Me 'mish e me shpirt' apo çervish me mish

Me 'mish e me shpirt' apo çervish me mish

Nga Edmond Budina - 19/03/2020

Salep Sulltani ynë dolli nga koteci pe Betoni. Ujdisi mjekrën dhe mustaqkat, hoqi brekushkat, na u mbath e na u vesh allafrënga e na u faneps më në fund në zyrë.

La mënjanë thëniet e librit të shenjtë, Kuranit, sikterosi xhindin Osama dhe na nxorri pe goje kryqin, që të na përngjiste me Jezunë. Këtë radhë na llokoçiti: “Ju më kini besuar, kur kini vënë kryqin bri emrit tim, atë kryq, që unë e kam mbajtur deri tani... unë jam Lideri juaj.”

Ç’këllqe paska pasur, mor amani! Na e tha në inglisht, se në shqip nuku e kuptonim, që Lider është Udhëheqës, në gjermanisht i thonë Fyhrer dhe në latinisht Dux ose Duçe. T’ëçkën e s’ëçkës, ore!

Sado derdimenër të jemi dhe sado shkarje të rëndë ledhi të kesh, nuk mund të na thuash, që je Lideri (Udhëheqësi, Fyhreri, Duçja) ynë. Je thjesht kryeministri i këtij vendi dhe ato kryqkat të vëna bri emrit janë dhuratë edhe pe djemkave problematikë, që i kanë blerë me lekat e ca si drogërave. Jemi në luftë, thotë strategu i madh, po si gjithnjë e drejton betejën i fshehur pe facebook-ut.

Parrulla me sfond rreptësisht të kuq e gërma të bardhka në faqen e tija është “Frikë aspak. Kujdes po”. Si shkarazi ay llafi Frikë ka një tjetër karakter kaligrafie pe të tjerave. Po mirë o, e pastaj? Epo që ay llafi, Frikë, të na hyjë si pykë në rradake e të na kallë datën! Dhe po e kall pe vërteti psikozën e frikës nga vdekja. Vetëm “Unë dhe qeveria ime”... AY-ja dhe qeveria e kokoshkave. Të gjitha urdhërat vijnë pe Atij-a njëri pas tjetrit, nuk të lenë as t’i mendosh e as të marrësh frymë,vetëm pe Atij-a, thua se nuk ekziston askush tjetër. Fyhreri dhe virusi, Duçja dhe vdekja, Udhëheqësi dhe llaftara.

AY shpëtimtari i Kombit. AY, Perëndia e Allahu, Muhameti e Jezui. I rrethuar pe kokoshkave mistresha e ministrushë, xunkthesh, pykash më diell, shqopash, kokëzhëngash, honxho-bonxhosh, kokëdruthësh e kokakomçash, që vetëm i lëtyrisen, pa tjatër që Atij-a i duket vetja i papërsëritshëm edhe m’atë anë të Gjithësisë.

Lëshon urdhëra, që jo vetëm s’njohin ligje e kushtetutë, por nën psikozën e frikës e ankthit, shkojnë deri në absurd. Meqë ra llafi, ata nëpunësit, që shkelin urdhërat i quajti dezertorë, nuk do të qe më mirë, meqënëse jemi pikërisht në luftë, jo t’u mbajmë rrogat e t’i pushojmë nga puna, po t’i varim, ashtu si veprohet me dezertorët në kohë lufte?!!! Me siguri Coronavirusi do të zhduket vetë i lumtur, se ia ka arritur qëllimit. Kështu gjithë të tjerët do të vinin mend e në emër të jetës do t’i bënin Hosanna Shpëtimtarit.

Ay-ja e nxori edhe urdhërin e fundit, meqë disa “të papërgjegjshëm” nuk “marrin vesh”. Lejohet dalja vetëm gjashtë orë në ditë për të mos rrezikuar jetën e tyre dhe të të tjerëve, të mos ecet dyshe...

Doçkat në xhepa t’i mbajmë? Breçkat pe kambriku, apo pe leshi t’i mbathim? Pa tjetër që rregullat e rekomanduara nga specialistët duhen respektuar (distanca, larja e duarve, higjiena e të tjera), por ka edhe mendime specialistësh, rregullat e të cilëve po i zbatojnë vende të zhvilluara, që thonë se ajri i pastër, ecja në natyrë pengon virusin, ndërsa mbyllja për kohë të gjatë brenda banesave, ul imunitetin, i çon njerëzit në depresion. Dalja e të gjithëve në pak orë a nuk do të sjellë më shumë kontakte, më shumë mundësi infektimi? Pse të mos bëhet si në Itali, Gjermani e gjetkë, ku qytetarët vetëçertifikohen e dalin, kur munden?

Masat shtrënguese deri në ekstrem krijojnë panik e frikë. Njeriu është qenie sociale e ka nevojë për lirinë e vet, qoftë edhe lirinë për të zgjedhur të rrojë a të vdesë. E gjithë kjo psikozë frike është e qëllimtë, për të mbuluar paaftësinë e qeverisë, e cila gjer më tani ka bërë shumë pak për sistemin shëndetësor në vend dhe është e papërgatitur për të përballuar situata të tilla. Ne e dimë që nuk jemi as Gjermania e as Franca, por dimë edhe që ka nga ata, të cilët janë pasuruar me PPP-ra, ligje të posaçme, abuzime, korrupsion, riciklim.

Le t’u kërkojë atyre para për të blerë respiratorë, tampona e të zbatojë udhëzimin e OBSH për të verifikuar sa më shumë njerëz e t’i izolojë vatrat. Ato vende, që kanë vepruar në atë mënyrë, ia kanë dalë ta izolojnë epideminë. Këtu tek ne tenderi për blerjen e respiratorëve u hap pas dhjetë ditësh, që u shfaq epidemia dhe karantina filloi, pasi kishin ardhur me qindra njerëz nga vendet e infektuara. Kjo nuk është politikë, është ta shohësh të vërtetën në sy.

Politikë e shëmtuar është të mos dëgjosh të tjerët, veç vetes, të tallesh me opozitën, të mburresh. Njerëzit nuk kanë nevojë të terrorizohen me arrogancë, por të qetësohen e sigurohen.

Në emër të jetës, dhe jo të vdekjes, të dëgjohen së pari opinionet e specialistëve të çfarëdo krahu, ngado që ato vijnë e jo të drejtojmë luftën nga facebook-u, sikundër bën Salep Sulltani. E nëse njerëzit duke respektuar distancat, me maska në fytyrë, do të dilnin të gjithë në rrugë, jashtë orarit të shtetrrethimit të urdhëruar pe Salep Sulltanit dhe të kërkonin çervish me mish ose çervish me qofte, a do të mund t’i gjobiste dot të gjithë?

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Osumi19/03/2020 20:24

O Skerdi? A ke kuptuar gje nga ato qe thote aktori i nderuar Budina? Nuk eshte koha per replika pa sens. Kur te kaloje koha e pandemise kemi kohe te therrasim rrofte ai e rrofte ky sipas perkatesise partiake.

Ai19/03/2020 17:13

Shkrimi flet per sjelljen e fuhrerit shqiptar, ajo eshte me kryesorja.

Ai19/03/2020 15:22

Edmond Budina, je i madh. Ka vetem nje gabim ne shkrimin tend. Leader F?hrer apo Duce, quaje si te duash, as mbreme dhe as parmbreme nuk ka qene ne zyren e tij. Deklarat dhe daljet televizive jane bere nga leader (duce) apo führerbunker i prijesit tone legjendar dhe "trim". Kuptohej kjo gje nga fakti se ne murin pas shpines se "trimit" te bunkerit, mungonin zhgarravinat qe ka ne zyren e vet. Per te tjerat jam plotesisht dakord me shkrimin. Do shtoja dicka, kam pare dikur nje dokumentar me titull "Hitler la chance du diable", ku flitej per 5-6 atentatet kryesore ndaj führerit. Te gjithe kishin perfunduar keq per rastesi te thjeshta. Ne fund te dokumentarit thuhej se per ironi te fatit, Hitleri qe kishte patur fatin e djallit duke i shpetuar shume atentateve, u vetevra ne bunkerin e tij. Dua te them se mos edhe udheheqesi yne legjendar qe ka patur deri me tani "fatin e djallit" ne te gjitha rastet kur ka qene duke u rrezuar nga pushteti, arrin dhe ben ndonje "vetevrasje" ne kuptimin politik kuptohet, ne bunkerin e tij personal? Le te shpresojme

Absolutisht shkrim I goditur19/03/2020 14:27

Nuk kemi cte komentojme. Nje pershendetje e sinjqerte.

Daj Jaku19/03/2020 13:26

Gjigandi Budina !!!

Skerdi19/03/2020 13:16

Shkrim banal! Ky tipi duhet distancuar nga opozita sepse i ben dem.

Para dy ditesh keta kerkonin mbylljet te karantines, tani kane nxjerre kete te flase per udhezimet e OBSH-se, qe ishte e para qe kerkonte karantine.

Flisni me mjeke, me statisticien, me biologe per kete pune. Keta te qepes, djathit dhe rakise, lerini per momente gallate jo per kriza serioze. Nuk ju mban kaplloqja me shume.

Shto koment

Denonco