Zgjidhjet me kërcënim të Ramës përballë propozimeve 'jopolitike' të Bashës

Zgjidhjet me kërcënim të Ramës përballë propozimeve 'jopolitike' të Bashës

Nga Fitim Zekthi - 24/03/2020

Në verë të vitit 1991 kur shqiptarët iu turrën trageteve masivisht për të ikur në Itali, televizionet italiane transmetuan, mes të tjerash, edhe pamje të një refugjati shqiptar që mbante në dorë një qese ku kishte brenda një copë bukë dhe një kokërr domate.

Refugjati shqiptar i ngriti ato lart para kamerave duke thënë se kjo ishte pasuria e vetme e atij nga ndërtimi pune në “ndërtimin e socializmit.”

Ndërkohë një vit me herët, si përgjigje ndaj 2 korrikut ku shqiptarët në Tiranë iu turrën dyerve të ambasadave në një akt të madh sfidues, Partia e Punës kishte zhvilluar një miting të madh në Tiranë.

Në atë miting foli Xhelil Gjoni. Ai i quajti ata që hynë në ambasada rrugaçë, njerëz të dënuar për vjedhje dhe krime të rëndomta, huliganë, adoleshentë të mashtruar, tradhtarë dhe pjesëtarë të familjeve reaksionare.

Xhelil Gjoni tha se Partia e Punës ishte e fortë, se ajo do të vazhdonte ndërtimin e socializmit, se do të duheshin disa sakrifica në ekonomi (nuk tha bar do hamë por u nënkuptua), se ajo do ta fitonte luftën me tradhtarët dhe huliganët, se ekonomia do të zhvillohej dhe ecte përpara etj.

Ishte e qartë se qeverisja e Partisë së Punës kishte dështuar plotësisht, ishte e qartë se ekonomia kishte vdekur, ishte e qartë se njerëzit ishin në mjerim dhe të dëshpëruar dhe nuk i besonin më në asgjë atyre që thoshte Xhelil Gjoni.

Këto ditë që vendi ynë po përballet me pandeminë e koronavirusit e cila rrezikon rëndë shëndetin, ekonominë dhe të ardhmen e vendit, mënyra se si kryeministri Edi Rama po përpiqet të përballojë krizën ngjan në shumë aspekte me mënyrën se si qeverisja komuniste dhe lidershipi i saj u përpoqën të qeverisnin vendin në vitin 1990-1991.

Kjo krizë e poshtër e pandemisë gjen një Shqipëri të mjeruar, një Shqipëri e cila ka marrë para borxh deri edhe për të paguar rrogat e sektorit publik, gjen një Shqipëri ku numri i të varfërve është shumë i lartë, gjen një Shqipëri ku paratë publike që janë destinuar për investime në një pjesë të madhe të tyre shkojnë për konçesione të cilat nuk duket se kanë ndikuar ndopak në rritjen ekonomike të vendit veç faktit që janë të dyshimta dhe subjekt i hetimeve nga prokuroria.

Një masë shqiptarësh janë bash si ai refugjati që ngriti lart qesen me një copë bukë dhe një domate në portin e Brindisit në vitin 1991. Nga vendi këto vite kanë ikur shumë e shumë njerëz, shumë profesionistë sidomos mjekë dhe infermierë.

Në një gjendje të tillë ekonomike, pa para ose me shumë pak para , kryeministri nuk po arrin as fare të sillet dhe flasë në terma të ndryshme nga fjalimi i Xhelil Gjonit.

Ndryshe është koha e pamatshme me të cilën Rama iu drejtohet shqiptarëve dhe metaforat që janë më të shumta dhe padyshim më luftarake se sa ato të Xhelil Gjonit.

Gjithashtu elaborimi apo shtjellimi është më i detajuar, më i kujdedshëm, më interpretativ etj. Kryeministri del përditë në televizione, madje edhe disa herë në ditë, dhe flet me minuta të tëra.

Më konkretisht tek mënyra se si Rama po e udhëheq vendin dhe gjuha me të cilin ai përcjellë mesazhet dhe ushtron qeverisjen në këtë kohë të tmerrshme vihen re dy aspekte (të cilat në një formë tjetër i gjejmë tek Xhelil Gjoni).

I pari ka të bëjë me mënyrën se si Rama përpiqet të imponojë tek popullata domosdoshmërinë, padyshim të madhe, për të qëndruar në shtëpi, për të bërë të mundur me çdo kusht ngadalësimin e përhapjes së virusit nga njerëzit.

Sigurisht që njerëzit duhet të rrinë në shtëpi, të rrinë larg njëri tjetrit kur dalin ne nevojat bazike etj. Shkurt të ndjekin çdo këshillë të mjekëve.

Tek ky aspekt i parë kryeministri i ka mëshuar si askush në botë kërcënimit të popullatës. Ai publikon video me arkivole nga Bergamo, video të cilat vetë kryeministri italian Giuseppe Conte nuk i publikon.

Kryeministri Rama publikon pamje të makinave të ushtrisë në Itali që bartin arkivole, publikon njerëz të shtrirë në spitale që marrin frymë me ventilatorë, njerëz që vdesin.

Kryeministri flet më shumë se askush për luftë, për një armik të padukshëm që nuk bombardon por sulmon trupat njerëzorë, për një luftë në të cilën ne mund të rrethohemi nga të vdekur, për një luftë në të cilën ne mund të humbin të afërm, shumë të afërm në qoftë se nuk rrimë mbyllur.

Rama ka thënë se ata që thyejnë rregullat janë tradhtarë, se duhen mallkuar, se kritikët nuk dinë ç’bëjnë, se opozita është një problem, është në gjumë, është dashakeqe, armike.

Opozita ka qenë pjesë e sulmeve të përditshme të Ramës. Rama ka folur madje edhe për një situatë imagjinare apokaliptike, një skenar C, në të cilën mund të humbte edhe komunikimi në botë …etj.

Këtë gjuhë nuk e përdor askush ndonëse presidenti Trump, kryeministri Conte, presidenti Macron e kanë përdorur fjalën luftë. Ata kanë thënë që kjo është një luftë por kaq.

Askush nuk ka kërcënuar me arkivole dhe me pamje njerëzish të shtrirë në spitale apo që janë duke marrë frymë me ventilatorë.

As ka ndodhur kurrë dhe as mendohet që ta bëjë këtë gjë Trump, kancelarja Merkel, Mitsotaqis, Johnson apo Sanchez.

Pse e përdor Rama këtë gjuhë? Ai në një farë mënyre është i detyruar ta bëjë.

Ai e di se Shqipëria që ai drejtoi për katër vite, ajo Shqipëri të cilën ai tha se do ta Rilindte, është mjerë dhe e vjedhur, e varfër dhe e pafuqishme.

Ai e di se kriza e pandemisë nuk njeh propagandë dhe rrëzon çdo dokërr të krijuar në këto shtatë. Duhen para, duhen mjete spitalore dhe mjekësore. Këto nuk bëhen dot në 3D. Njerëzit do të fillojnë irritimin, zemërimin dhe do të bëjnë përgjegjës kryeministrin për mungesat e mëdha në përballimin e krizës e pandemisë dhe sidomos për krizën ekonomike që vjen shumë shpejt.

Atëherë gjëja e vetme që mund të bëhet është shndërrimi i krizës së koronavirusit në diçka të lebetishme, që nuk përballohet nga qeveria, që nuk ka forcë njerëzore që e përballon, që ka shkaktuar ploja të vërteta me të vdekur në Itali, që ka shkaktuar mbushjen e kishave dhe makinave të ushtrisë me arkivole.

Duke qenë një gjendje kaq e papërballueshme dhe kaq e tmerrshme atëherë askush nuk mund të mendojë dhe as nuk duhet të mendojë nëse ka apo jo përgjegjësi kryeministri. Të gjithë duhet të ndjekin atë.

Në të vërtetë në kohë krizash të tilla të mëdha kryeministri duhet ndjekur nga të gjithë. Por që të ndodhë kjo, ai, lideri, duhet siç thoshte presidenti amerikan Calvin Coolidge, të jetë i vërtetë.

Që të jetë i tillë duhet të jetë i përunjur, të jetë larg nga epshi dhe dashuria e verbër për pushtet. Qeveria, thotë Coolidge, duhet të jetë e madhe në dije dhe edhe më e madhe në përunjësi. Qeveria duhet të jetë e madhe në drejtësi por edhe më e madhe në dhembshuri.

Është e qartë se Rama jo vetëm që nuk është i vërtetë dhe i përunjur por shan dhe kërcënon, jo vetëm që nuk është i madh në “dije” por duket i madh në mburravecëri, në shpoti, në epshin për pushtet.

Aspekti i dytë ka të bëjë me masat që ka marrë qeveria Rama për përballimin e kësaj gjendjeje, sidomos të krizës ekonomike. Ky aspekt i dytë sigurisht që i lidhur apo gati i nënvendosur të parit.

Rama kur iu drejtua shqiptarëve për masat ekonomike për krizën mbajti një fjalim më solemn se sa daljet e përditshme para bibliotekës apo faqes së murit. A foli nga zyra dhe foli në orët e mbrëmjes dhe iu drejtua si të thuash kombit.

Fjalime të tilla, ose adresime të tilla ndaj kombeve apo qytetarëve të tyre kanë mbajtur edhe Trump, Merkel, Macron, Johnson, Konte etj etj. Është normale në situata të tilla.

Presidenti Trump foli nga zyra ovale. Kjo është diçka që bëhet rrallë. Në 8 vite presidenti Bush foli 6 herë (ishte lufta, 11 shtatori etj), Obama tre herë. Ky ishte fjalimi i dytë i Trump. Ai foli 9 minuta e 30 sekonda. Foli për pandeminë, për rrezikun e madh, për ekonominë, paraqiti planin e masave, shpenzimet dhe ndihmën e qeverisë, kërkoi unitet. Ai tha se do të shpenzohen 1,2 trilionë dollarë për të ndihmuar njerëzit.

Kancelarja Merkel iu drejtua edhe ajo gjermanëve në një fjalim të tillë ku kërkoi bashkim të të gjithëve, paraqiti masat për pandeminë dhe ndihmën qeveritare. Ajo foli 12 min e 40 sekonda. Plani i saj përfshinte rreth 500 miliardë euro.

Kryeministri Johnson iu drejtua kombit me një fjalim prej 3 min e 20 sekondash. Plani ishte rreth 350 miliardë paund ndonëse ai tha se plani nuk ka limit.

Kryeministsri Rama foli për 28 e minuta e gjysmë. Në një fjalim të gjatë, të mbushur me metafora lufte, armiqsh të padukshëm që hyjnë në gjak, të mbushur me shpjegime se si rritet dhe infekton virusi, se si thellohet pandemia, se si bëhet buxheti dhe se si mblidhen të ardhurat.

Fjalimi ishte i mbushur me sulme për opozitën, të mbushur me përdëllime për njerëzit. Ai tha se plani tij do të ndihmonte njerëzit dhe bizneset, Ministrinë e Shëndetësisë dhe spitalet me 120 milionë euro përkrah të të cilave do të vendosej edhe një garanci prej 200 milionë eurosh që bizneset të marrin kredi dhe të mbijetojnë në këtë krizë.

Kryeministri e quajti një plan i kujdesshëm, i studiuar, që nuk kërkon të shkatërrojë Shqipërinë si ai që propozon opozita.

Në fakt plani, i cili deri më tani nuk ka detajuar shumë gjëra, nuk mund të jetë asgjë më shumë se sa një grimë e tillë. Ai për 28 minuta e gjysmë se kërkoi t’i bindë dhe terrorizojë shqiptarët, se mendon se ka aftësinë ta bëjë këtë gjë dhe të shpikë apo rishpikë veten në situata nga më të ndryshmet.

Qeverisja e tij ka me të vërtetë kaq pak mundësi. Kështu si e ka qeverisur ai vendin dhe ingranazhet politike në të cilat ai është futur nuk lejojnë asgjë më shumë.

Ai nuk mund të ndërpresë shumë shpenzime në konçesione, ai nuk mund të bëjë ndryshime bazike në buxhet në mënyrë që i gjithë ai të ketë në fokus pandeminë dhe krizën e saj ekonomike. Rama është viktimë ose ka ngecur në mekanizimin e tij ekonomik dhe në modelin e tij qeverisës.

Ky mekanizëm ekonomik ose ky model qeverisës i ka pjesë të tijën konçesionet, bashkëpunimin ose kanalizimin e pjesës kryesore të parasë publike në pak duar siç ka pjesë të tijën bashkëpunimin me njerëz që vijnë nga bota e krimit, shkatërrimin e demokracisë, uzurpimin e pushteteve dhe kapjen e institucioneve.

Ky mekanizëm ekonomik dhe ky model qeverisës për fat të keq ka vetëm një synim, pushtetin, marrjen e një mandati tjetër të tretë, marrjen e një tjetri të katërt, të pestë e kështu me radhë.

Në kokën e Ramës dhe të mekanizmit ku gjendet ai vjen vërdallë vetëm një disk, vetëm disku i mbajtjes me çdo kusht të pushtetit. Në këtë humbellë është Rama prandaj ai nuk ka fuqi për zgjidhje tjetër.

Opozita ka meritën se ka shërbyer duke bërë propozime të vlefshme dhe njëherazi duke mos u përfshirë në luftën politike të ulët që karakterizon politikën tonë.

Propozimet e PD-së dhe Bashës kanë pasur ndikim, kanë thënë të vërteta të rëndësishme, kanë mbajtur përgjegjës Ramën dhe kanë bërë që ai në një mënyrë apo një tjetër të reagojë duke marrë disa nga këto propozime.

Kryeministri paralelisht, nga pafuqia e tij, edhe e ka sulmuar opozitën dhe Bashën, madje ironizuar, fyer apo tallur, por e vërteta është se njerëzit i njohin me kohë këto sulme dhe këto fyerje.

Gjendja e tyre reflekton atë që thotë opozita. Zgjidhjet që jep opozita fokusohen tek rezultati, tek lehtësimi i krizës.

Ato mund të mos jenë më të shkëlqyerat por janë dukshëm më të drejtat. Zgjidhjet që jep Rama fokuson tek procesi, tek propaganda, tek manipulimi i mendjeve të njerëzve dhe tek fajësimi i armikut, i opozitës.

Dallimi mes liderit dhe politikanit të keq është se politikani i keq fokusohet tek procesi dhe lideri tek rezultati.

Gjatë fjalimit 28 minutësh, për ta paraqitur sa më të tmerrshme situatën Rama përmendi presidentin amerikan Lindon Johnon i cili kur lajmëroi amerikanët për vrasjen e Bob Kennedy-it, tha se “gjendej në një detyrë, në një pozicion që nuk do të donte kurrë të ishte”. Pra edhe Rama ishte në një detyrë dhe një pozicion aq të vështirë në këtë krizë të thellë pandemie dhe lufte sa nuk do donte të ishte.
Kriza jonë e tanishme mund të ketë një zgjidhje pikërisht tek shembulli i Johnson-it.

Kur presidenti Johnson njoftoi për vrasjen e Bob Kennedy-it në qershor të vitit 1968, ai kishte dy muaj që kishte lajmëruar se nuk do të kandidonte më për president të SHBA. Ai ishte vit zgjedhor dhe Johnson, ndryshe nga Rama, ishte dominues në të gjitha sondazhet.

Ai tha se nuk do të kandidonte më se tërhiqej nga kandidimi sepse lufta në Vietnam ishte kthyer në makth dhe krizë për Amerikën dhe ai nuk donte që presidenti të zhytej në debatet politike të SHBA. Johnson tha se do të fokusohej vetëm tek Vietnami dhe nuk do të merrej me politikë të ditës në SHBA.

Në qoftë se Rama vërtet e ka lexuar Johnson-in dhe e çmon atë që ai ka bërë atëherë le të drejtojë qeverinë larg nga epshi i tij për pushtet dhe për mandate të reja qeveritare, të dalë nga mekanizmi apo modeli qeverisës me koncesione dhe bashkëpunim me krimin duke lajmëruar moskandidimin e tij dhe të lërë Majkon, Xhafajn, Veliajn apo Ahmetajn si kandidatë për kryeministra.

Gjëja e vetme që duhet të bëjë Rama është që në këtë kohë krize të lërë anash luftën politike, modelin qeverisës dhe mekanizmin që ka në kokë vetëm diskun e pushtetit, të mandateve, të treta, të katërta, të pesta.

Ai këtë nuk e bën kurrë por të paktën të ndalë vetëm tani në krizë funksionimin e këtij mekanizmi ekonomiko politik të ngritur nga epshi për pushtet në të cilin është zhytur me vetëdije dhe dashje.

Rama duhet që minimumi të bëjë atë që po bën opozita.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco