Dëmi nga fryrja e Ramës do jetë tjetër ‘tërmet’ i madh

Dëmi nga fryrja e Ramës do jetë tjetër ‘tërmet’ i madh

Nga Enton Palushi - 18/02/2020

Nuk u desh shumë që histeria me miliarda e Konferencës së Donatorëve për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit të shfryhej. Në fakt gjërat u bënë të qarta që kur Gjermania, ekonomia më e fuqishme në Europë deklaroi se do të dhurojë 11 milionë euro. Kurse ekonomia më e madhe në botë, SHBA, tha se do japë 5 milionë dollarë vetëm për mbikëqyrjen e procesit. Por qindra milionë euro që pasuan ishin më shumë kredi që do vihen në dispozicion për një periudhë që shtrihet së paku në pesë vite. E gjitha kjo e riktheu debatin në një pikë ku kishte shkuar para Konferencës së Donatorëve, kur çështja e borxhit të lartë të vendit ishte bërë dominuese nëpër media.

Në një shkrim të botuar më parë theksoja se Edi Rama nuk po u lë pas të tjerëve asnjë arritje, madje po u lë një faturë të majme me borxhe dhe pagesa koncesionesh, që do të shlyhen nga brezat në vazhdim. Kjo nuk do të thotë se ato shtete dhe institucione që u ofruan për të ndihmuar me kredi na e kanë me të ‘futur’. Kreditimi është mënyra e duhur për të zgjidhur të tilla situata të vështira. Edhe shtetet perëndimore goditen nga tragjedi natyrore, por ato i kanë mekanizmat për të dalë prej tyre me sa më pak dëme.

Së pari, duke garantuar që shteti dhe qeverisja e mirë funksionon, çka minimizon efektet e korrupsionit mbi tragjedinë natyrore, jo si në rastin e Shqipërisë kur një pjesë e konsiderueshme e humbjeve në njerëz dhe në pasuri ka ardhur për shkak të keqqeverisjes dhe paaftësisë për të menaxhuar periudhën pas krizës. Historia e mungesës së një qeni të vetëm shpëtimi do e përndjekë gjatë Edi Ramën.

E dyta, duke garantuar që të funksionojë sa më mirë sistemi i siguracioneve për të mbuluar dëmet. Po ashtu, duhet të jetë sa më funksional sistemi i kreditimit me norma lehtësuese për çdo të prekur nga drama. Në Shqipëri asnjëra nga këto nuk funksionoi, e megjithatë ndodhi ajo që nuk mund ta mendosh se do ndodhte në një vend normal. Kryeministri nisi të delironte për qeverisjen e tij në Bruksel, edhe pse pamjet e njerëzve në çadra si në Mesjetë sapo ishin transmetuar nga mediat më të mëdha ndërkombëtare. Deliri i tij narcist ka kohë që ushqehet nga një marrëzi e lindur direkt pas tërmetit se Edi Rama do të ringrihet fuqishëm me këtë tragjedi, duke rindërtuar Shqipërinë dhe fituar edhe një mandat tjetër për të qeverisur vendin.

Ky delir u rishfaq edhe një ditë më parë, për të ushqyer egon e tij për pushtet, kur dihet se diktaturat dhe autokracitë ‘jetojnë’ me besimin se një ditë lideri, që i ka çuar gjërat në pikën e zeros, do të ringrihet fuqishëm duke i befasuar të gjithë.

Kjo e tërmetit nuk është e vetmja histeri. Edhe nisma AntiKÇK është e rrënjosur në besimin se Rama do ringrihet nga hiri i tij dhe do të fluturojë sërish drejt diellit. Që të kuptohemi, është e drejta e gjithkujt që të delirojë. Po ashtu është e lehtë që të kuptosh se rrallë ndonjë shqiptar i beson këto teoritë me miliarda dhe me ringritjen nga hiri. Rama është rrëzuar tashmë dhe modeli i tij ka rënë për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Por duke e fryrë delirin e tij narcist me të tilla histori, po i bëhet një dëm i madh vendit. Kjo për shkak se ky delir është baza ku ‘ushqehen’ impulset autokratike. Kjo fryrje e Ramës me besimin se është lider i madh, të cilit i beson mbarë bota (kur i beson bota, shqiptarët po e po), do të sjellë pasoja.

E para, impulset autokratike dhe diktatoriale janë të rrezikshme për një arsye të fortë: ato prodhojnë keqqeverisje, korrupsion, keqmenaxhim, nepotizëm, krim. Të gjitha këto janë një kombinim toksik që pengojnë thithjen e atyre donacioneve të huaja, kaq të nevojshme për ata mijëra fatkeqë që u dëmtuan nga tërmeti. Viti që kaluam ishte katastrofik nga pikëpamja ekonomike, sociale dhe politike sepse impulset autokratike të Edi Ramës ishin shumë të larta.

E dyta, impulset autokratike e gërryejnë strukturën demokratike akoma më shumë. Që tani lideri ka nisur të mendojë se i ka zgjedhjet në xhep, ndërkohë që vendi është në mesin e një krize të rëndë politike, e lindur pikërisht se Edi Rama jo vetëm nuk mban zgjedhje të lira, por sepse nuk i fiton ato edhe kur garon vetëm.

Përpara se të delirojë me histori ringritjesh dhe mandatesh, Edi Rama nuk duhet të harrojë se përpara ka një mur të lartë: nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pa kaluar këtë mur, asgjë nuk do shkojë mirë në Shqipëri.

Sa më shumë të bëjë Rama sikur e ka harruar këtë histori, aq më shumë shtohen shanset që vendi t’i afrohet një tjetër ‘tërmeti’. Pasojat e tij do jenë shumë të frikshme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Yahoohej19/02/2020 09:58

Ende ne arenen e politikes, historise, sociologjise shqiptare po flasin gazetaret, letraret, gaztoret, showmenet, artistet dhe moderatoret. Dhe politikanet. (Po keta; çfare jane?)

Ende nuk po flasin, (qysh prej 60 vjetesh) sociologet, psikologet, historianet, ekonomistet, kriminologet, psikiatrit, filozofet.
Plaget e popullit zgjidhen pasi shpjegohen dhe kuptohen shkaqet dhe shkaktaret e tyre.
Por s,mundet t'i shpjegojne ato gazetaret, moderatoret, komiket, artistet.
..........

Shto koment

Denonco