Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Përplasja e ashpër e Ilir Metës dhe SPAK

Na duhet një dozë optimizmi!

Na duhet një dozë optimizmi!

Nga Monitor - 18/01/2020

Ecuria e ekonomisë shqiptare në dekadat e fundit i ngjan një vrapimi me pengesa. Rritja ishte e lehtë në fillim të viteve ‘90, teksa kalimi nga ekonomia e centralizuar në atë të tranzicionit ofroi hapësira për shumëkënd. Pengesat ishin më shumë të krijuara nga faktorë të tjerë të brendshëm, si p.sh., kriza e piramidave, që kulmoi në vitin 1997. Por, aftësitë ripërtëritëse ishin të larta ne atë kohë, ashtu si me një trup të ri, që arrin të shërohet shpejt nga sëmundjet, edhe pa pasur nevojë për një dozë ilaçesh dhe është në gjendje të rifillojë vrapin.

Fillimi i viteve 2000 e gjeti vendin në një “start” të ri. Në një udhëkryq me shumë drejtime të lira bizneset e gjenin vetë rrugën, teksa nga ana e qeverive gjithnjë ka munguar një strategji e qartë, që do të orientonte sipërmarrjet dhe ekonominë drejt sektorëve ku kishte avantazhe konkurruese.

Deri në 2008-n rritja ishte e shpejtë, duke kulmuar në mbi 8%, që është e kënaqshme për një vend në zhvillim, që synon të ashtuquajturin proces të konvergjencës (rritje me ritme më të shpejta se shtetet e zhvilluara, me synim arritjen e mesatares së tyre në një periudhë të caktuar).

Në 2008-n erdhi pengesa tjetër, kriza ekonomike globale, që ndonëse na goditi me fuqi të amortizuar (për shkak të nivelit të ulët të sofistikimit financiar të tregjeve tona), sërish dha efektet e saj. Rritja ekonomike u ngadalësua ndjeshëm, duke prekur deri te një përqindëshi në 2013-n.

Më pas, Shqipëria dhe rajoni hynë në të ashtuquajturin normalitet të ri, ku rritja nuk pritej të kalonte 4-5 përqindëshin. Pasi arriti kulmin e ri prej 4% në 2018-n (e ndikuar në fakt nga faktorë rastësorë, si prodhimi i energjisë nga shiu), parashikimet për 2019-n nuk janë më shumë se 3%, ku tremujori i katërt do të reflektojë edhe pasojat e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

2020-a nuk premton asgjë pozitive. Pengesat janë shtuar, teksa rrugëdaljet sa vijnë e po ngushtohen. Projektet e mëdha, që sollën likuiditet dhe frynë investimet e huaja po mbarojnë. Shumë sektorë janë maturuar dhe konkurrenca është shtuar. Hapja e vazhdueshme dhe e pakthyeshme e tregjeve, në një kohë që nuk u punua për të rritur konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve shqiptare, pritet t’i dëmtojë edhe më shumë këto të fundit. Industria përpunuese prej kohësh nuk po tërheq investime, duke na bërë paradoksalisht një vend importues edhe për produkte bazë, ndonëse kemi peshën më të lartë të bujqësisë me rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Emigrimi i forcës punëtorë po bëhet gjithnjë e më shumë një faktor pengues i zhvillimit të vendit, jo vetëm për gjetjen e fuqisë punëtore, por edhe për konsumin. Kësaj i shtohet dhe struktura jo produktive e ekonomisë, ku mbizotërojnë bizneset e vogla dhe vetëpunësimi (kemi peshën më të lartë të vetëpunësimit në Europë, pas Turqisë, me rreth 35%). Ky model po zhbëhet gradualisht për shkak të konkurrencës së zinxhirëve të mëdhenj, por pa krijuar hapësira të tjera zhvillimi, që do të mund të amortizonin pasojat e rënies së vetëpunësimit. Investimet në teknologji, ku po orientohen tashmë konkurrentët tanë, mungojnë. Vëmendja e sipërmarrësve me kapitale të lira vitet e fundit u kthye sërish te ndërtimi rezidencial, pa vlerë të shtuar për ekonominë. Turizmi, i vetmi sektor premtues, dhe që po ecte mirë, rrezikohet në afatshkurtër nga tërmeti dhe në afatgjatë nga modeli i paqëndrueshëm i zhvillimit (Golemizimi).

Në këtë auto-vrap të ekonomisë me liri tregu, qeveritë përgjatë tre dekadave, më të shumtën e rasteve i kanë vënë pengesa biznesit e ekonomisë, sesa kanë ndihmuar në heqjen e tyre. Por, teksa kemi mbërritur në pikën e maturimit, motori i bizneseve po gulçon. Është koha që timonin ta marrin qeveritë, me strategjitë afatgjata të zhvillimit, larg mendësisë afatshkurtër për fitimin e një apo dy mandateve. Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, në një intervistë për Monitor (shiko specialen e parashikimeve në faqet e brendshme të Revistës) e pohon hapur që vendit i mungon një qeverisje e mirë. “Është e nevojshme të ketë rritje më të lartë për të përmirësuar standardet e jetesës dhe për të reduktuar incentivat që njerëzit të emigrojnë në vende të tjera të Europës. Rritja më e lartë kërkon një qeverisje më të mirë duke fuqizuar rregullat e lojës dhe duke luftuar korrupsionin”, thotë ai.

E teksa dozat e pesimizmit po mbytin ekonominë, vetëm një qeverisje e mirë do të bënte kthesën. Të paktën në afat te gjatë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco