Dy dhomat e Bashës për të zhbërë ‘aneksin’ e Ramës

Dy dhomat e Bashës për të zhbërë ‘aneksin’ e Ramës

Nga Gentian Gaba - 07/03/2020

Kur në Shtetet e porsalindura të Amerikës diskutohej mbi sistemin, kishte një dallim këndvështrimesh midis etërve themeleues. Në fund, zgjedhja institucionale do të binte mbi një sistem politik me dy dhoma, për të cilën ka një anekdotë ilustruese për arsyet që çuan drejt bikameralizmit (nga latinishtja ‘bi’, dy dhe ‘camere’, dhoma).

Ndërsa diskutonin, Thomas Jefferson, i cili përfaqësonte rrymën e atyre që mbështesnin idenë e një parlamenti monokameral, pra me një dhomë, dhe George Washington, mbështetës i bikameralizmit; ky i fundit, teksa mbushte filxhanin me çaj dhe priste përpara se ta konsumonte, i theksonte Jeffersonit se, i vakët mund të pihej më mirë.

Një anekdotë që me thjeshtësi përcjell edhe një nga qëllimet kryesore të dhomës së dytë, ‘ftohjen’ e tendencave që çojnë drejt ‘tiranisë së mazhorancës’, duke shmangur përqendrimin e fuqisë së legjislativit, si garanci e pluralizmit dhe ekuilibrit të pushteteve.

Si kundërvënie ndaj rrezikut që i kanoset pluralizmit dhe për restaurimin e ekuilibrit të pushteteve që ka rënë, ka lindur edhe propozimi i kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili, ditën e premte, parashtroi një platformë politike që mbart propozime për ndryshime rrënjësore.

Njëri prej tyre është edhe senati, si një dhomë e dytë, që të filtrojë legjislacionin dhe politikat kryesore të shtetit, në mënyrë që të bëjë të mundur rritjen e demokracisë në vendimmarrjen e legjislativit. Diçka që nuk krijon kosto shtesë për qytetarët, Parlamenti do të ketë 100 anëtarë, ndërsa Senati 40 anëtarë, por do të rrisë llogaridhënien e qeverisë.

Krahas Senatit kishte edhe pika të tjera, po aq të rëndësishme; siç është struktura për të forcuar kontrollin e plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, për të cilën, 30 qershori pa kundërshtarë dhe me dekriminalizmin në fuqi, tregoi se vendi ka shumë nevojë.

Në lidhje me cilësinë e zgjedhjeve janë edhe propozimet e tjera, si toleranca zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës; financimin e partive, për ta shpëtuar nga gracka e bizneseve që dhurojnë fonde në fushatë dhe blejnë influencë në qeveri; votimi dhe numërimi elektronik, si dhe propozimi për një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, 100 ditë përpara zgjedhjeve, derisa Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Pra një përpjekje për t’i dhënë legjitimitet një procesi që e ka humbur atë, sepse ilegjitimiteti në zgjedhje ka prodhuar ilegjitimitet në qeverisje.

Me impakt të lartë për interesin publik ishte edhe propozimi për ndryshimin e sistemit, për të cilin kreu i PD-së theksoi se: ‘Duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë’.

Sigurisht diçka jo e re, Basha e ka artikuluar prej kohësh preferencën për një sistem mazhoritar të pastër, por që në prag të konkretizimit të Reformës, nën hyqmin e kushteve të Bundestagut, tingëllon si një sfidë e qartë ndaj statusquo-së. Një hap që i lejon opozitës të kthehet në një vektor ndryshimi për të gjithë ata që kanë kërkuar një sistem zgjedhor më konkurrues dhe demokratik.

Këto propozime politike, që kanë potencialin për të krijuar një agregat të madh shoqëror rreth opozitës, nëpërmjet të cilit mund të ushtrohet trysni mbi mazhorancën, nuk u pritën mirë nga mazhoranca, e cila u tregua vrik refraktare sapo u njoh me platformën e Bashës. Shenjë e qartë se kjo risi përbën një kërcënim për pushtetin e mazhorancës dhe ka forcën të zhbëjë parlamentin e sotëm, i cili nuk është gjë tjetër, veçse një ‘aneks’ personal i Edi Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Arber08/03/2020 10:52

Hapia e ketij diskutimi tani heq perqendrimin nga problematika aktuale, shume e rende. Keto, qe une jam dakort, jane per nje faze kur PDja eshte ne pushtet e do te bej reforme e mbulon median me kete debat. Tani sa na cperqendron te problemi i vertete.

Shto koment

Denonco