Pse papërgjegjshmëria e qeverisë mund të vrasë më shumë se koronavirusi?

Pse papërgjegjshmëria e qeverisë mund të vrasë më shumë se koronavirusi?

Nga Red Varaku - 10/03/2020

Ka një përpjekje të qeverisë për ta trajtuar edhe këtë fatkeqësi si një pabesi të natyrës, ndërsa veten sërish si viktimë. Jo rastësisht kryeministri, në vend të një task force serioze me atribute ekskluzive për këtë emergjencë, thirri në takim përfaqësuesit e besimeve fetare.

Kjo me qëllim ‘larjen e duarve’ për të shpëtuar nga ‘virusi’ vdekjeprurës i përgjegjësisë që qeveria ka në situata të tilla. Masat kryesore që propozon deri tani qeveria shqiptare për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi, përveç disa masave qesharake spitalore, janë në thelb masa informuese që mund t’i ndërmarrë qoftë edhe një OJF.

Sigurisht, detyra kryesore e një qeverie është kujdesi për shëndetin e popullatës që në rastin konkret është qesharak, por nuk duhet lënë mënjanë kurrsesi kujdesi për ekonominë, e cila nëse trazohet mund të shkaktojë më shumë viktima se covid-19.

Deri tani, përveç mbylljes së shkollave e cila duhej bërë sapo virusi u shfaq në Itali, nuk kemi asgjë thelbësore, që garanton shëndetin e publikut dhe ekonominë.

Fjala vjen, qeveria nuk ka krijuar ende asnjë task forcë serioze me atribute eksklusive, e cila të ndërmarrë vendime që nuk lidhen vetëm me përballimin spitalor të situatës, por me pasojat që kjo do të sjellë në realitetin publik dhe ekonomik.

Një task forcë që do të analizojë dhe propozojë një fond të caktuar për të përballuar situatën sidomos nga familjet që i përkasin shtresave vulnerabël.

Vendimi për mbylljen e shkollave edhe pse shumë i vonuar, është i pakuptimtë nëse nuk shoqërohet me mënyrën se si do të kujdeset për këta fëmijë.

Ky vendim duhet të shoqërohej patjetër me vendimin që njëri nga prindërit duhet të kujdeset për ta, dhe për këtë duhet të kompensohet nga qeveria. Kjo do të ishte një masë lehtësuese për shumë familje.

Për prindërit që janë të punësuar në sektorin privat kjo do ta lehtësonte barrën. Kjo mund të realizohet fare thjeshtë. Pra, qeveria duhet të kujdeset që të gjithë që të vazhdojnë të marrin rrogën normalisht.

Gjithashtu, dihet që kjo situatë do të godasë më së shumti industrinë e turizmit dhe transportit publik. Deri tani nuk kemi asnjë masë se si do të përballohet kjo nga qeveria. Një pjesë jo e vogël e tyre kanë detyrime financiare për shkak të kredive.

Nuk kemi asnjë strategji se si do të kompensohen bizneset që lidhen drejtpërdrejtë nga këto industri ku janë të punësuar me mijëra shqiptarë. Falimentimi i tyre mund të sjellë kaos dhe pasoja më të tmerrshme se vetë koronavirusi. Sigurisht, që kjo strategji përballohet vetëm me para.

Qeveria duhet të marrë masa urgjente për të garantuar vazhdimësinë e këtyre sektorëve nëpërmjet financimit të tyre. Për këtë duhet domosdoshmërisht një rishikim i buxhetit, për të garantuar qytetarët dhe këto biznese.

Vetëm kështu duhet të veprojë një qeveri që është vërtet e përgjegjshme për qytetarët e saj. Vetëm kështu evitohet paniku. Nëse masat do të lidhen vetëm me përballimin spitalor të emergjencës, kjo do të ishte një papërgjegjshmëri që larg qoftë mund të prodhojë më shumë viktima se covid-19.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Askushi10/03/2020 13:46

Ju besoni se kjo fytyre horri e ka mendjen tek populli , tek semundja,tek termeti,tek hallet???? Ky perbindesh i pa ngopur edhe ne kete moment po vjedhe e po grabit duke e shfrytezuar kete raste qe askush nuk merret me te se jane ne halin e semunndjes.

Many 10/03/2020 12:57

Redi paska perkthyer me kujdes planin e Trampit. Rama ska as byth as pará ta zbatoje.

Ai10/03/2020 12:55

Mos u beni merak, beni check-up tek Vima Nushi dhe u zgjidh problemi.

Shto koment

Denonco