Edicioni i lajmeve të TCH si seksion propagande i qeverisë: qorton njerëzit, jo autoritetet

Edicioni i lajmeve të TCH si seksion propagande i qeverisë: qorton njerëzit, jo autoritetet

Nga Vehap Kola - 14/03/2020
Nëse ndiqni edicionin e lajmeve në Top-Channel kuptoni se ky televizion funksionon thjesht si seksion propagande për qeverinë.

Fillon me një raportim nga spitali infektiv në QSUT mbi numrin total të rasteve të prekura nga COVID19, vazhdon me një videotransmetim të bisedës online të ministres së Shëndetësisë me stafin e spitalit infektiv, ndërfutet një videomesazh i ri nga Rama ku paralajmërohet ashpërsim i masave, dhe pjesa tjetër e edicionit i kushtohet plotësisht raportimit me tone kritike të shkallës së respektimit të shtetrrethimit.

Shumë qytetarë e kanë shkelur urdhërin për të mos dalë nga shtëpitë dhe përdorur makinat.

Toni qortues i Ramës dhe vetë gazetarëve raportues të bëjnë të ndjehesh në faj. Përse jemi kaq të pabindur ndaj vendimit të urtë të urtakut në krye të qeverisë?

Ai – na thotë e gjithë përmbajtja e edicionit të lajmeve të Top-Channel – e ka bërë pjesën e tij: na ka dhënë urdhër të mbyllemi në shtëpi, ka përcaktuar gjobat dhe penalitetet për shkelësit e urdhërit fuqiplotë dhe ka nxjerrë policinë e ushtrinë në rrugë për të imponuar zbatimin e tij.

Ne, ç’dreqin kemi që shkelim urdhërin për shtetrrethimin e mëshirshëm të kryeministrit?

Prapë Tirana, Durrësi dhe Kavaja e kanë respektuar në tërësi vullnetin e udhëheqësit.

Po Lushnja dhe Fieri janë derdhur kafeneve dhe është detyruar edhe zv.Kryeminstri vetë që të shkojë të nxjerrë njerëzit nga kafenetë.

A e kuptoni se jeni duke u bërë dëm familjeve tuaja – dëgjohet t’u thotë Braçe qytetarëve të papërgjegjshëm dhe kërcënon me gjobat e majme 5 mijë euroshe (pse në euro, kur monedha jonë kombëtare është leku) kurbetçinjtë që nuk janë vetëkarantinuar.

Nëse epidemia shtrihet me shpejtësi, nuk është më faji i qeverisë por i këtij mileti turkoshak që nuk heq dorë nga kafet dhe llafet, thashethemet dhe fjalët e kota, edhe kur kërcënohet në mënyrë makabre jeta e tyre dhe familjarëve të tyre.

Nuk është fare çudi që televizioni i rreshtuar në formacion propagandimi nuk vë në dyshim asnjë informacion propagandistik të shpërndarë nga qeveria.

A janë duke përdorur mjekët maskat e skaduara?

A është duke blerë qeveria pajisje të mjaftueshme për aspirimin artificial dhe për oksigjenimin e gjakut të prekurve në gjendje kritike për jetën?

A janë shtuar kapacitetet pritëse për karantinimin e të sëmurëve në nevojë për hospitalizim?

A po bëhen testime të vërteta për mjekët në spitale të ndryshme të vendit ku kanë qëndruar me ditë të tëra të infektuar të pavetëdijshëm për sëmundjen?

Pyetje që nuk ngrihen në edicionin e lajmeve të një prej dy televizioneve kombëtare private janë edhe ato që kanë të bëjnë më mënyrën si po përgatitet qeveria t’u përgjigjet etapava më të avancuara të epidemisë në rrafshin ekonomik e social.

Çfarë do të ndodhë me bizneset e vogla dhe të mesme që kanë mbyllur qepenat dhe nuk sjellin në shtëpi lekët e bukës së përditshme? Si do të kompensohet kjo humbje e madhe ekonomike?

Përse disa shqiptarë duhet të paguajnë më shumë se disa të tjerë për të mirën e përgjithshme?

Jo!

Pyetje të tilla dhe një lumë pyetjesh që vënë në pikëpyetje mënyrën kineze puniste sipas të cilës qeveria po dirigjon një proces që s’ka për qëllim menaxhimin e pandemisë, por fuqizimin e pushtetit të saj dhe testimin e skenarëve antidemokratikë, nuk shtrohen në Top-Channel.

Shqiptarët duhet të ndihen fajtorë për mosmbajtjen e higjienës personale, për moszbatimin e urdhërave absolutë për shtetrrethim dhe vetëkarantinim.

Ata nuk kanë të drejtë të ankohen ndaj abuzimit qeveritar apo të kritikojnë qasjen tiranike të saj në ditët më të vështira të vendit.

Kjo do të ishte tradhëti e lartë ndaj atdheut dhe thikë pas shpine për përpjekjet vetëmohuese të Ramës, Veliajt e Manastirliut për t’i shpëtuar ata nga vdekja e tmerrshme.

Jo më kot tradhëtimi i protokolleve të treshes shpëtimtare ndëshkohet më vdekje nga sëmundja ose me gjobë e burgim nga shteti.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

N15/03/2020 21:49

Duan tu bejne lavazh trurit shqiptareve. Ketij nuk i thone top chanel por top qeni

Shto koment

Denonco