Oligarkia konçesionare: Kuletën, pastaj edhe jetën

Oligarkia konçesionare: Kuletën, pastaj edhe jetën

Nga Vehap Kola - 22/03/2020

Kjo është luftë – thotë Edi Rama. Në këtë luftë të shpallur prej tij të gjithë shqiptarët janë ushtarë dhe ai është komandanti i tyre. Në vend që të dalin në front, ushtarëve të Edi Ramës u duhet të mbyllen në shtëpitë e tyre dhe të mos lëvizin që andej pa lejen e tij. Si në një luftë klasike, kushdo që thyen urdhërat shpallet tradhëtar dhe ndëshkohet rreptë. Dhe ndryshe nga çdo luftë klasike, heroizmi më i madh është t’i ikësh vdekjes duke u mbledhur kruspull, jo të rendësh drejt saj pa t’u dridhur qerpiku.

Në këtë luftë jemi vetëm – thotë Edi Rama. Europa, Amerika, Turqia, dhe institucionet bankare që na ndihmuan për të rimarrë veten pas tërmetit, kësaj here nuk na ndihmojnë dot. Përtej Edi Ramës, shqiptarëve dhe donatorëve të huaj, në skenën e regjimit nuk ka asnjë aktor tjetër. Madje, edhe buxheti – në këtë rast si një xhep i Edi Ramës – nuk na ndihmon dot.

Po ku janë oligarkët konçesionarë? Konçesionarë, sepse nuk synohen këtu të pasurit, por ata që pasurohen në një mënyrë kancerogjene duke përpirë paratë publike me skemat korruptive PPP. Skemat PPP të qeverisë Rama u japin oligarkëve konçesionarë çdo vit 120 milion dollarë fonde nga financat publike. Deri në vitin 2032, oligarkët konçesionarë do të marrin 2 miliard dollarë nga buxheti. 240 milion dollarë të tjerë do t’u paguhen atyre për shkak të kontratave të dobëta që ka hartuar administrata e Rilindjes. Për t’i shtuar dhimbjes turp, 5 prej këtyre kontratave janë PPP në shëndetësi.

Pakkush e kishte menduar se batërdia që bënte mbi buxhetin gjerdani i konçesioneve për oligarkët do të na linte në pikë të hallit në ditën tonë më të keqe. Më e keqja që llogarisnim ishte se me këtë strukturë të borxhit dhe me transferimin e një llokme kaq të madhe të buxhetit në skema fiktive PPP, rrotacioni politik po e humbiste rëndësinë. Çfarë hajri do të kishte nga rrëzimi i Ramës nga pushteti kur ai do të kishte në dorë de facto frerët e financave publike? Po të shtohej këtu kontrolli i plotë mbi institucionet e reja të drejtësisë dhe zhytja e vendit në borxh, rrallëkush do të donte të merrte pushtetin.

Por më të keqen nuk e paskemi çuar nëpërmend. I kaparuar i tëri për llogaritë e oligarkëve konçesionarë, buxheti i shtetit shqiptar nuk ka asgjë për qytetarët e tij edhe kur ai duhet të blejë kite testimi për praninë e koronavirusit apo respiratorë për t’i mbajtur në jetë të prekurit prej sëmundjes. Si të mos mjaftojë kjo, qeveria Rama dhe oborri i saj konçesionar nuk kanë ndërmend të prekin asnjë grosh nga 120 milion dollarët që kanë taksur për vete edhe sikur shqiptarët të mbushin palestrat dhe pallatet e sportit, siç paralajmëroi Edi Rama dy ditë më parë.

Pra, me akull të mendjes, Rama dhe oligarkia e tij konçesionare, pasi na zbrazën kuletën janë tani të përgatitur të na marrin dhe jetën, siç kërcënon e paralajmëron tradhëtarët e divanëve vetë i pari i qeverisë, por jo të vënë dorë mbi projeksionët e tyre financiarisht të majme. Skemat PPP nxjerrin kështu një tipar të tyre thelbësor që i shoqëronte që në gjenezë të tyre: ato janë skema kriminale të zhvatjes së financave publike me një formalitet në dukje ligjor. Natyra e tyre kriminale shpaloset më mirë se kurdo në ngulmimin e tyre për të mos u prekur nga sëmundja.
Shqiptarët e thjeshtë duhet të heqin dorë, me hir a me pahir, nga çdo përpjekje për të fituar bukën e tyre të përditshme dhe nëse nuk e bëjnë këtë rrezikojnë të ndëshkohen me gjoba, shkopinj gome e gaz lotsjellës. Përveç se do t’i rrahë si në videot që poston në profilin e tij, Edi Rama mund edhe t’u ndërpresë ilaçet kur shkelësit e karantinës janë pensionistë që përfitojnë nga rimbursimi. Vetëm konçensionet e oligarkëve të oborrit të tij nuk pësojnë asgjë nga kjo “luftë”.

Tani përfytyroni pak një luftë reale, nga ajo ku njerëzit dalin nga shtëpitë dhe rendin drejt vdekjes për t’u mbrojtur nga një armik që është jashtë nesh dhe përtej nesh. Ndoshta fati ynë i keq do ta donte që këtë luftë ta drejtonte Edi Rama dhe kushdo do të kishte të drejtë të ishte shumë dyshues ndaj çdo garancie se vetë Rama nuk do të ishte tradhëtari më i madh në një luftë të tillë. Si? Duke mos ua prishur rehatinë oligarkëve të tij konçesionarë dhe duke ftuar fukarenjtë taksapagues të paguajnë për herë të dytë taksën për pasaportën shqiptare, por këtë herë me gjakun e tyre.

Në fakt, kjo tashmë ka ndodhur. Oligarkia konçesionare e Edi Ramës nuk ka dalë në luftë dhe na ka lënë të paarmatosur përballë sëmundjes. Jo vetëm kaq, por ajo vazhdon e qetë operacionin e shterrjes së buxhetit, apo çarmatosjes së shqiptarëve. Sepse anëtarët e këtij klubi të mbyllur nuk e kanë konsideruar asnjëherë Shqipërinë si vendin e tyre, por si një hambar i huaj ku mund të vjedhin sa munden dhe t’i vënë flakën asaj që nuk mund të vjedhin.

Sot që kuptojmë më mirë se kurrë se çfarë krimi është bërë mbi shqiptarët dhe të ardhmen e vendit me këto skema zullumi, na lind e drejta që të kërkojmë nga opozita që jo vetëm të premtojë anullimin e tyre kur të vijë në pushtet, por edhe të japë shenja që s’lënë asnjë ekuivok se ata që i gatuan dhe përfituan prej tyre do të dënohen rëndë. Tradhëtia e vërtetë ndaj atdheut është ky paaftësim total i vendit për t’iu përgjigjur kërkesës më bazike të qytetarëve: kërkesës për të vazhduar jetën. Ditën që këto shenja të vërteta të bëhen të qarta, vetë oligarkët konçesionarë nuk do të guxojnë të kërkojnë më konçesione.

Opozita duhet t’u kërkojë shqiptarëve mandat për t’i dënuar gjithë këto krime si tradhëti e lartë ndaj atdheut dhe cënim i sigurisë kombëtare. Vetëm anullimi i skemave PPP të qeverisë Rama dhe dënimi i palëve përfituese nuk mjafton. Sekuestrimi i pasurive të të gjithë njerëzve të lidhur me këto skema mund të korrigjojë një pjesë të zullumeve që u janë bërë shqiptarëve nga regjimi Rama-Veliaj dhe oligarkia e tyre konçesionare. Sigurisht, nëse deri atëherë ata që na boshatisën kuletën, nuk do të na kenë marrë edhe jetën.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari22/03/2020 15:44

Pavaresisht kesaj situate tragjike qe vendi dhe populli yne po kalon per shkak te kesaj pandemie vdekje prurese une mendoj qe: Te gjithe duhet te ngrihemi pavaresisht riskut te zhdukim nga faqja e dheut kete felliqesire qe kemi per km bashke me oligarket skuthe qe nuk bezajne ne keto momente tragjike per popullin tone. Askush prej tyre nuk thote qofte dhe nje fjale apo te dale publikisht dhe te pranoje anullimin e koncensioneve. Sa te vegjel jane. Nuk e kuptojne perkohshmerine ne kete bote. Turpi i mbulofte ne kete jete dhe ne jeten e pertejme.

t22/03/2020 14:26

Nje e vertete jo e hidhur por therése deri ne kocka.Eshte nje plan i menduar mire nga vampiri rama ,oligarket shushunja dhe soros.
Por kush do merret me anullimin,qe nuk ka per te qene e veshtire ligjerisht sepse te gjitha jane te korruptuara duke u shkelur ligjet e konkurences,por e veshtire per ata qe do vine ne pushtet pasi te rrezohet rama.Sepse, siç thote autori ,jo vetem te anullohen, te denohen rende ,por edhe tu sekuestrohet pasuria e pefituar nga ppp sepse me te vertete kane bere tradheti ndaj atdheut dhe kane cenuar sigurine kombetare.Por fatkeqesisht kjo opozite sot,edhe sikur tja kerkojme apo tja veme kusht themelor per voten,nuk te jep shprese se do ta beje kete gje.Sepse :
1-ka indicie qe ajo vete mund te jete perfituese ne nje fare menyre,
2-Nje opozite e vertete ,gjithe ato muaj proteste,duhej ti kishte konkluduar me rrezimin e qeverise rilindase,perkundrazi vetem i zhgenjeu protestuesit,aq sa sot,edhe sikur mos te ishe kjo situate me termetin dhe virusin,zor se do ti shkonte njeri nga prapa.
Kjo eshte fatkeqesia jone sepse duke qene nje popull i tredhur denbabaden,ka edhe nje klase poltike akoma me te tredhur.

Nik22/03/2020 14:08

"Opozita duhet t’u kërkojë shqiptarëve mandat për t’i dënuar gjithë këto krime si tradhëti e lartë ndaj atdheut dhe cënim i sigurisë kombëtare. Vetëm anullimi i skemave PPP të qeverisë Rama dhe dënimi i palëve përfituese nuk mjafton. Sekuestrimi i pasurive të të gjithë njerëzve të lidhur me këto skema mund të korrigjojë një pjesë të zullumeve që u janë bërë shqiptarëve nga regjimi Rama-Veliaj dhe oligarkia e tyre konçesionare. Sigurisht, nëse deri atëherë ata që na boshatisën kuletën, nuk do të na kenë marrë edhe jetën."

Ky duhet te jete premtimi i vetem I opozites ndaj shqiptareve

EDI ZULLUMI22/03/2020 14:05

PPP i krijoi Edi RAMA si menyren me te thjeshte per ti vjedhur shqiptaret!
Vlera e madhe e PPP dhe dhenia e tyre pa tender ka vetem nje shpjegim:
Sa eshte pjesa qe i parapaguhet Edi Rames per te marre nje koncension nga nje oligark ?????
50% me 50%, 60% me 40%...?
Kete duhet ta vertetoje SPAK ose BKH dhe pergjegjesit si EdI apo edhe ai qe ka perfituar nga Edi nje koncension duhet te paguajne per keto skema vjedhje kriminale... dhe si te tille
Do te thoni ju si do paguajne ?
Hapi pare :te shpallen koncensionet akte mafioze dhe si te tille mbi to te veproje ligji antimafie, duke i sekuestruar te gjitha pasurite, si pushtetareve ashtu edhe perfituesve.
Hapi dyte : duke ja hequr te drejten per tu marre me aktivitet,
Hapi trete :Edi Rama me ata ministra si Ilir Beqja, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj &co te perfundojne ne BURG!
Besoj qe nuk ka shqiptar te ndershem qe nuk eshte dakort......

Shto koment

Denonco