Kush e dogji `Tryezën e Beogradit` për projektin e ri Vuçiç-Rama?!

Kush e dogji `Tryezën e Beogradit` për projektin e ri Vuçiç-Rama?!

Nga SYRI.net - 28/01/2020

Menjëherë pas të tryezës së shumë të përfolur të Durrësit për projektin e `minishengenit ballkanik`, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka reaguar me eufori, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, më datë 20 dhjetor 2019.

Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, Vuçiç shkruante në atë kohë se gjatë bisedimit janë arritur marrëveshje konkrete dhe shtonte se takimi i radhës do të zhvillohet në Beograd në fund të muajit Janar të vitit 2020. Do të jetë historik-lumturonte Vuçiç!

‘Marrëveshjet konkrete për bashkëpunimin midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë janë arritur në Tiranë. Takimi i radhës do të jetë në Beograd në fund të Janarit, do të jetë një takim historik për shkak të asaj që do të përfundojë deri atëherë – me premiera e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama’, shkruante në atë kohë Vuçiç.

Por ja ku jemi në 3 ditshin e fundit të muajit Janar dhe nuk ka asnjë shenjë për këtë takim, i cili duket se do të vuloste projektin e ideuar nga Beogradi e mbështetur `çuditërisht` shumë fortë nga kryeministri Edi Rama, pavarësisht se kjo ide nuk është pranuar nga Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe ka shenja të forta skepticizmi nga Mali i Zi.

Të gjitha gjasat janë që ai të mos zhvillohet dhe kjo tregon se kanalet diplomatike të Uashingtonit dhe Berlinit, edhe pse nuk janë bërë publike, njësoj si me nismën për rikonfigurimin e kufijve, Kosovë-Serbi, e kanë goditur projektin e dyshimtë Vuçic-Rama për `minishengenin`.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke folur shpesh edhe si zëdhënës i Vuçiç për këtë çështje ka deklaruar, se i ashtuquajturi `minishengen ballkanik` ka edhe mbështetjen e Uashingtonit, Berlinit dhe të Brukselit. Por deri më tani, ende nuk kemi dëgjuar ndonjë artikulim mbështetës nga këto kancelari të rëndësishme.

Edhe pse në deklaratën e përbashkët me kancelaren Merkel ditën e djeshme, nuk u përmend fare çështja e ‘minishengenit`, Rama deklaroi më pas për mediat shqiptare se, ‘natyrisht ky projekt ka edhe mbështetjen e kancelares’.

Por ministria e Jashtme e Gjermanisë në një prononcim për `Respublika` as që e merr në konsideratë ‘minishengenin` e Ramës dhe të Vuçiç (lexo këtu), por e trajton bashkëpunimin rajonal në Ballkan vetëm në kuadër të procesit të Berlinit dhe të marrëveshjes së CEFTA.

Në takimin e parë të këtij projekti që u zhvillua në Nish dhe ku Kosova nuk ishte fare e ftuar, Rama ndryshe nga sa deklaron sot, tha se po e bëjmë ‘minishengenin` sepse nuk kemi pse presim Europën!

Në të gjitha deklaratat e ndërkombëtarëve ku trajtohet kjo çështje, përkrahet çdo nismë bashkëpunimi rajonal por me kusht që ajo të jetë gjithëpërfshirëse dhe kuadër të proceseve; si ai i Berlinit, marrëveshjes së CEFTA, integrimit në BE dhe jo si një konfederatë e tipit Ish-Jugosllavi. Aq më e fortë është vija e kuqe nëse në çdo nismë të tillë ngelet jashtë, qoftë edhe një vend në rajonin tonë.

Nga muaji Janar kanë mbetur edhe vetëm 2 ditë, ndërkohë që Rama me Vuçiç ndodhen në Bruksel ku nis sot samiti i radhës, me temë përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejtë axhendës së zgjerimit të BE.

Kurse salla në Beograd ku ishte planifikuar që në fund të këtij muaji të mbahej `samiti` për Jugosllavinë e Re, duket se do të mbetet bosh njëherë e mirë. Njësoj siç ndodhi me tentativën e parë pro serbe e anti-Kosovë, për shkëmbimin e territoreve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Adi28/01/2020 16:34

Sipas të gjitha mediave Serbe, informatat jan që në fund të shkurtit në Beograd do të arrihet marrveshja e minishengenit. Takimi i parë ishte në Novi sad, një qytet që një ditë do të jetë jasht serbisë, sepse i takon krahinës së vojvodines dhe ajo do të ndahet, pastaj takimi i dytë iste në Ohër dhe i treti në Durrës. Siq e nënkuptoni, të gjitha këto takime nuk jan në Kryeqytete sepse vetëm marrveshja kryesore do bëhet në Beograd si kryeqytet i këtyre të mëparshme. Unë mendoj që Shqiptarët e kan një problem të madh dhe shum duhet vuajtur që të vetëdijësohen njëhere e mirë dhe kjo kur të ndodhë, do jet shum vonë e nuk do na hyn në punë fare.

Shto koment

Denonco