‘Po të dëgjoj’-Jo të gjithë janë njësoj

‘Po të dëgjoj’-Jo të gjithë janë njësoj

Nga Ardit Gjinali - 20/02/2020

Relativizimi i së keqes dhe shenja e barazimit mes palëve mbeten instrumente të rëndësishëm së propagandës së ansamblit të vetëquajtur ‘Rilindje’.

Këto vite të një qeverisjeje të ashtuquajtur të tillë janë një enumeracion negativ që fillon me korrupsionin në rritje në çdo nivel të qeverisjes, kufizimin e lirisë së të bërit biznes, përkeqësimin e lirisë së medias, mungesën totale të investimeve të huaja perëndimore,-vijon me mosrespektimin e pakteve politike, parlament me legjitimitet të cunguar, përçudnimin e balancës së pushteteve dhe kurorëzohet fillimisht me deformimin e vullnetit të zgjedhësve dhe së fundmi me zhvillimin e votimeve moniste, gjithashtu.

Kjo është pasqyra e një qeverisjeje e cila është një prozë e shkruar keq me qëllim që të jetë e palexueshme për qytetarin dhe një poezi lirike për klientët e oborrit.

Vrasja e shpresës dhe frenimi i reagimit qytetar, përmes një Shqipërie të mpakur dhe të varfër është synimi i një pushteti-regjim, që është pasuar me largimin masiv të mijëra qytetarëve për të cilët Atdheu është bërë i pajetueshëm dhe Republika e paqeverisëshme.

Ky është treguesi që rrëzon paradën e shifrave dhe statistikave të propagandës së shfrenuar qeverisëse; është shuplaka mbi fytyrën e një qeverisjeje, ngjyra mavi e së cilës i ka dalë boja që në krye të rrugëtimit qeverisës…një rrugëtim i ngarkuar me mëkate, dështime, skandale dhe mbi të gjitha imponimi për përcjelljen e fasadë-propagandës sistematike në çdo qelizë të shoqërisë. Largimi nga vendi nuk është dhe nuk duhet te jete zgjidhja, mbasi në këtë vend vijon të ketë ende shpresë.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim BASHA ka nisur një tur të shpresës nën moton ‘ Po të dëgjoj’.

‘Po të dëgjoj’ është vizioni i një qeverisjeje me dimension njerëzor ku individi, biznesi dhe prona janë shtyllat kryesore që garantojnë prosperitetin e nesërm të Atdheut. Ky tur vendos në qendër individin me rolin e tij absolut si elementi njerëzor thelbësor për funksionimin efektiv të një shoqërie. Ky tur i jep zë kauzës së pensionistit në kufijtë e mbijetesës ekonomike që është harruar nga babëzia, korrupsioni dhe mungesa e dimensionit njerëzor të kësaj qeverie.

‘Po të dëgjoj’ është një rrugëtim që i jep zë kauzës së studentit i cili paguan tarifa më të larta të studimit dhe është i ngërthyer me paqartësinë dhe pasigurinë që i ofron e ardhmja . Ky rrugëtim i jep zë kauzës së biznesit të ndershëm që vuan taksimin e lartë dhe konkurrencën e pandershme, por është struktura bazë që garanton prosperitetin ekonomik të një shoqërie. Ky është rrugëtimi që i jep zë kauzës së pronarëve të ligjshëm mbi zgjidhjen e cështjes së pronës si elementi thelbësor që garanton stabilitetin dhe kohezionin social.

Ky bashkëbisedim i përmasave kombëtare është shuarja e distancave dhe barrierave mes politikës dhe qytetarit. Është qasja dhe vizioni i ndryshëm që inkurajon qëndresën përballë shurdhërisë së një pushteti i cili nuk qeveris, por konsumon dhe abuzon skajshmërisht me qeverisjen.

‘Po të dëgjoj’ është gishtimi i duhur i fenomeneve negative që kanë ngërthyer këtë shoqëri dhe demaskim-denoncimi pa filtra i së keqes duke paraqitur fytyrën e vërtetë të një Shqipërie që lëngon dhe është kthyer në shtëpinë e pamundësive dhe mungesës së madhe të shanseve, të tillët që vidhen cdo ditë nga keqqeverisja sistematike. Ky bashkëbisedim është është një fillim i ri dhe i mbarë për rrëzimin e së tashmes së errët dhe për një të nesërme të mbrujtur me shpresë, besim dhe pozitivitet.

Largimi i qytetarëve dhe pamundësia për të vijuar jetën në Atdhe mbetet ëndrra e bukur për një regjim, ëndërr e cila tashmë ka dalë nga sirtari i KryeKreut. Investimi i propagandës qeveritare nën moton ‘ Të gjithë janë njësoj’ është një ndër elementët thelbësorë që ka ndikuar në vrasjen e shpresës dhe largimin e flukseve qytetare që nuk pajtoheshin me keqqeverisjen; keqqeverisje e cila nuk është më një politikë sporadike e ushtruar gabim apo vizion i gabuar, por një sistem negativ anti-vlerash.

Gjatë këtyre viteve, Partia Demokratike së bashku me një spektër të gjerë politik që përbëjnë koalicionin e ‘Opozitës së Bashkuar’ kanë ndërrmarrë akte të forta politike me një konotacion të fortë moral larg kalkulimeve meskine të momentit apo përfitimeve politike sporadike.

Aktet e Opozitës së Bashkuar, denoncimi sistematik i kapjes së qeverisjes dhe shtetit, parashtrimi hap pas hapi i programit të ardhshëm qeverisës, standarti i lartë moral duke refuzuar kompromisin me të keqen janë pjesë e një beteje të vështirë, por me garancinë morale dhe politike që e nesërmja qeverisëse do të jetë ndryshe nga e tashmja.

‘Po të Dëgjoj’ është vijimi i parashtrimit të programit të nesërm qeverisës duke dhënë garancinë morale dhe politike që ‘ Të gjithë nuk janë njësoj’. Denoncimi dhe shkulja e së keqes mund të vijë vetëm duke bashkuar energjitë pozitive të cdo qytetari të përgjegjshëm dhe duke kultivuar elementë të shëndetëshëm të një qëndrese shoqërore demokratike si premisa më efektive për ndryshimin e së tashmes. Largimi nuk është zgjidhja dhe të gjithë së bashku mund ta realizojmë ndryshimin vetëm duke qëndruar në këtë vend. Të qëndrojmë duke shmangur dekurajimin dhe duke kultivuar besim dhe shpresë. Ka ende shpresë!

/Botuar në Faktor.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco