Për fat të keq kjo krizë na shpjegon më mirë Ramën dhe Bashën

Për fat të keq kjo krizë na shpjegon më mirë Ramën dhe Bashën

Nga Fitim Zekthi - 17/03/2020

Pandemia e coronavirusit është padyshim një nga krizat më të mëdha, të thella dhe të rrezikshme, me të cilat është përballur vendi ynë. Ajo bëhet më shqetësuese kur fundi i saj nuk dihet asfare.

Kriza të përmasave të tilla kërkojnë qartësi të madhe, përunjësi dhe vendosmëri të veçantë nga vendimmarrësit politikë. Ka momente në jetën politike, siç janë kriza të tilla, kur vendimmarrësit politikë, kur qeveritarët edhe më të këqijn edhe më të papërgjegjshëm zhvishen plotësisht nga interesi politik dhe sillen në mënyrën më të përunjur. Edhe një përbindësh si Stalini kur u sulmua Bashkimi Sovjetik dhe ushtritë e Hitlerit iu afruan Moskës harroi pushtetin, harroi epshet dhe pangopësinë, harroi brutalitetin ndaj kundërshtarëve.

Shqipëria jonë duket se e ka të pamundur të dalë nga një humbellë epshi për pushtet dhe lufte politike edhe në këto ditë. Kryeministri i vendit i cili për shtatë vite me radhë nuk mendoi kurrë se vendi mund të ketë përmbytje, tërmete apo epidemi (lëre më pandemi) dhe ka lënë pas një ekonomi që nuk paguan dot pagat dhe pensionet në kushte ‘normale paqeje’ është duke u përpjekur të dalë nga kjo krizë pa pasoja politike apo elektorale.

Pasi vetëm një javë para se të niste karantina (kur kriza e coronavirusit kishte mbërthyer Italinë) ai mblodhi një kongres të PS-së ku kërkoi të merrte me shumë vota se kurrë, ku kërkoi të merrte 800 mijë vota për mandatin e tretë, ai po sillet me krizën nën projeksionin e atij kongresi. Kjo është ndër rastet e rralla në historinë politike të botës kur një kryeministër kërkon një mandat të tretë kur zgjedhjet duan edhe një vit e gjysmë të mbahen por kjo është një analizë tjetër.

Kryeministri Rama po e cilëson krizën si një luftë të tmerrshme, po e cilëson virusin si një armik të padukshëm që bombardon dhe merr peng, po e cilëson situatën si apokaliptike. Ai po del çdo ditë në televizion dhe po flet vetë deri edhe për të dhënë këshillat mjekësore. Sigurisht që kriza është e rëndë por përdorimi i gjuhës apokaliptike është pa kuptim dhe është problematik. Ajo gjuhë synon të krijojë idenë se Rama po përballet me diçka që është në kufijtë apo përtej kufijve të një qeverie dhe të një kryeministri qoftë ky edhe Rama. Të njëjtën gjuhë kryeministri e përdori edhe për tërmetin. Të njëjtën sjellje kryeministri e shfaqi edhe për tërmetin.

Masat që ka marrë kryeministri Rama janë kryesisht masa policore dhe asgjë më shumë. Shqipëria po ndjek shembullin e qytetit të Wuhanit në Kinë ose të Italisë sa i takon masave shtrënguese apo karantinës. Kjo mund të jetë e duhura ose jo, por është e qartë se këto masa nuk mjaftojnë për asgjë. Një pandemi si kjo nuk luftohet thjesht me masa policore.

Vendet e tjera që nga Kina në Britani, që nga Italia në Francë vendosën në krye të një komiteti kombëtar shkencëtarët e tyre më të mirë të cilët drejtuan dhe po drejtojnë ‘betejën’, operacionet, po përpilojnë planet dhe masat.

Presidenti Xi Xinping në Kinën komuniste emëroi heroin e luftës kundër virusit Sars, Zhong Nanshan si drejtues të gjithë betejës kundër coronavirus. Xinping nuk doli kurrë në televizor dhe vetëm pak ditë më parë shkoi në Wuhan ku përgëzoi mjekët dhe qytetin. Ishte Zhong Nanshan që drejtoi gjithçka dhe hartoi masat që u morën. Vetëm ai dhe mjekët flisnin në televizione.

Në SHBA presidenti Trump ka emëruar si drejtues të task forcës zv/presidentin Pence i cili rrethohet nga një ekip shkencëtarësh dhe mjekësh si Wilkie, Adams, Verma etj. Janë ata që drejtojë punën. Në Britani gjithçka e drejton Witty, shkencëtar i rrallë që i është marrë prej dekadash me ebolën dhe epidemi të tjera. Dhe kështu me radhë në vendet e tjera.

Pra shkurt njëra anë e përballimit të krizës së coronavirusit nga Rama janë masat policore që janë normale, është varianti i Wuhanit dhe i Italisë. Nuk ka arsye të thuhet se Rama në këtë pikë ka interes pushtetin e tij personal politik. Ana tjetër është qëndrimi në televizor, drejtimi i masave nga ai vetë, shndërrimi i tij në kryepidemiologun apo kryevirologun e vendit, cilësimi i krizës me terma apolitikë etj. Kjo bëhet krejtësisht për qëllime të ulëta pushteti dhe nuk ka asnjë lidhje dhe asnjë rol në lehtësimin e krizës.

Më e rënda e përpjekjeve të qeverisë Rama për të përballuar krizën është përgjigja e saj ndaj nevojave dhe instrumenteve reale që duhen për të përballuar krizën. Madje edhe më e rëndë akoma është përgjigja që kryeministri Rama ka ndaj atyre që i kërkojnë të marrë masa apo gjejë instrumente që nevojiten në këtë krizë.

Në fakt për të kuptuar se kryeministri Rama nuk do t’ia dijë fare për qytetarët dhe për jetët e njerëzve por vetëm për pushtetin e tij mjafton të shohësh se si ai u soll me mjekun Ilir Allkja. Mjeku i urgjencës Allkja tha se ekipet e koordinimit dërgoheshin të takonin të dyshuarit me coronavirus pa veshjen mbrojtëse duke rrezikut mjekët. Kryeministri Rama reagoi vetë menjëherë dhe tha se mjeku i ka veshjet dhe se ai është njeri që ka marrë pjesë në protestat e PD-së. Më pas mjeku u largua nga puna. Mjeku tha një të vërtetë, tregoi një dështim apo pamundësi të qeverisë.

Po kaq e shëmtuar, dhe sigurisht në të njëjtën linjë, është edhe sjellja e kryeministrit Rama ndaj propozimeve të kryetarit të PD Lulzim Basha. Për të thënë të vërtetën Basha ka sjellë një standard të ri të opozitës në qasjen ndaj krizave. Ai me elegancë ka lënë mënjanë luftën e përditshme politike. Si edhe tek tërmeti edhe tani ai po bën vetëm rolin e atij që i jep zë nevojave dhe halleve të njerëzve, që thotë të vërtetat, që propozon masa që ndihmojnë, masa që i sjelli ekspertët. Basha madje ka dalë në konferenca i rrethuar me ekspertë, mjekë, virologë etj. Opozitat janë krijuar që në krye të herës për të thënë të vërtetat. Qeveritë mund të kenë interes ti fshehin ato dhe si pasopjë e kësaj nevoje janë krijuar opozitat. Nqs një opozitë nuk thotë të vërtetat atëherë ajo ka vdekur.

Basha ka thënë të vërtetën e madhe që masat duhet të synojnë në radhë të mbrojnë mjekët sepse po ra trupa mjekësore beteja u humb (ne kemi 16% të të prekurve mjekë që është një shifër e lemerishme si askund në botë).

Basha ka thënë se duhen blerë aparate respiratore (ne kemi shumë pak). Basha ka thënë se njerëzit e papunë duhet të ndihmohen me ushqime, duhet të jepen pagat për ata që kanë lënë punën, duhet të ndihmohen me taksat bizneset, duhet të ndëerpriten konçesionet etj. Këto janë gjëra që janë vërtet jetike.

Kryeministri Rama, i cili duhet thënë se e ka degjeneruar sferën publike prej vitesh me banalitetin e rëndë në komunikim, nuk përgjigjet seriozisht. Ai tallet dhe fyen. Në fakt dhe kjo duhet të kuptohet nga kushdo, kjo është tallje me njerëzit dhe hallet e tyre. Rama, i cili as ia ka idenë algjebrës apo matematikës kthen përgjigje duke thënë se 7×7=42.

Pra ai medemek vë në lojë Bashën që nuk ditka matematikë. Imagjino të sillej kështu Mitsotaqis apo Konte, Macron apo Merkel. Do ti neverisnin dhe jo ti bënin shkrime lavdëruese si disa tek ne por kjo është çështje tjetër.

Pra Rama i dituri i madh në matematikë që paska marrë masat që duhen dhe Basha i padituri në matematikë që propozon gjëra kot. Çfarë emri ka kultura e një kryeministri që flet kështu? Poshtërim më të madh për ata hallexhinj në karantinë nuk ka, për ata që nuk kanë para edhe për paracetamol.

E njëjta gjë edhe kur thotë se ‘mirë që vendi është në krizë të thellë dhe ka shumë halle por nuk e lë rehat edhe Basha me propozimet. Basha sipas Ramës duhet të flejë gjumë dhe të lajë sytë ti dalë gjumi pastaj. Pra Rama është punëtor i madh, i dhimbsen njerëzit, ndërsa fle gjumë dhe nuk e çan kokën për njerëzit. Si mund të flasë kështu një kryeministër që i dhemb shpirti se njerëzit po lëngojnë me aparate respiratore, se njerëzit po rrinë me akth tek koka e prindërve, se njerëzit po tmerrohen nga mungesa e parave për ushqime dhe ilaçe.

Jo ky është vetëm një kryeministër që ndryshe edhe nga politikanët më të këqij nuk di të ndalet para epshit të vet për pushtet. Për të ekziston vetëm pushteti dhe njerëzit, sëmundja e tyre, epidemia apo mjerimi janë mundësi pushteti dhe asgjë më shumë. Megjithatë kjo tashmë është një e dhënë faktike dhe kaq.

Rama është kryeministër që ka synime të cilat nuk ka krizë dhe coronavirus që i ndal, nuk ka pandemi që e bë atë të përulur. Opozita është thjesht në rolin e saj të thënies së të vërtetave të rëndësishme. Këto janë dallime bazike të cilat nuk duhet të viheshin re kurrë në kohë të tilla por kaq e poshtër është politika jonë sa dallime të tilla feksin përditë ekraneve.

Shkruar për Faktor.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco