Mbi paturpësinë e atyre që humbjet ua faturojnë shqiptarëve, ndërsa fitoret Edi Ramës

Mbi paturpësinë e atyre që humbjet ua faturojnë shqiptarëve, ndërsa fitoret Edi Ramës

Nga Gentian Gaba - 18/02/2020

Sikurse u pohua nga komentues të ndryshëm, mbështetja që erdhi ditën e hënë për shqiptarët, hodhi poshtë besëtytninë e sendërgjuar mbi indiferencën e shumë vendeve të BE-së ndaj Shqipërisë. Vullneti për të ndihmuar vendin tonë tregon se refuzimet e njëpasnjëshme në rrugëtimin drejt BE-së kanë pasur në themel keqqeverisjen dhe jo të keqqeverisurit.

Veçse duket se ky kënd i ngjarjes së të hënës nuk i intereson fort mazhorancës, e cila, fill pas përfudimit të konferencës së donatorëve, e shpalli si një fitore personale të Kryeministrit. Pak rëndësi ka që organizimi i një eventi të tillë duhet të nënkuptohej si detyrë themelore e çfarëdo qeverie, sikurse ka ndodhur në çdo vend të ndëshkuar nga natyra, as që tërmeti e gjeti mazhorancën dramatiksht të papërgatitur për fatkeqësi të tilla (forcat e emergjencës nuk kishin mjetet minimale për operacione kërkim-shpëtimi, pa dorashka apo mjete ndihmëse, madje as një qen për lokalizimin e personave nën rrënoja).

Por, nëse duan ta luajnë këtë lojë, i pari i ekzekutivit duhet të tregohet bujar jo vetëm në kapjen e meritave për paratë e dhuruara apo të huazuara nga miqtë e Shqipërisë, por lipset që të mbajë përgjegjësi edhe për veprimet dhe mosveprimet në lidhje me tërmetin e 21 shtatorit, që erdhi si një paralajmërim hyjnor, dhe atë të 26 nëntorit, që mori shumë jetë për shkak të papërgjegjshmërisë së shtetit. Pra nëse kërkon një medalje personale për konferencën e donatorëve, duhet me patjetër që të pranojë edhe një faturë për kostot e larta njerëzore të gjeneruara nga paaftësia për të menaxhuar gjënë publike.

Kështu që, për të ndarë propagandën nga realiteti, shumat e shpallura ditën e hënë duhen kontekstualizuar dhe përkthyer nga ekspertët e ekonomisë dhe rindërtitmit, përpara se të interpertohen nga magjistarët e marëdhënieve me publikun. Do të duhet ende pak kohë për të kuptuar përbërjen e saktë të ndihmave; megjithatë, sapo u tërhoq shiriti i parë me të cilin ishte amballazhuar miliardi i konferencës, u kuptua se historia ishte krejt ndryshe nga versioni i rrëfyer nga televizioni i kryeministrit.

Dhuratë, pra diçka që na jepet pa asnjë shpërblim, është një shifër afër 265 milionëve. Një shumë e rëndësishme pasi lehtëson arkat e lodhura nga PPP-të dhe korrupsioni galopant. Kjo është edhe feta reale e ‘tortës’ për të dëmtuarit. Pjesa e mbetur, diku te 885 milion euro, është kredi, domethënë borxh, i lehtë, i butë, pak rëndësi ka. Është një shumë që gjithë taksapaguesit shqiptarë do ta kthejnë përsëri në llogaritë nga të cilat do të rrjedhin. Ndërsa për qeverinë, e cila u fry si gjeli në majë të gërmadhave të tërmetit, erdhi një peshqesh që është edhe emblema e përmbysjes së perceptimit mbi shqiptarët, për të cilën flitet në fillim të këtij shkrimi, Akademia e transparencës. Dhuratë e ‘Xhaxhit Sam’, shuma prej 5 milion dollarësh e vënë në gatishmëri nga SHBA , do të shkojë për themelimin e një akademie transparence që do të ndihmojë Shqipërinë në administrimin në mënyrë transparente të donacioneve dhe fondeve të tjera publike.

Kjo është ndoshta ‘dhurata’ më e vlefshme; një hap konkret që mund të mbajë largë kthetrat e korrupsionit nga procesi i rindërtimit dhe të ndalë kasaphanën me taksat e shqiptarëve. Një zgjidhje që gjen jehonë edhe te Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, i cili theksoi se korrupsioni nuk do të tolerohet. Shenjë kjo se besimi për dhënien e fondeve u bazua te nevoja e banorëve të dëmutar, jo te nevoja e qeverisë për të rindërtuar imazhin që ka krijuar si vendi më i korruptuar në Europë, sikurse faktohet nga ‘Transparency International’.

Një shuplakë për paturpësinë e atyre që humbjet ua faturojnë shqiptarëve, ndërsa fitoret Edi Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

KUTI20/02/2020 17:47

Parate qe duhej te jepte qeveria per blerjen dhe trajnimin e qeneve per emergjenca i vodhi kryeqeni me qente e tjere te vathes!!! Prape qenqeveria nuk jep fonde per qente e emergjences! Rrace qensh!

qytetar18/02/2020 19:46

Nuk është fjala as për subjektivizëm e as për skepticizëm të pamotivuar kur Shqipëria ka një kryeministër të pa përgjegjshem, që jo vetëm e ka krilimanizuar shtetin në të gjitha hallkat, por edhe sillet si karagjoz në çdo dalje publike.
Ky kryeministër karagjoz, kërkon të përhap me propogandë përceptimin se u mblodhën përfaqësues nga 100 vende të botës, e për hir të "konsideratës së lartë" që kanë për te i dhuruan apo i dhanë borxh Shqipërisë 1.15 miliardë euro për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
Afersisht 2 miliardë të tilla ndihma u grumbulluan edhe për Serbinë pasa disa viteve kur pati fatkeqësinë natyrore të përmbytjeve.
A mos ju dhuruan këto euro qeveritarëve serbë ish bashkëpuntorë të kasapit Millosheviç nga "dashuria" e madhe që kishin shtetet demokratike për ta ?
Me qindra miliarda ndihma me planin Marshall ndihmoi SHBA popujt e Europës për të dalë nga pasojat shkatërimtare të Luftës së dytë botërore, e nga këto ndihma përfituan edhe popujt gjermanë e italianë.
A mos ju dhanë amerikanët para pasuesve të Hitlerit e Musolinit ?

Shto koment

Denonco