‘Lufta’ e Ramës si vijimi i politikës me mjete të tjera

‘Lufta’ e Ramës si vijimi i politikës me mjete të tjera

Nga Gentian Gaba - 15/03/2020

Pas mendjelehtësisë fillestare, kur dy javë më parë anatemonte si përhapëse paniku opozitën, e cila kërkonte një plan të detajuar masash për momentin në të cilin COVID-19 do të mbërrinte në Shqipëri, (me të njëjtën logjikë i bie që edhe Merkel, që foli për ekspozim të popullsisë gjermane në masën 60%, të jetë duke përhapur panik), Rama ka ndryshuar kryekëput regjistër. Prej datës 10 mars, kur rastet të njohura për publikun nisën të shtoheshin, kreu i Partisë Socialiste nisi të flasë për armë, armik dhe për luftë.

E tillë ngjason edhe situata në rrugët e vendit të zbrazura nga shtetrrethimi i shpallur përpara pak ditësh, ku pjesa dërrmuese e qytetarëve, janë mbyllur në shtëpi, si në pritje të shfaqjes së avionëve të një armiku të padukshëm mbi qiejt e zbrazura të qyteteve.

Ndonëse në këtë moment masat drakoniane janë përhapur në të gjitha vendet e prekura nga koronavirusi, ajo që na dallon është përshkallëzimi i mëtejshëm i një virusi që prej kohësh godet qytetarët shqiptarë, propaganda.

Sikurse ndodhi në rastin e tërmetit, Rama po sillet si një grabitqar në përpjekje për ta elektoralizuar këtë zezonë. Prandaj shfaqet i vetëm në faqen e tij në facebook, si një ‘tele-ekran’ oruellian, duke shmangur këdo që mund t’i rrëmbejë vëmendjen, me qëllim identifikimin e tij si individi unik që ka autoritetin absolut për të zgjidhur këtë situatë. Një ‘vëlla i madh’, i vetmi rast në Perëndim, që drejton të gjithë jetën e shtetit, por edhe të qytetarëve të këtij shteti, për të përcjellë te individi i thjeshtë idenë se Rama dhe shteti janë e njëjta gjë.
Andaj, pasi kaloi të paktën katërmbëdhjetë ditë duke relativizuar rrezikun e koronavirusit, duke mos marrë as masën minimale të listimit të persoanve që mbërrinin në Shqipëri nga vendet ku virusi është përhapur, sikurse sugjeronte kreu i opozitës më shumë se dy javë më parë, narrativa zyrtare ka ndryshuar.

Frika, që më parë nuk këshillohej, tani nxitet nëpërmjet gjuhës luftarake dhe gjithë arsenalit që ky fjalor përmban, pasi kjo ndjenjë përbën një anestetizues që propaganda përdor jo vetëm për të maksimizuar politikisht këtë situatë, por edhe për të hedhur një pëlhurë mbi dështimet e deritanishme. Pra, një luftë e shpallur për të neutralizuar gjithkënd që ka një mendim ndryshe, apo një alternativë, me pretendimin se në luftë nuk ka kohë për politikë.

Veçse, përpara se të rrokim terma të huazuar nga fusha e betejës, apo metafora që Rama përdor për t’i dhënë botëkuptimin e tij kësaj krize, si dhe për të futur në këtë mendësi edhe qytetarët që pësojnë pasivisht retorikën e tij, duhet të kuptojmë se në këtë rast termi luftë i përdorur nga kryeministri nuk ngjason aspak me përcaktimin e dhënë nga Carl von Clausewitz.

Teoricieni dhe strategu prusian i shekullit të nëntëmbëdhjetë thoshte se “lufta është vijim i politikës përmes mjeteve të tjera.” Që do të thotë se në luftë shkohet për shkak të një akti politik, dhe mjetet e përdorura janë në funksion të objektivave politike. Pra lufta nuk është një qëllim në vetvete, sespe kur është e tillë, sikurse kanë dëshmuar luftrat e shpallura pa objektiva të qarta politike, ajo humbet. Që një luftë të jetë e sukseshme, nuk mund të bëhet pa u bërë politikë.

Por, deri më tani, lufta e Ramës është thjesht vijimi i politikës me mjete të tjera për të zgjatur jetën e tij politike. Veçse rreziku për humbjen e saj nuk bie vetëm mbi Ramën.  Që kjo të jetë një luftë, do të duhej të kishte objektiva të vërteta politike për ta fituar, jo përdorimi politik i institucioneve, si në rastin e AKEP-it, që u shpërdorua për të përcjellë një komunikim telefonik populist dhe tejet personal; do të duhej që masat e marra të mos ishin si një punë me mëditje, me të cilën magjistari nxjerr nga cilindri udhëzimin e radhës nga vila e Surrelit.

Një luftë e vërtetë kërkon një debat kolegjal dhe serioz. Kërkon një plan masash afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të hartuar nga ekspertë dhe të shpallura publikisht. Kërkon fonde të vendosura në dispozicion në mënyrë transparente për të gjithë zinxhirin e institucioneve të përfshira jo vetëm në shërim dhe përmbajtje të virusit, por edhe në përgatitjen e asaj që do të vijë mbrapa, sidomos në rrafshin ekonomik dhe social.

Përvec mungesës së ideve dhe planeve, nuk ka asnjë arsye logjike që qytetarët të mos njihen me rrugëtimin që do të duhet të ndjekin deri në neutralizimin e rrezikut. Ndryshe nga një armik tradicional, që zakonisht përshtatet me strategjinë e kundërshtarit, virusi nuk ka kundërzbulim dhe nuk mund të sabotojë masat e marra.
Sot, më shumë se dy milionë shqiptarë, presin më shumë se daljet në ‘tele-ekran’ të Edi Ramës; presin që shteti të mos trajtohet si një vegël private (njëfarë zbardhësi i komunikimit të bërë nga ‘vëllai i madh’ në facebook). Sepse deri më sot, një menaxhim i këtij lloji, ka bërë që korrupsioni të përhapet në të gjitha degët e qeverisjes, sikurse thotë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2019 dhe, po në të njëjtin vit, të kemi një dëm ekonomik prej 223 milionë euro (Ah sikur sot t’i kishim arkat e shtetit!), sipas KLSH-së.
Shëndeti, ekonomia dhe siguria e qytetarëve, lipsin një shtet funksional që nuk rron me propagandë. Prandaj, që shqiptarët të rrinë të qetë në shtëpitë e tyre, është e domosdoshmë që vendimmarja të dalë sa më parë nga Surreli!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco