Kongresmenja Besa dhe parada imagjinare e sukseseve në arsim

Kongresmenja Besa dhe parada imagjinare e sukseseve në arsim

Nga Ndriçim Mehmeti - 01/03/2020

Në ditët e Kongresit të PS-së apo më saktë të Forumit më të Lartë e simbol të prodhimit të gënjeshtrës në vendin tonë, nuk mungoi që pjesë e kësaj parade të pështirë të bëhej vetë ministrja më e paaftë e kësaj qeverie Besa. Besa doli e na foli fillimisht si një mbrojtëse e flaktë e çështjeve së emancipimit të vajzave dhe grave.

Si fillim, Besa na tregoi një gjë që nuk e dinim: Në sistemin tonë të arsimit ka më shumë gra se burra. Na e bëri të ditur këtë me kaq pathos e krenari, a thua se tani, madje kur Besa u bë ministre e arsimit, ka ndodhur kjo gjë se më përpara ka qenë ndryshe. Me demek rishpiki rrotën, e cila do të sjell përparimin më të madh në shoqëri.

Në vijim të habive që shkakton gjithnjë Besa me daljet e saj publike, na bëri të ditur një gjë që ndodh vetëm në Shqipëri dhe e ka zbuluar së fundmi ajo, gruaja “e çelnikt” e arsimit: “Ato (mësueset) janë të reja dhe më në moshë, janë nga qytetet dhe fshatrat e thella, kanë studiuar në Shqipëri dhe jashtë, janë të majta apo të djathta, apo s’u intereson politika fare. Por, një gjë që e kanë të përbashkët të gjitha është se si gra, ato përveç punës me pagesë, bëjnë edhe shumë orë pune pa pagesë në shtëpi. Ato janë nëna, bashkëshorte apo kujdestare të prindërve të tyre dhe kanë obligime shtëpiake që nuk i ndajnë me burrat e familjes.”

Pra Besa na kumtoi se gratë në Shqipëri bëjnë punë pa pagesë (se aty ku ka qenë Besa paguhen për punët shtëpiake) dhe sigurisht harroi të na përmendte se falë dashurisë së madhe që ajo ka dhe Rilindja me në krye Komandantin për gatë nuk i kanë rritur në 6 vjet e kusur asnjë qindarkë rrogën e mësuesve, duke i lënë në varfëri e pozitë poshtëruese në krahasim me të gjitha pagat e tjera që jepen në sektorin publik e privat. Por ama Besa zbuloi atë që Çajupi e shkroi në vjershën e tij të famshme “Fshati im”, “burrat nën hije/lozin kuvendojnë/pika që s’u bie se nga gratë rrojnë”.

Dhe na i tha në gjuhë të pastër shqipe si ministre arsimi që është, “kanë obligime (jo detyrime), të mëdha në shtëpi” dhe për këtë arsye, Besa ja ka lehtësuar shumë punë  në shkollë, duke i ngarkuar me një barrë detyra, që nuk arrijnë t’i përfundojnë deri në mes të natës. Besa na informoi se punësimet në arsim, janë transparente sipas meritës dhe jo sipas orekseve të politikës.

Bukur Besa. Tani a mund të më thuash, sa drejtorë shkollash, kopshtesh dhe çerdhesh kishte në Kongresin e PS-së, pasi janë të regjistruar në ekranet e TV, me fytyrë dhe mund të identifikohen lehtë? Sa prej tyre u zgjodhën anëtare të Asamblesë? Për të ardhur më konkretisht në terren: Si u përzgjodh dhe a është jashtë ndikimit politik ish-deputetja e PS-së për Ndroqin aktualisht drejtuese e ZVAP Tiranë dhe shumë të tjera si ajo? Vijojmë me gënjeshtrat e Besës. “Kemi përfshirë mësuesin ndihmës në sistem. Meritë e Lindita Nikollës në fakt, e cila me vizionin e saj mundësoi që fëmijët me Aftësi të Kufizuara të kenë mundësinë për të arritur potencialin e vetë maksimal brenda sistemit arsimor.”

Kjo është një gënjeshtër e madhe. Projekti për integrimin e fëmijëve me aftësi dhe nevoja ndryshe, me vështirësi në të nxënë dhe familje në nevojë, është shumë më i vjetër se të vinte Lindita në ministri. Përfshirja e mësuesve ndihmës është detyrim i ligjit 69/2012 për fëmijët me Atësi të Kufizuara është detyrim ligjor dhe nuk ka lidhje fare me dëshira, vizione apo pasione. Gënjeshtra e radhës e Besës brenda një fjalimi, bëhet edhe më e madhe, kur flet për vizonin e Linditës. Gjëja më e parë që i mungon Komandantit Linditës, Besës dhe gjithë stanit të Rilindjes, është pikërisht mungesa në shkallën më të lartë të një vizoni të qartë për arsimin.

Mashtrimi tjetër që publikove live në mexhlisin tallava të Rilinjdes, ishte: “Gratë sot në Shqipëri pas lindjes mund të përfshihen më shpejt në tregun e punës se sa kudo në rajon, për shkak se sistemi i arsimit parashkollor ka pranuar mbi 80% të fëmijëve të moshave 3 deri në 6 vjeç”.Le të kujtojmë se cili është programi i Komandantit dhe “vizionares” Lindita, për fëmijët e arsimit parashkollor, në Strategjinë e Arsimit Parauniversitar 2014-2020, të miratuar në vitin 2016 dhe të botuar në Fletoren Zyrtare.

Në faqen43, të kësaj strategjie shkruhet: “Nga viti 2018, 95% fëmijët e grup-moshës 5-6 vjeç (përfshirë dhe ata me AK) përfshihen në klasat përgatitore, ndërkaq 90% e grup-moshës 3-5 vjeç përfshihet në forma të ndryshme të edukimit parashkollor që funksionojnë bazuar në kurrikulat përkatëse”. Pra Lindita ikona e aksionit të shkatërrimit të arsimit, na kishte premtuar se në vitin 2018, kur ti Besa ishe zëvendësministre e arsimit parauniversitar,  95% e fëmijëve 5-6 vjeç dhe 90 % e grupmoshës 3-5 vjeç do të në sistemin parashkollor. Besa nw 2020, e uli shumë shifrën me 80% dhe kjo në gjuhën shqipe quhet gënjeshtër me thes.

Pastaj Besa kthehet e na tregon se sa shumë ka kontribuar arsimi për gratë.

“Gjithçka që kemi bërë në përmirësimin e sistemit paraunversitar ka patur në mendje gruan dhe vajzën: mësuesen, nxënësen, nënën apo kujdestaren. Dhe sot gruaja shqiptare është më e respektuar, më e arritur dhe më e barabartë për shkak të këtij sistemi arsimor.” Shumë mirë Besa. Por ti po rrit çdo vit notën mesatare, duke i ndaluar gratë dhe femrat që së paku të bëhen edukatore kopshti dhe çerdheje. Me punësimin tënd nepotist në shkolla, ku gruaja mbulon perversiteitn e burrit në shkollë, ke bërë që nxënëset femra të kenë tmerr nga mësuesit play boy dhe zhigolo. Kur Lindita vizionarja ka qenë në kolltukun tënd, një vajzë është qëlluar për vdekje brenda shkollës, apo edhe këto ngjarje janë bërë nën përkujdesjen e veçantë të Linditës dhe tënden?

Por Besa na jep një tjetër këndvështrim shumë të kuptueshëm në aspektin gjuhësor shqiptar dhe shumë cinik, si rilindëse e devotshme.

“Kurajo, të cilën media patriarkale po e ngulfat duke marrë raste sporadike të këtyre denoncimeve. Dhe në vend që t’i trajtojë me ndjeshmëri, shkon i nxjerr në emisione ku gra të reja dhe të zhveshura vallëzojnë para burrave gazetarë, të cilët spekulojnë me javë për detajet e abuzimeve, vetëm e vetëm për të tërhequr shikueshmëri për mediumin ku transmetojnë emisionin. Dhe s’janë as të vetëdijshëm për hipokrizinë e tyre kur gjoja brengosen për ngacmime seksuale, ndërsa objektifikojnë, dhe ndoshta edhe ngacmojnë, trupat e grave të reja të cilat i detyrojnë të vallëzojnë në emision.”

Shkurt muhabeti, Gentjan Zenelaj dhe Saimir Kodra kanë nxitur përmes emisionit të tyre ngacmimin seksual nw shkolla e madje janë edhe vetë subjekt i këtij veprimi, me balerinat që kanë në studio. Njësoj si Komandanti që i turret mediave duke i etiketuar në gjithfarë mënyrash, sa herë që nuk i shkojnë përshtat.  Së fundmi Besa, kjo luftëtare e paepur e të drejtave të grave, kundërshtare e palëkundur e mizogjinisë dhe femicidisë (gjejini vetë se çfarë janë), e gjeti çelësin e suksesit që i mungonte deri më sot sistemit arsimor. “Na duhet një sistem arsimor që përmes edukimit emancipues të vajzave dhe djemve e lufton patriarkalizmin që i ka vendosur lakun në fyt si vajzave ashtu dhe djemve. Leximet feministe do të jenë të detyrueshme në shkollën e mesme.”

Pas 7 vitesh qeverisje të Rilindjes 3 të Besës në ministrinë e arsimit, u gjet ilaçi që shëron gjithë sistemin arismor: Lexime feministe në gjimnaz, sikundër na lajmëroi pak më herët në fjalën e tij Komandanti. Nëse nuk mbaron gjimnazin por vetëm shkollën 9 vjeçare, do t’ju mësoj Besa me Linditën vullnetarisht e pa pagesë obliguese, çështjet feministe në shtëpi. Ja pra këto ishin qyfyret e fundit, të përziera me mashtrime e shkarje në delir të pakontrolluar të Besës. Besa na erdhi me plot pompozitete si një analiste e çështjeve të arsimit nga Kosova dhe si hulumtuese e integrimit evropian dhe nuk zhgënjeu aspak në servilizmin e saj, si shprehje e paaftësisë plotë që ajo ka në njohjen, pale drejtimin e arsimit në Shqipëri. Besa duke folur herë si aktiviste e shoqërisë civile e herë si zëdhënëse e OJF-ve në mbrojtje të grave e herë ai suflere e Komandantit, nuk foli për asnjë moment si ministre arsimi. Me një mori gënjeshtrash që pasonin çdo resht e paragraf ligjëratën e saj gjysmë shqip, kupton fare qartë se pse ka rënë në këtë derexhe arsimi. Kushdo që do të ketë pak durim, të lexojë ligjëratën e kongresmenes Besa, ose e ka dëgjuar atë drejtpërdrejtë si puna ime, do të ndihet i turpëruar, për nivelin me të cilin përfaqësohet arsimi, sektori më i rëndësishëm nga ku varet përparimi apo degradimi i një shoqërie. Ndërsa gratë e dikurshme të Byrosë Politike ndihen krenare e të lehtësuara, pasi niveli i përfaqësimit të tyre në ministrinë e arsimit, tyre ka qenë pak më mirë se ai i Besës dhe Linditës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gezim01/03/2020 20:03

Shqiperia, fanar ndricues ne bote...! Tamam si fjalimet e diktatorit te vjeter me urdher te te riut!

lushingabarbullushi01/03/2020 19:17

Po cne Besa ne kongres? Ajo nuk eshte antare e “Ripjerdhasve”

Shto koment

Denonco