Mos ta fusim kokën si struci përpara koronavirusit!

Mos ta fusim kokën si struci përpara koronavirusit!

Nga Artan Fuga - 24/02/2020

Nuk duhet pritur. Pa asnjë alarm, por me qytetari të devotshme dhe të përgjegjshme! Duhet ndryshuar katërcipërisht logjika e mbrojtjes nga virusi vdekjeprurës dhe shumë i rrezikshëm në përhapjen e tij. Duhet ndryshuar rrënjësisht mënyra e të menduarit! Përndryshe deficienca logjike e deritanishme do të na shkaktojë dëme të mëdha!

Më së pari është detyra numër një e qeverisë sot! Përgjegjësia do të jetë e rëndë për këdo nesër! Nuk duhet pritur të shfaqet rasti i parë dhe pastaj të merren masa, por duhen marrë masa që sot sikur rasti i parë të ishte shfaqur.

Që sot! Pa asnjë panik! Qetë, me masa administrative, me bashkëpunimin qytetar, me shoqërinë civile. Sepse ka shumë mundësi që të mos ketë një rast të parë, por të ndodhi një shpërthim epidemie brenda një kohe vetëtimë. Mos nisemi si në rastin italian apo kinez ku shfaqet në një zonë të izoluar. Te ne ka shumë rrezik të ndodhi ndryshe! Prandaj më mirë të parandalojmë sesa të përpiqemi ta mbushim digen e çarë me thasë me qereste! Duhet tani t'i paraprijmë!

Unë nuk mohoj që masa të ndryshme duhet të jenë marrë, por ka nevojë për masa drastike.

Mbyllje e shkollave për disa javë!
Shtyrje e aktiviteteve sportive dhe kulturore.
Kontrolle të forta dhe hyrje të filtruara në kufijtë tokësorë dhe ajrorë.
Masa për transportin publik, për dizinfektime masive.
Kufizimi i lëvizjeve nga rrethet drejt qendrave të mëdha urbane, si Tirana dhe Durrësi.
Shërbime minimale dhe të domosdoshme për njerëzit në hall dhe në urgjencë në qendrat e shërbimeve !
Shpalosje e planeve të karantinës në kushte shfaqjeje rastesh infektimesh!

Gjithçka duhet bërë si sahat.

Nuk duhet trajtuar sikur na bie një tullë në kokë dhe pastaj shkojmë mjekohemi. Pasoja, masat kundër një epidemie të mundshme duhet ta paraprijnë epideminë.

Ta vendosim pasojën para shkakut!

Nëse do të gjykojmë si mediokër, pra do të presim shkakun dhe pastaj të vemë në funksionim pasojën, këtu do të jemi treguar të papërgjegjshëm dhe me pasoja të një përgjegjësie që dreqi e di sesa e madhe do të jetë.

Unë i bëj thirrje pushtetit ekzekutiv të mos merret fare me opinionistë dhe analistë duke e kthyer betejën kundërkoronavirusit në betejë fjalësh, dhe një fitore në fushën e llogjeve televizive kundër tyre! Liderat e opinionit do të flasin sigurisht! Ajo është përgjegjësia e tyre! Por, të ndryshojë metodë pa ndruajtje, pa parë interesa të vockla burokratësh dhe oligarkësh!

Beteja kundër koronavirusit, për shërimin e plagëve të tërmetit që po durohen por ende nuk kemi filluar as t'i lëpijmë, dhe beteja për demokracinë, të drejta qytetare dhe politike, për shtet ligjor është një e vetme!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco