Mjeku im, heroi im

Mjeku im, heroi im

Nga Agim Xhafka - 14/03/2020

Doktor Blerimit para tre muajsh i trokiti te kabineti i tij përgjegjësi i qendrës shëndetësore.

-E mbushe moshën, duhet të dalësh në pension se nuk të paguaj dot nga sot e tutje. Ti e kupton, shteti kështu e ka rregullin.

-E di, e di. Po kam 40 vjet punë këtu e se si do më duket të mos vij më çdo mëngjes, - psherëtiu Blerimi.

-Ah, sa mirë të të kishim akoma nga që mjek veç ti dhe unë mbetëm. Të tjerët ikën në Tiranë ose në Gjermani.

Mblodhi veglat e ca blloqe recetash, palosi përparësen e bardhë e eci drejt shtëpisë. Rrugës e përshëndetnin të gjithë se qyteza aq banorë kish, por edhe që thuajse të gjithë i kishte vizituar. Ua dinte dhimbjet dhe historinë e sëmundjeve.

Gruaja e priste e gëzuar.

-Javën që vjen ikim te Sokoli në Amerikë. E kemi nxjerrë vizën qysh vjet dhe mbetëm këtu. Na ka marrë malli për djalin.

Besimi tundi kokën dhe po shihte kot nga televizori. Sa mbaruan drekën i ra celulari.

-Po nuk punoj më, dola në pension, -i fliste dikujt.- Po mirë sille te ambulanca e po shoh.

-Ishte Gaqo, ka nipin me temperaturë të lartë. Po iki ta vizitoj, - i foli gruas.

Dhe kështu si padashur thuajse çdo ditë shkonte te puna e vet. Te ajo dhomë, me atë rutinë, me ato halle të njerëzve. Veç tani nuk paguhej, kjo ishte e veçanta. Po nuk mërzitej. Mjafton që u zgjidh halle njerëzve, mendonte.

Vajtjen në Amerikë e shtyu pa datë. Javët po ecnin shpejt, nuk kuptonte se kishte dalë në pension. E ndjente kur shkonte te barakja e postës të tërhiqte pagën. Ishte pak, shumë pak, po djali niste ca dollarë me wester union. Dhe jetonin normal. Të qetë e te dobishëm për njerëzit. Deri sa një ditë shefi hyri si vjedhurazi te dhoma e vizitave dhe i foli me sytë përdhe:

-Duhet mos e ndezësh këtë furnelën elektrike. Nuk kemi buxhet për të.

-Po fëmijët mbërdhijnë se zhvishen kur i vizitoj.

-E di, e di, por...-dhe doli.

U nxeh e vendosi të nesërmen mos të vinte fare, të rrinte në shtëpi. Ashtu bëri deri nga ora dhjetë. Pastaj luajti vendit e doli të ç’pinte këmbët. Ato e çuan nga ambulanca. Te dera po e prisnin në radhë mbi tetë veta. Burra, gra, më shumë fëmijë. Shkoi me vrap dhe nisi punën. Po furnelën e ndezi.

E ngrohu dhomën.

Të nesërmen ishte dita e marrjes së pensionit. Sa futi në kuletë ato pak lekë shkoi te dyqani i Mitit. Bleu një sobë me gaz, një bombol dhe e çoi te klinika. Bëri provë, u gëzua si atëherë kur blenë televizorin, që shtruan darkë me shoqërinë se ishte ngjarje e madhe.

Në shtëpi e shoqja po e shihte nga duart. Priste pensionin se e dinte ditën. Po Blerimi ia priti:

-Do na i vonojnë ca ditë. Ka pasur corona virusi e qarkullimi, e di vetë ti se e ke parë te lajmet.

Ndjente kaq lumturi sa soba i dukej më e rëndësishme se televizori. U shtri sa të dremiste pak, pasdite do bënte vizita, por dhe do i shkruante sms të birit.

Na i dërgo një javë më parë paratë e muajit se bleva një sobë për ambulancën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Genci & Agimi16/03/2020 13:49

E bukur Gimo. Kjo me kujton njefaresoj "Mesueset e Fshatit" te Kadarese:

Po s'ngrenë ato botën në këmbë
Në komitet në ministri
Ato të urtat gjer në dhembje
Të thjeshtat gjer në madhështi

Kohe qensh. Kalofsh mire

Pipi...14/03/2020 22:10

Jam Ai i gjati... Prisni thonjte, por kujdes jo me dhembe... Ju dua shume Puç...puç...

Shqiptari14/03/2020 20:32

O Gime po ti ke harruar k.k.mjekun ,epo kur te keshillon dhe ai kellira per higjene qe ben shurren ne breke ,del para parlamentit me pantallona me pulle shurre,nje thirje per bashkeatdhetaret e mi ta injorojne ate mut dhe te deghojne vetem kshillat e super heronjve tane,mjekeve.

Shto koment

Denonco