Lajmi i fundit

Ish-ministri dhe deputeti i PS-së Nasip Naço paraqitet në SPAK

Tani i thamë fukarallëkut 'Tutje', me paret e botës

Tani i thamë fukarallëkut 'Tutje', me paret e botës

Nga Ndriçim Mehmeti - 21/02/2020

Dy muaj e kusur Komandanti, Beni, Abri, Visi e shumë të tjerë, afër, në mes dhe anash qeverisë, na mbushëm mendjen se do të mblidheshin para tej e ndan botës dhe do të derdheshin lumë në Shqipëri. Bile-bile,vetë parlamentarët tanë të “kulturuar e fisnikë”, prenë bukën për një muaj dhe dike pirë vetëm ujë, falën rrogën e tyre për popullin fukara që i voton.

Pastaj erdhi në vesh një tjetër sihariq të madh: Axhanset pranë qeverisë thoshnin se bëhej fjalë për një ngjarje të paparë e dëgjuar ndonjëherë.

Vetë Kryetari i Sinisë Evropiane, veç milionave të eurove që kishte grumbulluar ashtu qesim a spontanisht siç i thoin evropiane, tani do të mblidhte një mexhlis të madh, ku të gjithë do të vinin vetëm për vendin tonë, me karvanë që kishin ngarkuar sëndukë me ar, me argjend e ca xhingla mingla që duheshin vetëm për Shqipërinë.

E na u mblodhën rëndë-rëndë në mes të Evropit.

Komandanti kishte përgatitur përpara gostisë së madhe një film nga ata të qëmotshmit, që të nënqeshte mishin.

Pa u ndezur drita e përfundimit të filmit, të gjithë ziheshin dhe në sallë u bë një zallamahi e madhe.

“Po ç’kanë vallë”- pyeti Komandanti?

“Asnjë gjë o famëmadh - i tha Genti. Po zihen kush e kush të hipë në podium e të na thotë sa ka sjell me vete e sa do të dërgojnë me anijet që do të vijnë në portet tona."

"Aha kështu qenka puna -tha Komandanti.-  Fol se u tromaksa. Kujtova se u çuan e ja mbathën vrapit nga ajo që panë dhe fytyra ime që ishte ngado. Po shyqyr le të zihen se u do të flas i fundit, më kupton çerr Genti”.

E që ta ngasim fjalën, u çuan një nga një kryetarët e Devletit të gjithë dynjasë dhe filluan të thonë me plot pathos shifrat në mijëra e miliona dollarë, euro, korona, mexhite, grosh e lira vetëm për shqiptarët, “për këtë popull kaq të mirë e të lodhur nga vuajtjet”.

Të gjithë ndoqën gjithë sy e vesh, këtë mexhlis të madh në tokën tonë mëmë. Lanë punët në arra, fabrika, kantiere ndërtimi, në shkolla u mblodhën të gjithë në oborr e dëgjonin në qendrën e zërit.

Lot gëzimi, përqafime, urime, dollitë ngriheshin gjithandej, për këtë lumturi të madhe që po na vinte nga gjithë dynjaja vetëm për ne shqiptarët e varfër.

Në fund u ngrit edhe Komandanti, fërkoi mjekrën e tij të bardhë, hodhi sytë anë e kënd sheshit, nxori një shami të lyer me pak lëng qepe dhe vijoi të fliste me një zë të zvarrë, të ngadaltë e të mbytur dhe me sytë që sa vinin i skuqeshin e lotonin, duke mallëngjyer të gjithë dynjanë.

Kur mbaroi bëri të ikte, u lëkund pak nga emocioni dhe lodhja dhe kryelartë u fut në lozhën e tij dhe rrinte e dëgjonte. I bëri shenjë njeriut të kalemit dhe i tha, shkruaj:

“O njerëz që më ndiqni me kërshëri. Sikundër po e shihni milionat do të vijnë në vend dhe keni për të bërë qejf. Tani i thamë fukarallëkut tutje njëherë e përgjithmonë. Nuk do të nderim më dorën askujt, se bujaria e botës na u ndodh pranë.

Të mos isha unë Komandanti dhe njëkohësisht Kryetar i Sinisë Evropiane, do të kishin gjetur belanë. Por ja që jeni me fat. Perëndia më zbriti në Tokë të bëj mrekullira dhe kjo që bëra sot nuk është pak. Nuk i thonë shaka që unë të rri e të këputem me ditë të tëra për ju dhe vetëm për ju. E dakord ndonjë gjë do të më zë dhëmbi edhe mua, por të shohim”.

Pasi mbaroi të gjitha këto dhe ishte gjithë shend e verë, Genti u afrua i ndrojtur dhe i tha: “O Gjigandi ynë i pa përsëritshëm, na kërkojnë në një sallë veç mua dhe ty”.

Komandanti e pa gjithë inat. “Ik se mu ngjite si m..., pas këpucës, shkoj vetë”. Pasi ndeni një çerek ore, doli krejt i vrerosur i përkulur gati më dysh. I afruan një karrige dhe i dhanë një gotë ujë që e gjerbi me një frymë. Ç’kishte ndodhur vallë?

Askush nuk guxonte ta pyeste, derisa foli vet. “Na e hodhën qafirat. Na e bënë me hile. Mua më hoqën tel e më thanë do të vijmë me duar plot, por jo. Këta që mu dukën xhep shpuar, qenkan më lubi se mua. Ma thanë troç: Të lamë ca thërrime falas të tjerat do t’i paguash një më një. Jo unë por populli sigurisht.

Kujtova se na ra fati nga qielli. Po ç’të bëjmë. Nuk qe e thënë, të na buzëqeshë fati.

Tani t’u përvishemi punës e të mendojmë si t’ia shesim sapunin për djathë miletit. Nxirrni Benin si tellallin tim kudo dhe porositeni, që të thotë dy fjalë: Morëm gjysmën dhurata (paçka se nuk kemi marrë as çerekun) dhe pjesën tjetër të borxhit do ta lajmë me këste kur të kemi mundësi. Aferim dynjasë që na ndihmoj dhe sa të na vijnë paratë do ti prishim me nikoqirllëk ato që na dhanë.

Komisionerë nga bota do të na vinë, por portofolin do ta ketë qeveria, d.m.th unë dhe Beni dhe askush tjetër. Qartë? Që tani të përhapet pa asnjë gabim.”

Ende pa u ikur qejfi i madh, mileti dëgjoi se flaka që kishte ndezur lajmi i madh i ardhjes së parave, u shua më shpejt se zjarri që bën kashta. Nuk paskëshin qenë dhuratë, por pare me fajde që do ti kthesh një ditë se s’bën. E të gjithë këtë para do ta mblidhte në një dorë Komandanti me Benin.

Merreni me mend sa hajër do të bëjmë, njësoj si qëmoti dardharët me paret që dërguan për ndërtimin e shkollës në fshatin e tyre. Mblodhën të shkretët dardharë lekët për një shkollë dhe ja dhanë të gjitha çobanit Vangjel se vetëm ai kish mbetur nga burrat në fshat. “Të arrijnë për shkollën - i thanë dhe ç’të mbetet mbaje vetë.”

Kur shkolla kishte arritur në gjysmë të ndërtimit, Vangjeli i dërgoi haber: “Më sillni para se u mbaruan."

"Ç’thua - ja kthyen bashkëfshatarët ne e bëmë njëherë pazarën".

"I kam në defter- tha Vangjeli.” I numëruan dhe ju doli vetëm gjysma.

“Po me defter vetëm gjysmat ke prishur, ku është gjysma tjetër që të dhamë?"

"Po është e vërtetë - ju përgjigj Vangjeli. - Gjysmën e harxhova për punime e gjysmën kafe për ustallarët. Nuk do t'i qerasja nga paret e mia”! 

Qëmtoi paratë e një shkolle i lanë në duar të çobanit, se burrat e ndritur të fshatit kishin ikur në kurbet, sot do të jenë në duar të Komandanti dhe të Benit dhe nuk dihet se nga ato që na dhanë me fajde, sa do të shkojnë për ndërtim dhe sa për kafeve për ustallarët.

Në fund mileti do të kënaqen me shprehjen e popullit: “nga hiçja ka dhe Birçja”. Prandaj rrini të qetë o popull e mos e vrisni mendjen hiç. Kishit shtëpi të mëdha do t’ju bëj me nga një kolibe e prapë duhet të thoni shyqyr në krahasim me plasmanin që po nxirrni dimrin.

Kishit tokë e mall, do t’ju zaps në Tiranë të rrini rehat dhe të numëroni makinat e të hani shtëpinë e re 60 metër katror. Doni shtëpinë e re aty ku ishte, nuk ka më se më duhen mua për punë më të mëdha." 

Me pak fjalë, Komandanti, Vangjeli modern dhe çirakun e tij Arben do të llogarisin në fillim kafen për mjeshtrin e madh, kryetarin e OSBE-së dhe jalla ç’të mbetet për të tjerët. Ndërsa ne mileti i lumtur në skamjen tonë do të paguajmë ditë për ditë, fajden e marrë nga mjeshtri, në emrin tonë në mexhlisin e madh. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco