të ndryshme, askush nuk e di? Le të marrim pak shembuj, për të kuptuar përtej shifrave. Si do të paguajë kredinë, një individ në pamundësi ekonomike? Atij i duhet të shkojë në bankë, të bëj një kërkesë, të marri një vërtetim tek puna por që nuk gjen dot askënd t’ia jap sepse është mbyllur dhe të gjitha këto veprime, duhet të kryhen brenda 60 minutash?

Si do të bëhet me ata studentë të rinj, qytetarë të moshave të ndryshme, që kanë një shtëpi me qera dhe që të dy bashkëjetuesit janë pa punë? Kush do t’i mbështes? Kush kujdeset për fëmijët e një familje që kanë prindërit në krye të detyrës, në shërbim ndaj popullatës, apo i sheh Zoti dhe i mbron fëmijët? Kush do të marr ilaçet e përmuajshme të të sëmurëve kronikë? Si do të bëhet dializa për ata që jetojnë në zonat rurale dhe nuk kanë asnjë mundësi transporti? Çfarë do të ndodhi me fëmijët me paaftësi fizike dhe nevoja të veçanta, të cilët kanë nevojë të marri terapinë e duhur në kushtet e shtëpisë? Kush do ta garantoj atë ndërkohë që prindërit janë të izoluar dhe për më tepër në pamundësi ekonomike për të paguar këtë shërbim?

Këtë nuk na e thonë dot as telefonat e kryeministrit, as ofshama e tij se po e lodhin njerëzit kot, as kërcënimet për pensionistët e as mjekra e tij me foton e Ismail Qemalit në sfond, si për të na kujtuar sesa ngjajnë fizikisht. Ne kemi nevojë për të vërtetën, për më shumë shpresë, për tu njohur me një projekt për të ardhmen tonë, për të kuptuar se çfarë po përjetojmë dhe se çfarë na pret.

Nuk mund të bëhemi psikolog të vetes (ndonëse do të ishte mirë) pasi jo e gjithë popullata e ka këtë mundësi. Njerëzit gjithashtu nuk kanë shumë zgjedhje, për joga, ushtrime fizike në kushte e shtëpisë apo të gatuajnë ushqime të shëndetshme.  Është e padobishme, madje tallje të thias se po “ju arsimojmë sipas përvojës së ShBA dhe Britanisë së Madhe” dhe akoma më tepër, të shprehesh në delir, se “ne morëm masa më të shpejta se Italia”. Ne nuk ngjasim me asnjë prej këtyre shoqërive. Jemi të lodhur, tejet të stresuar, të zhvatur, të tallur nga mëngjesi në darkë, pa shtet, pa shpresë. Edhe në këto kushte, mund të mbledhim fuqitë e pakta që na kanë mbetur e të bërtasim: Ne mund t’ia dalim dhe të gjithë lusim Zotin dhe e urojmë me gjithë shpirt, por si do të dalim? E nesërmja është më e pasigurt se kurrë ndonjëherë, në shoqërinë tonë tejet të rraskapitur.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp29/03/2020 16:12

Përgjigja gjëndet te pyetja.Kujt ja pati borxh bota, futjen nën regjimin fashist të virusit?.A mos duhet të themi sot, se ishim më mirë kur ishim keq. Apo nesër të themi, rrofsh 'baba' që na mësove dhe 'babai' të na falënderoj që e dëgjuam. Pandemia nuk është një realitet, por një virus në kokën e politikanëve global. Aq sa mund të ndahet drita, e të studjohet veçmas si valë e si kuant, aq mund të ndahet virusi për tu studjuar nga mbartësi tij organizmi i gjallë, ku virusi ka 'shtëpinë' e tij. Paniku se mos nazistët e zbulonin bombën Atomike para të tjerëve, çoji në zbulimin e madh amerikan të bombës Atomike. Përdorimi si mjet shantazhi, vjedhja e pasurisë intelektuale, gara e armatimit, paniku se "shejtani i dal prej shishe" mund të bjer në duar të grupeve terrosiste dhe të regjimeve autokratike ekstremiste, shton në progresion gjeometrik panikun,devijon dhe vonon zbulime të tjera për të përfituar energji nga burime të tjera, ashtu sikurse ndodhi. Nëse vendimarrësit e botës G-7 apo G-20 do ti drejtoheshin përvojës ,llogjikës dhe të konkludonin mbi një thënie që atribohet si porosi e Zotit;"Mos bëni bashkë atë që unë e kam lënë të ndarë dhe mos ndani atë që unë e kam lënë bashkë" mund të ishim në situata krejt të ndryshme. COVID-19 është një grip i zakonshëm, që çfaqet si mysafir herë pas herë, sa për t'na kujtuar se nuk e kemi mundur. Mirpo armët tona janë'konvencionale',armët e tij, të pakuptushme e të pa deshifrushme.Armët tona 'konvencionale' mund të përsosen.Ushqim më i shëndetshëm, mbrojtje e mjedisit, punë që mos të kalojmë në obezitet(sëmundje e të pasurve), apo mos të vdesim urije për shkak të gjëndjes sociale(sëmundje e të varfërve) status që e gëzojnë 90% e popullsisë botërore. G-20 si lider i botës, duhet të ripërcaktojë përgjegjësitë e saj globale. Institucionet publike dhe popullata duhet ti kthehen normalitetit dhe natyralitetit.

Shto koment

Denonco