Coronavirusi trazon edhe Kosovën

Coronavirusi trazon edhe Kosovën

Nga Syri.net Kosova - 12/03/2020

Pak çaste pasi qeveria mori masa parandaluese ndaj Coronavirusit, politikanët ishin të parët që i shkelën ato. Zëvendëskryeministri Hoti publikoi në rrjete sociale, fotografi nga aktivitetet elektorale në Podujevë, me një masë të konsiderueshme njerëzish.

Kuvendi i Kosovës, gjithashtu, me dhjetëra deputetë dhe persona të të tjerë në sallën, vazhdoi deri pas mesnatës një debat, që rezultoi i kotë në fund. Edhe legjislativi bëri shkelje. Pas vendimit të qeverisë, tubimet publike, duhet të shmangen, deri në tejkalimin e rrezikut nga pandemia globale.

Presidenti duhet t’i shtyjë zgjedhjet për kryetar komune në Podujevë, sepse është e rrezikshme të lejohen më tej gjatë këtyre ditëve grumbullimet masive të njerëzve. Koalicioni “Demokracia në Veprim” u tërhoq nga misioni i vëzhgimit dhe të njëjtën gjë duhet ta bëjnë të gjithë të përfshirët në procesin zgjedhor.

Ndër tubimet më të mëdha, janë ato që organizohen nga Bashkësia Islame, e cila ka shkurtuar ligjëratat e hoxhallarëve, por nuk i ka pezulluar përkohësisht. Duke iu referuar edhe masave shtetërore, BI do të duhej të ndalte përkohësisht aktivitetet e saj me publik.

Kosova ende nuk ka të konfirmuar zyrtarisht asnjë rast të infektuar me Coronavirus, megjithatë të rrethuar nga shtete që kanë shënuar tashmë dhjetëra raste apo edhe viktima, nuk mund të jemi të paprekshëm.

Reagimi institucional pasi OBSH-ja e shpalli pandemi globale Coronavirusin, është i drejtë, i shpejtë dhe me efekt të fortë parandalues.

Me një sistem shëndetësor të dobët, pa kapacitete të mjaftueshme, është i pamundur përballimi i një fluksi pacientësh të infektuar me virusin e rrezikshëm. Prandaj qëndrimi në shtëpi, shmangia e tubimeve, kontakteve, higjiena e shtuar, masat dezinfektuese, e të gjitha këto, e zvogëlojnë mundësinë e shpërndarjes së Coronavirusit.

Të gjithë mund të japin kontributin e tyre, duke respektuar së pari me përpikmëri masat qeveritare dhe duke shpërndarë informacionet zyrtare e të dobishme për popullatën. Roli i medieve është i jashtëzakonshëm, pa rënë në grackën e lajmeve spekulative, që përhapin panik të panevojshëm.

Është për keqardhje që në këto rrethana krize, kur është çrregulluar jeta në përgjithësi, një kategori po fërkon duart nga gëzimi. Janë pikërisht tregtarët matrapazë, që për të rritur shitjet dhe fitimet, po abuzojnë me çmimet dhe po i lënë qëllimisht të zbrazura raftet e marketeve.

Nëse mësimi është ndëprerë, tregtia po vazhdon normalisht, me një kufizim të pjesshëm nga Kina. Furnizim ka të mjaftueshëm dhe është e turpshme kjo sjellje manipulative e kompanive kosovare.

Shumica e kosovarëve, jetojnë në varfëri dhe numërojnë centët kur shkojnë te blejnë diçka. Qytetarët duhet të raportojnë rastet në numrin e ATK-së 080080800, ndërsa secili manipulant të ballafaqohet me forcën e ligjit.

Gjithashtu, Qeveria do të duhej ta ndërpriste fare importin e çdo produkti nga Kina dhe Italia, si dy vende më të prekura, duke pasur parasysh rrezikun e shpërndarjes së virusit edhe përmes mallrave.

Është absurde, të shohësh radhë njerëzish për t’u furnizuar si të ishte kohë lufte, sidomos pas masave shtetërore. Ato masa u morën për të shtuar sigurinë dhe për të parandaluar rrezikun e jo për të përhapur panik te qytetarët.

Kosova, fatmirësisht është e vetmja në hartën evropiane ku nuk ka gjurmë Coronavirusi. Kjo mund të ndryshojë ditëve në vijim, megjithatë, reagimi parandalues pritet të japë frytet e veta.

Nga kjo situatë, shteti dhe shoqëria duhet të nxjerrin mësim, për pikat e dobëta që i kemi, në këto raste krizash. Shëndetësia duhet patjetër të marrë vëmendje serioze. Është skandaloze, që Qendrën më të madhe spitalore në Kosovë, të mos ketë as sapun për larjen e duarve. Nuk po flasim këtu për barna, shtretër, respiratorë etj, etj..

Higjena, pastërtia, ambienti, kanë rëndësi jetike, për t’i bërë ballë pandemive si kjo e Coronavirusit.

Mbi të gjitha, kjo situatë mund ta shtojë vetëdijësimin e secilit. Mos prisni t’ju shkojë temperatura 40 gradë, por lajmërojuni te mjeku.

Reagimi i shpejtë, shpëton shumë pacientë, nga një virus që ka aftësinë të shpërndahet rrufeshëm, e të godasë ata më në moshë apo të tjerët që kanë sëmundje të ndryshme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco