Mësuesi model i shoqërisë, racë në zhdukje pa nam e pa fare

Mësuesi model i shoqërisë, racë në zhdukje pa nam e pa fare

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti - 07/03/2020

Në tërë historinë e vendit tonë të afërt dhe të largët, mësuesit të secilës kategori që të ishin, në fillore, 7 apo 8 vjeçare, në gjimnaz, në qytet e në fshat, në kohë lufte a paqeje, kishin nderimin e një shoqërie të tërë. Mësuesi shikohej nga nxënësit me endje të madhe, shërbente si model dhe shumë syresh zgjodhën mësuesinë, pikërisht prej këtij modeli, të pacenueshëm që shoqëria jonë e mbante si ujët e pakët. Krahina, qyteti, fshati, lagjja, të afërmit, konsultoheshin me mësuesin për gjithçka, për sëmundje që kishin, për bimët, motin, ndërtimin e shtëpisë, urën, çezmës, për sjelljen e fëmijëve dhe të ardhmen e tyre. Cilido që e njihte ose jo, i trokiste në derë për një gisht letër që duhet ta çonte tek kajmekami, tek kreu i kazasë, tek qeveritari, tek motra, vëllai, djali nizam a ushtar dhe mësuesi nuk përtonte asnjëherë. Ai, mësuesi ishte i pari në sofër dhe sytë i kishin të gjithë tek ai. Në kohën më të errët, mësuesi mbrohej dhe kush e prekte e priste hakmarrja e një krahine të tërë. I helmuan, i vranë i sakatuan, por ata u ngritën në këmbë me gjithë forcën që kishin për të filluar përparimin e atdheut nga arsimi, nga figura e mësuesit. Jo më kot prej 1908-1910, gjithçka ju kushtua arsimit, prej alfabetit deri tek hapja e të parës shkollë për mësuesit në Shqipëri, Normales së Elbasanit. Shqipëria shpalli pavarësinë, por sytë i kishte më së pari tek arsimi. Në Kanunin e Përtashëm (ligji i parë kushtetues) i Shqipërisë, i miratuar në vitin 1913, drejtori i arsimit,  ishte automatikisht Kryetari i Këshillit të Prefekturës. Kjo për t’i dhënë  një rëndësi të shkallës që meritonte profesioni i mësuesit dhe në tërësi rëndësia jetike që ka në një shoqëri edukimi dhe arsimi. Në resohet të profesionit të tij, në çdo cep të Shqipërisë por edhe ndër viset shqiptare në Ballkan, mësuesi nuk thërritej në emër në emër, por zotni mësues.

Erdhi koha e diktaturës dhe zotnia mësues, na u bë shoku mësues. Urdhërohej dhe kontrollohej nga zdrukthëtarë, karpentier, saldatorë, karrocier në jo pak raste, po përsëri nuk e humbi rëndësinë e tij. Për ne, prindërit tanë, fjala e tij ishte ligj dhe nuk vihej asnjëherë në dyshim. Të gjithë i flisnin dhe e përshëndesnin kur e hanin në rrugë, kafene a dyqan, mjaft që ta dinin se ai ishte mësuesi i një shkolle të vogël a të madhe 8 vjeçare a të mesme, kishte pak rëndësi. Mësuesi vente në aksion, së bashku me të tjerët, por e vinin si mbikëqyrës, organizator, të drejtonte klasën a mëhallën. Mësuesi ishte aty, gjithnjë i gatshëm, për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë të shihnin me optimizëm edhe aksionin që nuk ishte gjë tjetër veçse një punë skllavëruese pa pagesë. Ai ishte personi ku besohej më shumë, vendimi i tij konsiderohej i padiskutueshëm dhe në përgjithësi ishte më pak i politizuar. Në rrallë mësues gjeje të rrënjosur luftën e klasave, diskriminimin për shkak pozite, ndihmën për fëmijët e hierarkive komunist dhe lënien pas dore të fëmijëve nga familje punëtore, apo pa ato me që quheshin me cene në biografi.

Pavarësisht ndryshimit radikal të sistemit politik, mësuesi ruajti në formë e përmbajtje vetitë e tij më të mira, që përpiqej t’i pasqyronte tek ata që mësonte dhe edukonte si dhe në mjedisin që e rrethonte ën shkollë, në lagjen e tij, në pallat apo përreth ndërtesës private ku banonte. Ai i përpoq për sa i lejonte koha të mbante larg politikën në shkollë dhe të mësonte fëmijët të ishin kërkues në jetë, duke u përpjekur që përmes dijes të bëheshin sa më të dobishëm, për veten, familjen dhe vendin. Pas vitit 1990, arsimi pati një tronditje shumë të madhe si të gjithë. Mësuesit diku të lodhur e diku të zhgënjyer, u larguan nga vendi. Duke parë realitetin në sy, ata e kuptuan se kishin bërë shumë pak për nxënësit që kishin kaluar në dorë. Shumë gjëra nuk ja kishin mësuar ose ju kishin dhënë dije të deformuara. Nxënësit meritonin më shumë, por sigurisht edhe mësuesit meritonin më shumë. Paga që ata merrnin i vuri në vështirësi të mëdha ekonomike, duke mos lënë shumë zgjedhje, veç njërës emigracionit, duke lënë pas me shuam dhimbje vite të tëra të jetës së ttre, me idenë se ata ishin luftëtarët e përparimit.

Ata që mbetën, krijuan organizmat e tyre sindikal, të cilat ndonëse jo me një intesitet të lartë, filluan të kërkojnë të drejtat e tyre. Ndërkaq që u zgjerua gama e programeve të studimit për mësuesi, që do të thoshte se ende shqiptarët parapëlqenin profesionin e mësuesit e në mënyrë të veçantë femrat. Kjo tendencë sigurisht ishte një gjë e mirë. Pas viteve 2000, me rritjen e pagës, mësuesia u bë një profesion edhe më i kërkuar. Me një page që ishte dinjitoze, me një status të rifituar në shoqëri, me mundësi karriere brenda institucioneve shkollore dhe atyre vendore, profesional i mësuesit tërhoqi kjo pak të rinj. Por në 7 vitet e fundit duket qartë se profesioni i mësuesit po braktiset, sikundër edhe i institucionet shkollore prej nxënësve. Në vitet e fundit, kronikat për fat të keq flasin për një degradim gjithnjë e në rritje, të figurës së mësuesit dhe pedagogut. Mësues dhe pedagogë janë kapur në afera korruptive në dhënie e marrje parash, në kërkim të favoreve seksuale, janë identifikuar drejtuesit e arsimit dhe një pjesë e mësuesve si militantë partie pa kurrë farë vlere në fushën e edukimit dhe transmetimit të dijeve tek fëmijët, nxënësit dhe studentët. Sistemi është tronditur rëndë dhe thuajse ka prekur fundin, por shumë më i rëndë është fakti, që mësuesi ka humbur profilin e tij si model i shoqërisë, si misionar i përparimit, mirësisë, dijes dhe moralit të lartë në një shoqëri. Mësuesi nuk bën as përpjekjen më të vogël, për të luftuar për më shumë të drejta, mirëqenie dhe respektim të figurës së tij.

Mungesën e shpirtit opozitar dhe qytetar e ka zëvendësuar me kompromise të fëlliqur për të përfituar përmes kurseve private, servilizmit ndaj drejtorit, nënshtrimit ndaj gjithçkaje që i duket e padrejtë dhe për të cilën ka vendosur të hesht. Përse hesht dhe bëhet palë me të keqen, duke rrënuar figurën e tij dhe duke ndikuar në formimin e një nxënësi skllav dhe jo të një qytetari të lirë? Sepse mendon se “do ta heqin nga puna, do ta lenë pa bukë, nuk ka ku të shkojë, se nuk luftohet i vetëm” e të tjera broçkulla si këto. Një mësues i tillë nuk ka se çfarë u mëson nxënësve, as në fushën e dijes dhe as në atë të edukimit të një qytetari me vlera demokratike. Nuk mund të rrënjosësh tek nxënësit kurajën për të vërtetën, luftën për një shoqëri më të drejtë, tolerancën dhe mirëkuptimin, rëndësinë që ka fjala e lirë, vota e pa ndikuar nga paraja, krimi dhe dallavere të tjera. Jo, ky model mësuesi që shohim nuk e bën.

Gjithkush mund të thotë e ke gabim zotëri dhe unë do të isha i lumtur të më vërtetonte të kundërtën. Të më thonë se ku janë këta mësuesit, të cilët duhet të denonconin skandalet në shkollën e tyre prej nëpërkëmbjes së figurës së tyre e deri tek aferat me shitjen e teksteve shkollore, kurset private, vajzat që shfrytëzohen nga mësues pervers, kthimi i shkollave në shesh xhirimi të videove intime, në shesh prove të gazrave helmues, muret dhe tualetet e shkollës që mbajnë era marijuanë e plot të tjera. Le të më thonë se kur mësuesit u bënë bashkë me nxënësit dhe të kërkojnë më shumë hapësira për dijen, më shumë mundësi për mjedise argëtuese për nxënësit, më shumë mundësi për të rinjtë e në veçanti ata në pamundësi ekonomike të shkollohet e të mos mbeten analfabetë të pashpresë, kontingjent i botës së krimit. Mësuesit por edhe pedagogët, duhet të ishin opozita më e fortë e cilitdo që qeveris, duke u bërë një model për nxënësit dhe shoqërinë, për më shumë kërkesë llogarie dhe përparim në shoqëri. Në të vërtetë ata kanë bërë të kundërtën. Janë  bërë një me të keqen, për arsye që ata i shpjegojnë vetë, duke i humbur një mundësi shoqërisë sonë për më shumë civilizim dhe më shumë besim tek shtresa më tradicionale që ata i kanë besuar ndër breza: arsimtarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco