Besa! Nuk je producente e emisionit të gatimit, por Ministre e Arsimit

Besa! Nuk je producente e emisionit të gatimit, por Ministre e Arsimit

Nga Ndriçim Mehmeti - 19/03/2020

Besa! Nuk je producente e emisionit të gatimit, por ministre e arsimit - Ky titull më erdhi në mendje, kur pashë dhe dëgjova me zë e figurë, Besën duke folur për një emision, jo nga zyra e Ministres së Arsimit, por nga kolltuku i rehatshëm i shtëpisë së saj plot shije e sharm.

Besa fliste vetë, përgjigjej për çfarë të donte, drejtuesja e emisionit i fliste për provimet e maturës, ajo fliste për platformën digjitale në shërbim të arsimit, drejtuesja e pyeste për provimet e lirimit, Besa fliste për studentët dhe bibliotekën digjitale.

Në fund të intervistës, Besa ju përgjigj drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të sinqertë, tri pyetjeve kyç që donin të dëgjonin të gjithë shqiptarët: “Çfarë bën tani që je e mbyllur në shtëpi”- e pyet gazetarja. Besa përgjigjet: “Gatuaj shumë”. “Çfarë gatove sot për drekë këmbëngul” gazetarja dhe këtu vjen përgjigja perlë e Besës, “sallatë me vezë”.

Përtej faktit se a mund të quhet lodhje e madhe dhe a futet tek gatimet veza dhe sallata, ka shuam gjëra që për të cilat Besa duhet të na ndriçojë në këto ditë të vështira.

Ministrja e Arsimit në Republikën e Shqipërisë dhe kudo nëpër botë, është parapri në Kushtetutë, në ligje dhe në kodin moral që ka drejtuesi i një institucioni të tillë, që të jetë në krye të detyrës, në ditë të mira e të vështira, në kohë lufte dhe paqe. Pra Besa paguhet nga paratë e publikut për të qenë jo në shtëpi, por në punë, nga mëngjesi në darkë, tash që e lyp nevoja e situatës në të cilën ndodhemi. Besa duhet të na thotë qartësisht se cili është plani B. Pra kopshtet, shkollat, universitetet, nuk do të hapen më 23 mars (çka për fat të keq me shumë gjasa mund të ngjasë), pasi nuk mund të mjaftohemi me besimin dhe shpresën e saj, por me realitetin dhe eksperiencën që na vjen nga bota, për të tilla raste.

Gjermania p.sh, ka shpallur mbylljen për 5 javë të shkollës. A do të jemi ne më të shpejtë dhe më efikas se gjermanët? Mundet, por Besa duhet të na tregojë hapin e radhës. Nëse shkollat, kopshtet, çerdhet dhe universitetet hapen, Besa duhet të na thotë se cilat nuk do të lejohen të hapen, për shkak se mësues, nxënës, apo prindër, janë të infektuar, dyshohen si të tillë, apo u janë marrë analizat për COVID-19.

Besa duhet të na informojë nga terreni dhe jo nga shtëpia e saj e ngrohtë me sfondin plot vizatime që ja kanë bërë dhuratë, a janë dezinfektuar shkollat, a janë marrë masat për ti pajisur me detergjent dhe dezinfektues për nxënësit, tualetet, mjediset e përbashkëta, palestrat etj?

Prindërit duhet të jenë të sigurt se personeli i kopshteve dhe kanë një kontakt shumë të afërt me fëmijët, të jetë i pastër klinikisht, të jenë të mbrojtur me masa dhe njëkohësisht mjediset të jenë të gatshme për të pritur nxënësit. Po ju ripërsëris pak pyetje të kahershme:

Si do të bëhet mësimi online për fëmijët me nevoja dhe aftësi ndryshe?

Për klasat kolektive? Për nxënësit e ciklit përgatitor?

Kur do të jenë gati leksionet për këto kategori të nxënësve të arsimit parauniversitar?

Kush e ka licencuar platformën digjitale që ju promovoni, për mësimin online?

A është e certifikuar për këtë qëllim, apo për plagjiaturën dhe njëkohësisht kryen edhe shërbime të tjera?

A do t’i ketë ndonjë detyrim financiar shteti kësaj platforme, që për një rastësi të çuditshme, e ka selinë e saj në Kosovë?

Besa duhet të na thotë sot dhe pa humbur kohë, cilat janë masat e saj për të gjithë studentët që kanë mbetur në konvikte.

A kanë të ardhura për të përballuar jetën larg familjeve të tyre?

A kanë kushte e duhura, për të mbajtur pastër mjedisin? A janë furnizuar konvikte me detergjent, ushqime, mjete ngrohëse dhe të gatimit?

Çfarë do të ndodh me studentët të cilët paguajnë vetë shkollën, ngrënien dhe të gjitha shpenzimet, tani që veprimtaritë ku ata kanë punuar janë mbyllur?

Si do të bëhet për studentët shqiptar jashtë vendit?

A janë kontaktuar dhe asistuar ata nga shteti shqiptar nëpërmjet përfaqësive tona diplomatike?

A i kanë të siguruara nevojat bazike të jetesës?

Një informacion i tillë, veç statistikës sesa janë të shtruar ose jo është jetik për shumë familje. Le të vijojmë me pyetjet për universitetin ku ka zero informacion nga Besa.

Përse asnjë drejtues universiteti dhe askush nga institucioni që ju drejtoni, nuk flet për mësimin online, kur ju dhe Komandanti na siguruat se “me zbatimin e Paktit të Universitetit, do të sigurohej aksesi në internet për gjithë studentët”?

Cili do të jetë kalendari i ri akademik për universitet, provimet, koha e diplomimit sipas cikleve të studimit, aplikimi për universitete etj.

A do të ndryshoj shoqja Besë data e provimeve të Maturës Shtetërore, apo do të urdhëroni hartimin e testeve të thjeshta që të të gjithë të dalin të kënaqur?

Po për kualifikimin e mësuesve që e shtytë datën vetë si do t’ia bëni. Keni një plan, një datë, se kur do të kryhet dhe cila është periudha më e përshtatshme edhe për mësuesit, të cilët në këtë moment po kalojnë një super lodhje, për shkak të udhëzimeve bajate, pa kuptim dhe pa asnjë logjikë pedagogjike që ju i nxirrni si simite nga furra e paaftësisë që ju ka kapluar? Ah. Mos harro edhe Portalin “Mësues për Shqipërinë”, aman.

Jo për gjë po ke filluar fushatën e të duhen burime të freskëta e të gjalla nëpër shkolla. Disa porosi i le korridoreve të Kongresit, ca i zgjodhe ti kesh në Asamblenë e Rilindjes por të duhen edhe më shumë në terren, prandaj bëj rixha e bëje online, testimin për portalin, se mësuesit i ke zgjedhur me kohë.

Mund të mendosh “po përse duhet të kritikohem kaq shumë në këtë kohë? Unë po bëjë të pamundurën e këta nuk ma dinë”.

Që të na mbushësh mendjen fillimisht shko në zyrë, sepse detyra më e parë e një drejtuesi të përgjegjshëm të institucionit është të jetë në krye të institucionit që drejton.

Kjo i jep një fije shpresë e kuraje punonjësve dhe mbarë opinionit. Nëse ne të paguajmë nga taksat tona, bajagi mirë dhe ju dërgoni mesazhe nga shtëpia, më vjen keq por kjo nuk quhet hajgare e rastit, por bash tallje me të gjitha pjesët e trupit, ndaj punonjësve që ke në varësi dhe të gjithë të tjerët, në sektorin që drejton. Por edhe pse mund të rish tërë ditën në zyrë, sikundër ke bërë përpara se të vinte kjo situatë, duhet të tregosh se meriton të mburresh se “ke në udhëheqësi mbi 33 mijë punonjës”.

Kështu që Besa, dil nga shtëpia, me këmbë a me makinë, as që nuk më bëhet vonë, shko në zyrë dhe bëj ndonjë punë e jo llafe e propagandë të pështirë nga rrjetet sociale, për arritjet imagjinare. Dija, nxënësit, mësuesit, prindërit nuk janë shifra dhe statistika, sa përqind kontaktohen, sa jo dhe si të kontaktohen.

Çdo fëmijë që humbet qoftë edhe një orë të rregullt mësimi, është një hapësirë bosh që ai lë në rrugëtimin e tij të diturisë dhe të përgatitjes si qytetar i denjë i këtij vendi. Kështu që merre seriozisht postin që të kanë dhënë pa asnjë meritë, të paktën tani që ndodhesh në fund të rrugëtimit tënd.

Për receta gatimi do të kesh kohë boll. Vezë do të ketë ngahera, mundësia që gjithkush të arsimohet dhe të qytetërohet përmes dijes dhe jo propagandës, ka caqet e veta, pavarësisht shprehje “sa të rrosh do të mësosh”.

Nëse sot deformohesh dhe jo arsimohesh, në jetë ke për të mësuar shumë pak dhe për më tepër do të jesh i nënshtruar ndaj tekave dhe vullnetit të të tjerëve. Dhe për këtë fat të hidhur, shuam të rinj, burra dhe gra do të kujtojnë ty Besa.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco