Bipolariteti është kthyer

Bipolariteti është kthyer

Nga Andrew A. Michta - 20/01/2020

Kanë kaluar 30 vjet që nga fundi i Luftës së Ftohtë, thuajse 20 nga sulmet terroriste të 11 shtatorit kundër SHBA, 12 që nga pushtimi rus i Gjeorgjisë dhe 6 që nga aneksimi rus i Krimesë. Gjatë kësaj periudhe, kemi parë ndryshime domethënëse në shpërndarjen e përgjithshme të pushtetit në Evropë, Eurazi, Indo-Paqësor dhe në rang global – ndryshime që i kemi parë të përmendura në Strategjinë e Sigurisë së SHBA më 2017 dhe Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare më 2018. SHBA dhe aleatët e saj në NATO tani po përgatiten për një erë “gare fuqish të mëdha”, me Rusinë e Kinën të identifikuara si fuqitë kryesore që kërkojnë të revizionojnë e zëvendësojnë shpërndarjen ekzistuese globale të fuqive, dominuar nga Shtetet e Bashkuara.

Një bipolaritet i ri po ngrihet me shpejtësi nga rrënojat politike të dekadave të pas-Luftës së Ftohtë, i cili ndoshta do të rezultojë më rezistues dhe më pak i kontrollueshëm se paraardhësi i tij i LF. Ne po ecim në gjurmët e një bote me dy sisteme gjithëpërfshirës ku polarizimet kulturore dhe ideologjike midis Perëndimit e Lindjes do të nxitin konfrontimin edhe më tepër se ekuilibrat ekonomikë e ushtarakë në lëvizje të shpejtë. Ky bipolaritet mund të rezultojë më i fortë se ai i Luftës së Ftohtë për shkak se themelet e tij ideologjikë do të jenë të ngulur në një diferencë civilizuese themelore. Shtytësit imediatë janë ideologjikë në thelb, dy vizione reciprokisht ekskluzivë se si duhet organizuar shoqëria: nga një anë, një demokraci liberale në shpërbërje të vazhdueshme dhe, nga ana tjetër, një brand kinez në rritje të vazhdueshme i komunizmit komercial, të dy të mbushur me kultura historikisht të papërputhshme.

Teksa Washingtoni (e në një farë mase edhe Evropa) zgjohet para kërcënimit të shfaqur nga Kina e Rusia, biseda për garën e fuqive të mëdha rrotullohet rreth çështje ekonomike e të sigurisë ushtarake. Ajo që mungon nga rreshtimi global është një artikulim i qartë i konkluzioneve – ajo çka ne parashikojmë si rezultat në këtë kontekst, dhe çfarë vizionesh sjellin kundërshtarët tanë në tryezë. Në kontrast me LF, pjesa më e madhe e analizës aktuale i ka trajtuar themelet ideologjike e kulturore të raundit të tanishëm të garës si të heshtur, në mos të munguar. Duke sikur, sidomos në rastin e Kinës, nuk kemi pasur vullnetin të artikulojmë gjërat thelbësore të asaj çka kemi përballë. Kjo është edhe më tronditëse duke pasur parasysh konsensusin në rritje që kërcënimi i Kinës për SHBA është urgjent. Siç ka vënë në dukje një koleg së fundmi, ndërsa veprimet e Rusisë në sistemin global janë të krahasueshme me ato të një stuhie të papritur, sfida e përfaqësuar nga Kina është më tepër e ngjashme me ndryshimet klimet, teksa Pekini ka potencialin të ribëjë edhe vetë themelet e sistemit ndërkombëtar.

Mënyra se si ne shohim veten nuk është mënyra se si na shohin kundërshtarët dhe, ndoshta më e rëndësishmja, mënyra se si ne i shohim ata nuk është ajo se si ata shohin veten. Kur vheb fjala te Rusia e Kina, ne kemi proceduar nën një keqkonceptim thelbësor: që modernizimi ekonomik do të çonte në një kërkesë më të madhe për pjesëmarrje politike të tipit me të cilin ne jemi familjarë; dhe se kjo do të jepte si rezultat një lloj kulture universale që do të ishte të paktën e dallueshme si “thuajse-Perëndimore”. Teoria kyç është që institucionet fitojnë karshi kulturës. Pretendimet e guximshme të pas-Luftës së Ftohtë -  që historia është fituare nga ekonomia e institucionet dhe që kultura nga ana e saj përshtatet – krahasohen disi me besimin ideologjik të revolucionarëve marksistë të fillimit të shekullit të njëzetë të cilët besonin se kishin zbërthyer mënyrën e funksionimit të progresit njerëzor.

Në luftërat në Afganistan dhe Lindje e Mesme, qëllimi i “shtetformimit” – cili përfshinte hedhjen e themeleve institucionale për qeveri përfaqësuese demokratike – është parë si një qëllim final evident i dëshiruar. Që këto projekte kanë dështuar, kjo është pranuar nga analistët më emocionalë, por edhe midis tyre rrallë është vënë në pikëpyetje qëllimi në vetvete. Nga një perspektivë më e gjerë, aventurat tona të dështuara në ndërtimin e shtetit kanë qenë të kushtueshme por përfundimisht gabime dhe shpërqendrime të përballueshme. Por siguria se në triumfin e pashmangshëm të liberalizmit na ka kushtuar shumë në marrëdhëniet me Kinën dhe në një farë mase edhe me Rusinë. Që nga fundi i LF, kinezët kanë përfunduar nga dekada të tëra aksesi të papenguar në studimet dhe teknologjinë amerikane, ndërsa Rusia e ka përdorur preokupimin e Amerikës me anti-terrorizmin për të reklamuar sferën e vetë të interesave të privilegjuar, bashkë me periferinë e saj. Deri kohët e fundit, asnjëra nuk gjykohej mbi baza strategjike, meqenëse drejtimi i historisë ishte kuptuar siç duhet.

Por ideologjia ishte më tepër se thjesht strategjikisht e dëmshme. Ajo solli një numër zhgënjimesh që na kanë dëmtuar më thellë. “Globalizimi” ishte një mënyrë për të shpjeguar koncesionet në teknologji e njohuri  Pekinit për hir të bilanceve. Lakmia e korporatave u lejua të maskohej si ideologji e respektueshme. Tani po korrim pasojat e këtij vetë-zhgënjimi. De-industrializimi i Amerikës është shembulli më i qartë dhe politikisht iu dukshëm. Ndryshe nga kostoja insinjifikante e për shtetformimet e dështuara, këto nuk mund të fshihen. Ne jemi dobësuar ndjeshëm si shoqëri.

Uniteti i Perëndimit është nën stres dhe rrezikon të shpërbëhet jo thjesht për shkak të interesave ekonomikë konkurrues kur vjen fjala te Kina e Rusia, por edhe sepse elitave tona iu mungon përherë e më tepër bindja ideologjike se trashëgimia perëndimore dhe e ardhmja jonë kanë nevojë për mbrojtje, sidomos tani, të sfiduara direkt nga besimi i kundërshtarëve tanë. Raundit aktual të garës së fuqive i mungon “pse-ja” thelbësore përtej konsideratave më të dukshme të fuqisë ushtarake dhe ekonomike. Një gjeneratë më parë, nuk do të kishim problem t’i përgjigjeshim kësaj pyetjeje.

Një pjesë e prishjes së konsensusi të Perëndimit është për shkak të pikëpamjeve të ndryshme mbi atë çka përfaqësojnë kundërshtarët tanë: SHBA e sheh Kinën dhe Rusinë përmes lentes së sigurisë, ndërsa Evropa sheh te Kina një mundësi të madhe ekonomike dhe te Rusia një rrezik të kontrollueshëm. Sjellja e këtyre dy pikëpamjeve në një linjë do të jetë një sfidë afatshkurtër për komunitetin transatlantik. Por kjo është detyrë e zbehtë krahasuar me imperativin për të restauruar një përkushtim më të madh karshi pasurisë së përbashkët kulturore dhe vlerave që kanë dalë prej saj.

Ajo çka i jep Kinës e Rusisë forcën për të konkurruar kundër Perëndimit është autenticiteti i tyre historik, diçka që Evropa nuk e ka pasur prej dekadash e diçka që SHBA e nisi në fillim të shekullit, pjesërisht për shkak të ndërhyrjeve të dështuara në Irak e Afganistan, dhe pjesërisht për shkak të krizës financiare globale. Rusia e Putinit i sheh pretendimet si fuqi e madhe në Eurazi si tipike kompensuese – një perandori hakmarrëse të cilës Perëndimi i kishte “grabitur” vendin që i takon nën rrezet e diellit. Intensiteti ideologjik i Kinës manifestohet në nacionalizmin e saj si korrektues thelbësor në ndreqjen e trajektores historike.

Privilegji i pretenduar i komunistëve kinezë si “shpëtimtarë të popullit” është veçanërisht instruktiv. Ai i ofron Kinës rrugën për një shpagim kombëtar që elitat e druajtura post-moderne perëndimore nuk guxojnë ta marrin në konsideratë. Besimi në Perëndim se epoka dixhitale do të homogjenizonte dhe universalizonte jo thjesht ekonomitë por edhe ato çka përbëjnë krenarinë kombëtare, kulturën kombëtare dhe interesin kombëtar po rezulton i zbrazët. Ndërkaq, pretendimet mendjengushta kulturore të komunistëve për legjitimitet vazhdojnë të forcohen.

Teksa pluhuri i erës globaliste po fashitet, rezistenca e shoqërive perëndimore nuk është për t’u marrë si e garantuar. Përballë revizionizmit të fuqisë së madhe të zemëruar ruse dhe imperializmit ekonomik, ushtarak e kulturor të Kinës, a do të gjejnë SHBA dhe Evropa mjaftueshëm terren të përbashkët dhe vetëbesim për t’u bashkuar edhe një herë në mbrojtje të vlerave që pretendojnë se i kanë të përbashkëta? Zhvendosja thelbësore në vitet e ardhshëm duhet të jetë e tillë që të lërë mënjanë institucionalizimin e relativizuar të erës post-Luftë e Ftohtë dhe mbrojë zgjedhjet tona politike në vlerat kulturore qartësisht të identifikueshme që dallon Perëndimin nga kundërshtarët e tij.

* Andrew A. Michta është dekan i Kolegjit të Studimeve Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Qendrën Evropiane për Studime Sigurie George C. Marshall.

Përshtati në shqip SYRI.net

https://www.the-american-interest.com/2020/01/17/bipolarity-is-back/

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco