Pandemia rrezikon më shumë qeverinë sesa shqiptarët

Pandemia rrezikon më shumë qeverinë sesa shqiptarët

Nga Gentian Gaba - 12/03/2020

Mitet e ngritura mbi imunitetin e shqiptarëve ndaj koronavirusit ranë. Ndonëse virusi kishte depërtuar në Shqipëri prej muajit shkurt, pacientët e parë u regjistruan në mbyllje të javës së parë të marsit. Pas fillimit të vakët, qeveria nisi një përshkallëzim të aksionit të saj për menaxhimin e situatës.

Ndryshimi i beftë u vu re sidmos nga komunikiumi i kryeministrit. Ai që pak javë më parë e cilësonte virusin si dicka të përafërt me gripin sezonal, pasditen e të martës ndryshoi komplet regjistër komunikimi. Nga goja i dolën fjalët izolim, gjobë, burg, luftë, ushtri.

Një nervozizëm që ka burime të ndryshme, me rrënjë të thella në përgjegjësitë që i ngarkohen atij që qeveris i vetëm, sikurse është frika se situata mund t’i shpëtojë nga kontrolli, me pasoja të rënda për vendin. Po aq përcaktues për tensionin në rritje të Ramës është vetëdija se, mosmarrja në kohë e masave, kur të gjithë faktorët e përgjegjshëm politikë dhe shoqërorë i kërkonin përgatitje serioze për ardhjen e pashmangshme të pandemisë edhe në vendin tonë, mund t’i krijojë kosto të larta politike.

Ndikues ishte edhe denoncimi i Partisë Demokratike, si fillim nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm dhe më vonë nëpërmjet Kreut të saj, i skandalit të 1.2 milionë maskave të skaduara; i cili vuri në pah një papërgjegjshmëri të frikshme kundrejt gjithë atyre që i kanë përdorur, apo do t’i përdornin, me idenë se janë të mbrojtur, duke i ekspozuar edhe më shumë ndaj rrezikut. Por, me siguri edhe arsyeja më e fortë për botëkuptimin e Ramës, çka e nervozon më shumë, është frika nga izolimi. Jo izolimi i shqiptarëve apo i Shqipërisë, por izolimi që po pëson ai dhe për pasojë edhe propaganda e tij.

Në ditët në vijim, kur rrjetet sociale do të jenë e vetmja dritare për qytetarët e mbyllur në shtëpi, Rama do ta ketë të pamundur për të kontrolluar të gjitha kanalet e informacionit apo për të prodhuar monopolin e komunikimit që prodhoi pas tërmetit. Do ta ketë gjithashtu të pamundur të dhurojë të njëjtin spektakël që prodhonte kur përdorte çdo gjë, njërëz apo kafshë, vetëm për të prodhuar lajme që mbanin vëmendjen te ai dhe jo te situata reale.

Ndryshe nga ato ditë, kur me komunikim hoqi vëmendjen nga përgjegjësitë me të cilat ishte ngarkuar partia-shtet pas tërmetit të 21 shtatorit, sidmos në zonën e Thumanës, si dhe nga mungesa e përgatitjes për t’u përballur me një emergjence të atij lloji, këtë herë është i kyçur.

Nuk del dot të performojë, të përqafojë, t’i puthë apo ta puthin, por do të jetë i mbyllur në ekranin e tij. Me një skenografi të limituar dhe me një numër të kufizuar figurantësh.
Nga aty do të mund të sokëllijë ndaj kundërshtarëve politikë dhe mediave, madje me shumë gjasa edhe do t’i kërcënojë, por nuk do të mund të prodhojë sasinë e nevojshme të propagandës për të fshehur skandalet që situata të tilla ekspozojnë.

Paradoksalisht, ky virus i përbotshëm, i cili godet sistemet imunitare të dobëta, rrezikon më shumë qeverinë sesa shqiptarët, sepse i dobët është sistemi imunitar i qeverisë aktuale. I dërrmuar nga korrupsioni që, sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2019, është i kudondodhur, në të gjitha degët, përfshirë institucionet lokale. Një korrupsion që shkatërron aftësinë për t’ju përgjigjur sifdave ekonomike, oganizative dhe administrative që koronavirusi përcakton.

Andaj, Rama ndihet i kërcënuar dhe sulmon kundërshtarin politik, që ndryshe nga rasti i tërmetit, nuk i ofroi asnjë armpushim. Sepse ndryshe nga tërmeti, jetët për të shpëtuar nuk duhen nxjerrë nga rrënojat, por duhen mbrojtur nga rrënojat e një qeverie që i ka pajisur shtetasit e saj me maska që krijojnë iluzionin e shpëtimit, duke rritur kësodore rrezikun e ekspozimit.

Pa asnjë ide, madje me shumë ide të rrëmbyera nga propozimet e Lulzim Bashës, shpreson në imponimin e një fryme apolitike, pra të një gjendjeje në të cilën të ketë mundësi t’i shpëtojë dështimeve të qeverisjes nëpërmjet neutralizmit të debatit dhe, më vonë, elektoralizmit në favor të tij të rezultatit.

Megjithatë, nga qasja e opozitës dhe grumbullimi i pakënaqësisë qytetare rreth qeverisë, duket se kjo pandemi do të jetë një proces shërimi, jo vetëm shëndetësor; gjatë të cilit nuk do të merren masa vetëm për COVID-19, por për një tjetër virus të urryer nga shqiptarët, ai i korrupsionit me maska të skaduara.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco