Ligji për të huajt, oligarkët dhe qeveria duan skllevër jo punëtorë

Ligji për të huajt, oligarkët dhe qeveria duan skllevër jo punëtorë

Nga Elkier Bushkolaj - 20/02/2020

Parlamenti i Shqipërisë në seancën e 12 shkurtit 2020 miratoi me votë ndryshimet në ligjin për të huajt, duke lehtësuar procedurat për ata që duan të punojnë në vendin tonë. Kur përfaqësuesit e mazhorancës në foltoren e parlamentit argumentonin benefitet e këtij ligji që kritikohej ashpër nga deputetët e opozitës së re me në krye, Kujtim Gjuzin, 14 punonjës të nënstacionit elektrik dhe nënstacionit e pompimit në Poçem, të cilët janë nën varësinë e rafinerisë naftës në Ballsh nisën grevën e urisë.

Shkak i grevës tyre janë pagat e prapambetura të 27 muajve që firmat fantazmë me zyra luksoze në ish-Bllok, të cilat ndërrojnë pronësinë e rafinerisë së naftës në Ballsh, refuzojnë në mënyrë arbitrare t’ua japin.

Ndonëse greva e urisë vijon prej një jave, asnjë prej përfaqësuesve të lartë të qeverisë Rama nuk ka shkuar për t'i vizituar këta punëtorë, ndërsa po përfaqësuesit e kësaj mazhorance prej një jave në çdo hapësirë mediatike apo virtuale, duke ndjekur linjën e shefit të tyre po propagandojnë për të mirat që do t'i vijnë vendit nga ardhja e punëtorëve të huaj.

Shifrat rrëzojnë propagandën dhe duke u bazuar tek numrat rezulton se 400 mijë shqiptarë shumica prej të cilëve të rinj, gjatë tetë viteve të fundit kanë zgjedhur largimin. Puna dhe pagat janë emërues i përbashkët i këtij eksodi masiv të krahut të punës nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian. 26 mijë lekë është paga minimale që ofrohet në Shqipëri, kryesisht në sektorin fason, atë të shërbimeve, por edhe punonjësit e sektorit të ndërtimit në shumicën e rasteve paguhen 30 mijë lekë në muaj. Në fasoneri në këmbim të kësaj page punëtorët shqiptare duhet të bëjnë pakt me dinjitetin. Ato nuk kanë të drejta për të kërkuar pagese për orët shtesë, ditët e punës në fundjave paguhen njëlloj si ditët e tjera, u kërkohet të mos mbeten shtatzënë se humbasin rendimentin, në rast sëmundjesh kompania nuk ka asnjë përgjegjësi, ndërkohë nuk kanë munguar edhe rastet e helmimeve masive dhe dhunës fizike.

Përballë kësaj gjendjeje shteti është inekzistent, inspektorët e punës harbohen kafeneve dhe zyrave të pronarëve të fasonerive deri sa plotësojnë kuotat ditore për eprorin e tyre. Në periudha fushatash elektorale punonjëset e këtij sektori përdoren si fasade e politikanëve që vetëm këpucët ju kushtojnë sa paga mujore e një gruaje që punon në rrobaqepësi. Ndërkohë nuk mungojnë donacionet nga organizatat evropiane për mbrojtjen e të drejtave të grave në sektorin fason, por gjithë veprimtaria e shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të këtyre punonjëseve përmbyllet me një projekt fiktiv dhe një koktej në sallën e ndonjë hoteli luksoz, e maksimumi ndonjë dalje në media kur kanë kaluar përmes zyrës së marketingut. Jo më shumë fat kanë ata të rinj shqiptarë të zgjedhin të punojë në sektorin e shërbimeve.

Pronarët e lokaleve dhe hoteleve ku ata përpiqen të sigurojnë të ardhura pasi kanë kryer të mesmen rrugëve të Evropës dhe të lartën në qelitë e burgjeve të sigurisë lartë dhe me bekimin e shtetit shqiptar i kanë hyrë biznesit dhe tashmë janë pronarë. Se si i trajtojnë punëtorët e tyre nuk besoj se ka nevojë për shumë imagjinatë, ndërsa nuk janë dhe aq bujarë as me inspektorët shtetërorë që shkojnë t'i vizitojnë. Të mos flasim për punëtorët e ndërtimit, që trajtohen nga biznesmenët e lidhur me qeverinë si njerëz të dorës së tretë.

Gjatë një vizitë në Durrës kryeministri ironizoi disa të rinj që qëndronin në kafe se përse nuk punonin në ndërtim a thua se djali i tij 30-vjeçar ka lidhur një kontratë për të punuar si hekurkthyes në kullën që do ndërtohet në territorin e ish- ekspozitës “Shqipëria sot”.

Disa vite më parë në ftesën e tij për biznesin italian kryeministri, Edi Rama, u shpreh se në Shqipëri nuk ka sindikata, ndaj ligjin për sindikatat e mban peng në sirtar dhe krijon sindikata fiktive, përmes së cilës punonjësit e administratës i trajton si militantë partie.

Këto janë vetëm maja e ajsbergut se përse të rinjtë shqiptarë largohen nga vendi ku për të blerë me djersë një shtëpi në kryeqytetin e kullave të trafikut duhen 100 vite pune.

Paga 26 mijë lekë mund të jetë “Amerika” për punëtorë nga vendet e lindjes apo Afrikës, por harrojnë së këtu u duhet të paguajnë qira, u duhet të ushqehen, e madje u duhet dhe të kursejnë për familjet e tyre. Se si do t'i arrijnë këto duhet të pyesin njëherë një kryefamiljar shqiptar dhe nga përgjigjia që do marrin do kuptojnë nëse këtu po vijnë për të punuar apo për t’u skllavëruar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Emigranti.21/02/2020 02:10

Shkrimi juaj me se i sakte,por per kompanite e fasonit kini harruar gjene me te rendesishme.
Siguracionet qe derdh punedhenesi jane per nje page shume me te vogel se ajo reale.
Flas nga historia ime qe duke patur pagen 23000 lek (flas me te reja) derdhja e kontributeve nga kompania behej sikur e kisha pagen 7500 lek.
Dhe abuzimi tjeter ishte se perqindje qe duhet te derdhja une me mbahej per pagen reale dhe derdhja behej mbi pagen minimale,diferencen e ketyre parave kompania e pervetesonte.
Keshtu qe kur dola ne pension ne viti 2016 ,shuma qe perfitova eshte 1100 lek.

mondi20/02/2020 22:13

Rama kete e ka pasur ne plan qe ne 2013 kur morri pushtetin. Largoi nga vendi mbi 450'000 shqiptare dhe pastaj don me e mbush Shqiperine me afrikane.
Pse po i merr te huajt ?
A jane shqiptaret te pa paafte apo pertace ?
Kush i nderoi pallatet ne Shqiperi keto 20 vjet ?

Shto koment

Denonco