Shqiptarë mos kini frikë nga virusi: Edi Rama e ka për ju një armë sekrete!

Shqiptarë mos kini frikë nga virusi: Edi Rama e ka për ju një armë sekrete!

Nga Poli Hoxha - 17/03/2020

`Rëndësi ka se si duket dhe jo se si është!`

Ky avaz i vjetër vazhdon që të jetë slogani dhe strategjia e vetme e Edi Ramës, edhe pse (sipas specialistëve të fushës) Shqipëria është ende në start të pushtimit nga ky virus, që po ndryshon botën dhe mendjen e njeriut.

Këtë ka bërë gjatë këtyre 7 viteve duke i bombarduar shqiptarët me propagandë, imazh e shfaqje; këtë po bën edhe sot kur të gjithë; me pushtet, të pasur apo jo, po reflektojnë.

Dimë se jemi shumë përpara të tjerëve për sa i përket kufizimeve dhe shtetrrethimeve, por nuk kemi asnjë informacion se sa mjekë, shtretër, aparate respiratorë, ambulanca e kostume mbrojtëse për bluzat e bardha ka në dispozicion sistemi ynë i shëndetësisë.

Dimë se në çfarë ore duhet të dalim nga shtëpia, në këmbë apo me automjet, si dhe sa është gjoba nëse e thyejmë urdhrin, por nuk e kemi fare idenë se çfarë resursesh dhe buxheti ka dhe mund të vërë në dispozicion qeveria, në rast të një kolapsi si ai që përfshiu Italinë e mes 7 ekonomive më të fuqishme në botë, apo qoftë edhe në një variant më `të lumtur`.

Dimë se milionat e koncesioneve absurde (edhe pa llogaritur korrupsionin) në shëndetësi e kudo tjetër, do të vazhdojnë të paguhen si në kohë normale, por ende nuk po na thotë kush se ku do të gjenden paratë për të mbajtur në mbijetesë të paktën ushqimore e shëndetësore, (se për njeriun e shkretë ka edhe dhjetëra sëmundje të tjera përveç ‘koronës’) shtresën gjigante të të varfërve në Shqipëri.

Na thotë kryeministri që të lajmë duart dhe të vetë-ngujohemi, por ende nuk e dimë se si do të ushqehemi nëse kjo situatë zgjat aq gjatë, sa paralajmërojnë ekspertët e fushës. Çfarë do të ndodhë me të vetë-punësuarit, bizneset e vogla dhe dhjetëra mijë punonjësit në privat, të cilët mbajnë familjen me rrogën mujore. Dhe bëhet fjalë për ‘kapitalistë’ shqiptarë, të cilët ky shtet nuk i pengon dot që të vonojnë rrogat e punonjësve për muaj të tërë, edhe në kohë normale’ e kur fitimet i kanë të sigurta, e jo më tani që kanë një ‘sebep’ kaq të fortë si kjo `luftë botërore`.

Është e vërtetë se në të gjithë globin, synimi parësor i qeverive është shpëtimi i sa më shumë jetëve nga kjo pandemi, e cila e ka vënë globin në alarmin më të madh që nga koha e ‘gripit spanjoll’ gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore. Por po kaq e vërtetë është se qeveritë e vendeve të tjera, po shohin më larg se policët, ushtarët dhe ngujimi në shtëpi i nënshtetasve të tyre.

E në këtë situatë deliri i përditshëm i kryeministrit të vendit, kap limite që as një logjikë normale nuk i kapërdinë dot.

Këtë të martë na dërgoi një letër tjetër nëpërmjet portës së tij virtuale; e gjitha me germa madhështore, si kolonat kapitale të ndërtesave që ngrinte Duçe.

Mes të tjerave na kujton se një ditë më herët presidenti i Francës, Macron, i kishte thënë PESË HERË POPULLIT TË TIJ: JEMI NË LUFTË!

Është e vërtetë që në atë fjalim Macron ju kujtoi francezëve, se edhe vendi i tyre me gjithë qeverinë që i drejton është në luftë, por Edi Rama `harron` që të thotë se presidenti i Francës i njoftoi nënshtetasit, edhe për të paktën 25 masa drastike që kishte marrë qeveria që drejton në shërbim të tyre, përveç penaliteteve,  kufizimeve të qarkullimit dhe mbylljes së vende e aktiviteteve publike.

Nuk i konvenon Edi Ramës që tu thotë shqiptarëve, se Macron i njoftoi francezët edhe për; 300 miliard euro në funksion të luftës ndaj COVID; Se faturat e gazit, energjisë dhe pagesat e kredisë pezullohen; Se hotelet mobilizohen dhe kthehen në qendra strehimi dhe spitale nëse do jetë e nevojshme, dhe se shteti do të paguajë faturën; Se ndërpritet reforma e pensioneve, ato nuk preken; Se nëse nuk kanë para për ushqimet, shteti paguan; Se brenda 24 orësh farmacitë do furnizohen me maska, doreza dhe lëng viskoz alkoolik dezinfektues (xhel alkoolik)…etj, etj.

Por këto masa dhe detyra që ka një shtet përballë taksapaguesve të vetë në situate të tilla ‘lufte’, Edi Rama nuk i quan. Atë e shqetësojnë vetëm pyetje të tipit; Na trego çfarë ndryshimi dhe efekti ka lufta jote kundër virusit, nëse del nga shtëpia prej orës 6 të mëngjesit dhe nuk del pas orës 6 të pasdites?!

Nuk ndihet mirë, madje tërbohet kur e pyesin për masa konkrete si ato më lartë, ndaj edhe na e mbyll gojën të gjithëve me parulla në FB.

‘ASKUSH NUK DO TË BËNTE DOT MË SHUMË PËR JU, SE SA PO BËJMË DHE DO TË BËJMË DERI NË FUND, UNË DHE QEVERIA IME!’, shpërthen deliri `madhështor` i udhëheqësit të ngujuar në bunker.

 Na flet gjithë ditën për Kohë e Ardhme të Pakryer, por zero transparencë për Kohën e Tashme të Kryer!

Megjithatë një ndjekës i shkruan me vetëpërmbajtje, logjikë normale dhe me germa të vogla, siç e kërkon gjuha normative shqipe; `Pika e parafundit (kjo që ju cituam) mund të ishte shmangur. Mund të jetë ashtu siç thatë, ose krejt e kundërta; nuk mund ta dimë me siguri nëse një qeveri tjetër do të bënte më shumë apo më pak, pikat e tjera korrekte!`.

Por jo! Lideri e di; e ka të sigurt se atë që bën AI, nuk e bën dot asnjë lider e qeveri tjetër në botë. E ka të ngulitur shabllon në kokën, gjigantizmin e vet; është më i aftë se Trump, Merkel, Macron… me gjithë administratat e tyre. Kuja është se e shet delirin e tij çdo ditë si punë e arritje, pa pikë mëshire për inteligjencën e shqiptarëve.

Dhe ja ku vjen përgjigjja që të lë jo vetëm ty pa frymë, por që çarmatos edhe vetë koronavirusin!

‘Lumnir Isufaj ti nuk e di, po unë e di dhe e di si dritën që shoh kur hap sytë, po rëndësi ka që je dakord me pikat e tjera, se me pikën e parafundit do biesh dakord më vonë, kur të kesh mundësi të bësh krahasime!’, shpërthen deliri më keq se koronavirusi në Kinë atëherë, e në Itali tani.

Pas kësaj e mbylli gojën, laptopin a telefonin, Lumniri ‘i shkretë’ dhe nuk pipëtiu më. Ndoshta vendosi që të presë ditët pas zhdukjes së flamës botërore të koronavirusit dhe të shoh Edi Ramën duke marrë çmimin ‘Nobel’ në Shëndetësi, bashkë me atë të Paqes.

 Atë në Letërsi po e po; e ka në xhep që tani!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Krist18/03/2020 00:00

More Shqipo,dhe ti Dikush,qe e nenvlehtesoni vehten ,sikur te jeni Sorra apo Askush! Shume po ju dhimet ky lloj kryeministri,qe po ja qani hallin,e kerkoni qe ta leme rehat,e te mos e bezdisim!!!!! Ai duhet tundur,more te shkrete,ai duhet,ai duhet shkundur,jo nga bunkeri i Surrelit,por nga selia e Kryeministrise,bashke me zagaret qe e ndjekin pas,me qyrravitje e hosanara.....ai duhet zhdukur fare,more ,fare edhe nga Shqiperia,e le te shkoje ku te doje,qofte edhe tek urat e Parisit,ku eshte mesuar te dallaverizoje ( lexojeni ,te trafikoje),c'fare te doje,bile le te shkoje edhe ne plazhet e nudisteve,me apo edhe pa,shoqeruesen e tij te vjeter.......

Shqipo17/03/2020 18:47

Ketij k do thene qe te marri masa dhe te planifikoj si do te furnizohet popullata me ushqimet baze qe mos te pllakosi uria se ne te kundert te rri dhe te shikoj zahon tja hane te gjalle ,dhe kam nje lutje per shqiptaret qe ta injorojne mos te merren me nje njeri qe eshte fundi I njerezimit.

Dikush17/03/2020 18:02

Nuk e kuptoj se duhet harxhuar energji dhe nerva per t'u marre me nje psikopat qe nuk di asgje. Andej nga Shkodra mallekojne:Te hifte vedja ne qef. Kjo qenje e ka marre kete mallkim dhe se shpejti do thyeje qafen. Tani po fshihet per ti shpetuar covidit

Shto koment

Denonco