Presidenti francez formon Këshillin shkencor për COVID-19. Po Shqipëria?

Presidenti francez formon Këshillin shkencor për COVID-19. Po Shqipëria?

Nga Kastriot Islami - 25/03/2020

Në ndihmë të vendimarrjes së Presidentit dhe Kryeministrit të Francës është ngritur Këshilli Shkencor për koronavirusin. Të gjithë vendimet e marrë nga Presidenti e Kryeministri do të gjenerohen nga ky këshill shkencor.

Vendimet e marra nga Presidenti dhe Kryeministri do të jenë jo vetëm të bazuara shkencërisht por edhe transparente për publikun në mënyrë që qytetarët të kenë besim te masat e marra por edhe të mos jenë në panik e madje të kthehen bashkëpunëtorë për qëllimin e përbashkët, menaxhimin e suksesshëm të krizës sanitare të krijuar nga epidemia COVID-19.

Nuk bëhet fjalë aspak për ndonjë komitet klientelist manekinësh në shërbim të imazhit dhe interesave private të Presidentit apo Kryeministrit!

Këtë Këshill Shkencor prej 12 personalitetesh e drejton  Profesori 71-vjeçar Jean-François Delfraissy, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër SIDA-s. Ai ka drejtuar në 2015 Agjencinë Kombëtare të Kërkimeve për SIDA-n dhe hepatitin viral, kurse nga viti 2008 drejton Institutin e Imunologjisë, Inflamacionit, Infektologjisë dhe të Mikrobiologjisë. 

Në 2014 është angazhuar nga qeveria në luftën e provokuar nga virusi Ebola.  Në këtë këshill shkencor bëjnë pjesë:

Profesori Arnaud Fontanet, epidemiologjist në Institutin e famshëm Pasteur në drejtimin prej 20 vjetësh të Njësisë së Epidemiologjisë. 

Yazdan Yazdanpanah, Drejtor i Institutit të Imunologjisë, Inflamacionit, Infektologjisë dhe Mikrobiologjisë e ndërkohë Drejtor i Shërbimit të Sëmundjeve Infektive, Parazitare dhe Tropikale në spitalin Bichat të Parisit. Ai është gjithashtu ekspert i OBSH.

Denis Malvy, specialist i sëmundjeve tropikale dhe drejtues shërbimi në qëndrën spitalore të Universitetit të Bordosë.  

Bruno Lina, virolog, drejtor i Qëndrës Spitalore të Universitetit të Lionit që është një qëndër kombëtare për të sëmurët nga viruset që shkaktojnë infeksione të frymëmarrjes. 

Simon Cauchemez, modelues, punonjës shkencor në fushën e epidemiologjisë në Institutin Pasteur që nga viti 2013. Ky është i specializuar në fushën e modelimeve dhe të analizës së të dhënave epidemike. Në Institutin Pasteur, ai ka themeluar laboratorin e modelimeve matematike të sëmundjeve infektive dhe ka marrë pjesë në punimet për vlerësimin e përhapjes së gripit A9H1N1). Zika, Ebola dhe aktualisht është i angazhuar me analizën e të dhënave e modelimet për COVID-19.

Lia Bouadma, reanimatore dhe profesore në Spitalin Bichat të Parisit, më konkretisht në shërbimin e reanimacionit mjekësor të sëmundjeve infektive.

Pierre-Louis Druais, mjek gjeneralist dhe në vitin 2019 është emëruar Zv.President i Komsionit të Rekomandimeve pranë Autoritetit të Lartë të Shëndetit Publik.  

Laetitia Atlani_Duault, antropologe, drejtoreshë shkencore e fondacionit Shtëpia e Shkencave të Njeriut, dhe është thirrur për të bërë analiza dhe parashikuar reagimet e francezëve ndaj vendimeve të qeverisë.

Daniel Benamouziug, sociolog dhe që nga viti 2016 bashkëdrejton Institutin e Shëndetit publik të Aleancës për shkencat e jetës dhe shëndetit.

Didier Raoult, profesor në Institutin Spitalor Universitar të Marsejës. Ai është bërë shumë i njohur këto ditë (është përmendur në konferencën për shtyp edhe nga Donald Trump), si një nga mbështetësit kryesorë të përdorimit të Hydroxychloroquinës për mjekimin e COVID-19 ndërkohë që debatet shkencore për këtë çështje vazhdojnë shumë të gjalla në mjediset shkencore franceze.

I përmenda të gjitha këto për të treguar se këshillat shkencore bëhen prezente nga 11 personalitete shkencore të shquara nga të gjitha fushat e sektorët që nevojiten për të menaxhuar me sukses këtë krizë sanitare. Për më tepër që këshillat e tyre do të jenë jo vetëm rezultat i debateve profesionale e shkencore por edhe transparencën për publikun.

Presidenti e Kryeministri kanë deklaruar se cdo vendim do të merret prej tyre vetëm mbi bazën e sugjerimeve të këtij Këshilli.  Kështu funksionon vendimarrja në Francë, edhe në këtë periudhë të vështirë të një krize të paprecedentë.

Ndërkohë që në Shqipëri, vendimet politike janë në mungesë të plotë transparence dhe shiten si gjoja të konsultuara nga një komitet që duket qartas se është pjellë e mentalitetit klientelist e autoritar, injorancës dhe paaftësisë. Për më tepër të gjithë vendimet duket se merren jo vetëm nga një individ por ato mbahen sekrete e bëhen të ditura vetëm në një rreth të mbyllur.

Shqipëria është e shumë e rrezikuar jo vetëm se ka një sistem shëndetësor të brishtë e pothuajse në agoni të plotë por edhe në këtë aspekt të venmdimarrjeve në këtë periudhë krize të paprecedentë. Për rrjedhojë shqiptarët në shumicë të shqetësuar e jo pak prej tyre në panik e stres nuk mund të jenë bashkëpunëtorë të vendimeve aprofesionale e të pakonsultuara shkencërisht dhe të prodhuara nga një makineri injorance totale me mentalitet klientelist e të bazuara në sjellje autoritare e në mungesë të plotë transparence.  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

kuti 25/03/2020 14:52

Poshte dobiçete Shqiperise!

Shto koment

Denonco