Ku fshihet hilja e 1.15 miliardë eurove

Ku fshihet hilja e 1.15 miliardë eurove

Nga Andi Bushati - 19/02/2020

Që kur ka përfunduar Konferenca e Donatorëve në Bruksel, që e joshi Shqipërinë me mirazhin e 1.15 miliardë eurove, një tabor mbështetësish të Edi Ramës po i bien më fort se kurrë daulleve të propagandës.

Ashtu sikurse ndodh në regjimet më totalitare në histori, ku thuhet se luftën e fitoi Stalini, pallatet i ndërtoi Çaushesku, digat e hidrocentraleve i ngriti Enveri, e gjitha po tenton të shitet si një meritë personale e njeriut të vetëm që simbolizon mbarë kombin.

Natyrisht, në raste të tilla edhe politikanë të tjerë, që i lënë një vend shumë më të vogël në aktivitetin e vet propagandës, rreken t’i përdorin në favor të tyre ngjarje të tilla.

Por në Shqipëri, ajo që ndodhi në Bruksel, po shndërrohet në karikaturë duke mbytur çdo lloj debati tjetër.

Sot, ne nuk dimë ende se sa nga ato para të premtuara janë donacione dhe sa kredi, madje edhe anëtarët e kabinetit qeveritar japin shifra të ndryshme. Sot, ne nuk dimë se sa aftësi ka Shqipëria për t’i thithur ato para në mënyrë që borxhi të mos shkojë kacafiu.

Sot ne nuk dimë se sa e zonja është administrata jonë për t’i përvetësuar ato grante. Sot quhet herezi të përmendësh se eksperienca botërore tregon se vetëm gjysma e parave të premtuara mbërrijnë në destinacion.

Debatit racional dhe të ftohtë i janë mbivendosur klithmat me hosana për liderin global.

Në vend që të diskutohet se çfarë u arrit realisht në Bruksel, këtu çirren se si ishte përbetuar Rama se do t’i nxirrte paratë nga fundi i dheut; në vend që të kthjellohen shifrat, këtu i qahet halli liderit që ishte zgjuar i vetmuar natën e 26 nëntorit; në vend që të flitet se sa para është e mundur të mbërrijnë në destinacion, këtu evokohet kalvari i Ramës, që duhet t’u gjente budallenjve dhe gratë e humbura pas tërmetit; në vend që të parashikohet se kur futen njerëzit në shtëpitë e reja, këtu glorifikohet roli i aktorit- lypsar për t’u  marrë para arabëve.

E gjithë kjo përpjekje, që demonstron në mënyrë të neveritshme fytyrën autokratike të regjimit të Rilindjes, i është mbivendosur si një tavan i xhamtë pyetjeve të zakonshme që do të ishin shuar në një vend normal:

Sa zgjat koha nga premtimet e deri tek disbursimi i parave dhuratë?

Deri në ç’masë duhet pranuar kostoja e kredive të buta?

Pas këtyre eurove që janë thithur, ç’duhet bërë me borxhin e fshehtë të koncesioneve dhe PPP-ve?

A duhet të ridalë sërish qeveria në treg të hapur për eurobondin dhe deri në ç’masë duhet të kërkojë kredi të reja?

Në pikun e masturbimit verbal të dishepujve të Ramës, të ngresh pyetje të zakonshme quhet gati armiqësore.

Duke glorifikuar autokratin në pushtet, ata po pengojnë një bilanc real të asaj që ndodhi vërtet në Bruksel.

Në këtë rast ata po sillen njësoj si dy vite më parë kur spërkateshin me shampanjë për hapjen e negociatave që nuk ndodhi kurrë. Ata janë i njëjti tabor që na kanë vizatuar Shqipërinë e pastruar nga hashashi i çrrënjosur nga policia e Saimir Tahirit, dhe po të zakonshmit që e komentonin si fitore ekselente rezultatin e Rilindjes në votimet e 30 qershorit.

Pikërisht fakti se ata janë hedhur sërish, si me buton, në skenë është një indicie që duhet të dyshojmë për atë që ngjau realisht në fillim të javës.

Le t’i lëmë një moment t’u bien daulleve, le të durojmë edhe ca ditë hosanatë për padronin e tyre dhe vetëm pastaj, kur daullexhinjtë të lodhen, kur ahengu të pushojë, le të ulemi të qetë dhe të analizojmë fitoren 1.15 miliardshe të Edi Ramës.

Për të kuptuar të vërtetën reale të asaj që morëm dhe nuk morëm nga konferenca e kreditorëve, duke e zhveshur atë nga refleksi atavik për të glorifikuar tiranët. 

/Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco