I pabesueshëm mllefi i pa fre e pa llogjikë, që u derdh pacipësisht, pas angazhimit praktik të opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore.
Ka mes të mllefosurve naivë modestë, të cilët, me apo pa ndërgjegje po e paragjykojnë si lëvizje politike, por kush spikat janë qejfmbeturit patologjikë, delirantët, që kujtojnë se kanë monopolin e opozitarizmit, ndërsa “aksioni” i tyre, nuk del dot nga Facebook-u. Të njëjtët, që çuditërisht aktivizohen atëherë kur Rama është në vështirësi. Aty shfaqen si puritanë e sulmojnë pa fre Lulzim Bashën, herë pse vepron, e herë pse nuk vepron, sipas nevojës së kryeministrit. Padyshim që është sa qesharake aq edhe morboze kjo rropatje mendore, për ta trumbetuar uljen në tryezën e reformës zgjedhore, si një tërheqje të Lulzim Bashës para Edi Ramës e kauzës opozitare të vitit të fundit.
Prandaj le të shohim faktet, sepse ato janë më kokëforta se çdo klithje e çjerrë nga Facebook-u apo studiot televizive.
Lulzim Basha e ka bërë të ditur qëndrimin e opozitës për të kontribuar për reformën zgjedhore, menjëherë pas publikimit të 9 kushteve nga Bundestagu gjerman. Pra opozita u angazhua të kryente pjesën e saj të detyrës, për kushtin e reformës zgjedhore, sa i takon integrimit të vendit. Për pasojë, kjo “amnezia” e “puritanëve” të paguar, a shërbyes me dëshirë, është krejt flagrante. Ulja në tryezë për të miratuar rregullat e lojës për zgjedhjet, historikisht në pluralizëm është bërë nga PD e PS, pavarësisht nëse kanë qenë në pushtet a opozitë. T’i lësh në dorë kundërshtarit hartimin e rregullave të lojës, ku ti vetë do përfshihesh, është më së paku dritëshkurtësi politike. Dhe vetë “puritanët” e dinë shumë mirë, se Edi Rama nuk është i lumtur që ky proces, po i del nga tradita e forcës së kartonëve në kuvend. A nuk e ka përdorur çdo herë arrogancën e kartonëve, si mjet “dialogu” me opozitën në gati 6 vjet, e prej një viti, po e përdor pa patur nevojë as të mbrojë formalisht vendimet e veta? Kjo sepse tufa e vet e të bindurve, është shtuar me ata që pretendojnë se shkelja e kauzës së partive, që i kanë kandiduar për deputetë, i bën “opozitarë”.
Siç ka thënë prej fillimit, PD nuk e njeh parlamentin ilegjitim, e deri më sot, asnjë tryezë zgjedhore ku ajo ka marrë pjesë, nuk është mbajtur në kuvend. Verbëria e qëllimshme nuk shmang atë që duket, deligjitimimin nga opozita të atij institucioni, e zhvendosjen e punës aty ku është opozita, jashtë parlamentit ilegjitim. Ky i fundit tashmë do ketë vetëm rolin noterial të miratimit të reformës së dakordësuar në atë tryezë katërshe, që aq shumë shqetësoi disa. Klithmat se PD pranoi të ulej me Damian Gjiknurin, ishin ku e ku më të forta, se heshtja e të njëjtëve “puritanë”, kur Damian Gjiknuri doli me zë në përgjimet e publikuara nga Bild, për krim zgjedhor në Dibër. E pra PD nuk i imponon dot Ramës se me kë do të përfaqësohet në këtë proces, qoftë edhe me njeriun që i solli tërmetin e votave në Dibër, për të cilën ka një dosje në prokurori, edhe me përgjime që u publikuan nga Bild. Në fakt është vetëm modeli aspak surprizë i Edi Ramës : të tillë njerëz i duhen, tek ata ka besim, ata janë fytyra e tij.
Miratimi sa më shpejt i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, plotëson kushtin e dytë të Bundestagut: miratimin me konsensus të reformës zgjedhore. Edhe “puritanët” e dinë se cili është kushti i tretë: zbatimi i reformës zgjedhore, e nëse ata dinë ndonjë formë tjetër zbatimi përvec mbajtjes së zgjedhjeve, le ta thonë, edhe pa klithur.
Kjo opozitë me Lulzim Bashën i ka dhënë provat e saj krejt qartë, se sakrifikon për kauzën ku beson. Dorëzimi i mandateve dhe refuzimi i zgjedhjeve të 30 qershorit ishin sakrifica jo e vogël politike, shpesh e anatemuar, por që shërbeu për t’u treguar shqiptarëve, se deri ku shkon Edi Rama për ta marrë vetë gjithë tepsinë, edhe pjesët që nuk i takojnë me ligj e kushtetutë. Shqiptarët e ndërkombëtarët e panë qartë në 30 qershor, se si Edi Rama nuk bën dot zgjedhje të lira, edhe kur nuk ka rivalë! Akuzat e përsëritura të PD se Rama grumbullon rreth vetes të fortë e kriminele dhe përdor administratën për të siguruar në mënyrë jo ligjore votat, u provuan në dosjet 339 e 184, në Durrës e Dibër, të cilat çuditërisht janë strukur thellë në sirtarët e prokurorisë, ashtu si çështje të tjera, ku të përfshirë janë njerëz pranë kryeministrit. Njëlloj u pa se si përzgjedhja e njerëzve me të shkuar të errët nga Rama nuk është rastësi, a mungesë vëmendjeje, por një strategji e ndjekur edhe në votimet e 30 qershorit, ku rival kishte vetëm veten. A nuk ka shkuar në pesë numri i kryebashkiakëve socialistë të denoncuar nga PD, që nuk duhej të ishin në atë detyrë, vetëm 6 muaj pas atyre votimeve moniste? Çuditërisht ata që anatemojnë më fort Lulzim Bashën, që u ul në tryezën e reformës zgjedhore, nuk e hapën gojën asnjëherë, kur Edi Ramës kjo opozitë e drejtuar nga Lulzim Basha, ia rrëzonte një nga një pendët e fasadës, duke i lënë karkasën e kalbur të një pushteti të zgërlaqur nga pesha e zullumeve, që nuk mbulohen dot më. Të njëjtët “puritanë” që heshtën edhe kur e njëjta opozitë u qëndronte në krah kauzave qytetare, teatrit kombëtar, banorëve të Unazës apo gazetarëve. Nuk lëshuan asnjë rrokje, në favor të asnjërit nga këto grupime shoqërore, që do të thoshte në fakt qëndrim kundër Edi Ramës. As për familjet e mbetura pa shtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit e që presin një zgjidhje që ende nuk duket kund, apo për mungesën e përgjegjësive për humbjen e 51 jetëve njerëzore.
E nëse opozita e drejtuar nga Lulzim Basha po bën lëvizjen për të sjellë një ndryshim, duke u përfshirë në procesin e reformës zgjedhore, kjo qenka zmbrapsje, por nuk “lexohet” si e tillë harrimi i përbetimeve të Edi Ramës se reformën zgjedhore do e bënte edhe pa opozitën, pasi i ka votat. Këtu mbyllin sytë e nuk e shohin si tërheqje, njëlloj si atë që nuk është më sekret: roli i ndërkombëtarëve në organizimin e asaj tryeze, jashtë kuvendit ilegjitim.
Ky vend që po zbrazet frikshëm ditë pas dite, që po i vidhen edhe burimet që duhet t’i liheshin brezave të ardhshëm, ka nevojë urgjente për rikthim në normalitet. Kjo opozitë e ka treguar se protestat nuk janë pika e dobët e saj, përkundrazi, sepse me dorëzimin e mandateve, u vu në krah të qytetarëve. Pra protestat janë gjithnjë aty, si opsion i shpirtit demokrat, por reforma zgjedhore me konsensus është një detyrë shtëpie sa për të tashmen, aq edhe për të ardhmen: ajo do i japë mundësi shqiptarëve të zgjedhin një qeveri të përgjegjshme dhe do i hapë vendit rrugën e bllokuar prej 2014-ës drejt BE, hapjen e negociatave të antarësimit.
© SYRI.net
Mos e tirrni lesht kaq gjatë me këto artikuj që i kanë hije "rilindasve", bëni mirë të mësoni nga kritikat e popullit se sa nga furçet e laperëve, o bijtë e baballarëve të PD. Na thoni një të vërtetë të thjeshtë. Kush do ti numërojë votat, Gjelbibë Denari? Kush do kontrollojë mbarvajtjen e zgjedhjeve, gjeneral Lleshi? E Drama ju a hodhi, ju mashtroi edhe kur ju vuri nja 4 ministra provizorë, të cilët bënë një vërë në ujë. Po shkeljet kush do ti hetojë, Arta Syke Marku apo i nipi i Aranit Çelës? Mos shihni ëndërra me sy çelë, madje na i shisni si realitet. Sistemi është pushtuar tërësisht, peshku është qelbur nga koka, madje nuk ka shpëtuar asnjë copë nga bishti. Pa shpartallimin e sistemit egzistues nuk ka si të ketë zgjedhje, ka vetëm votime si të Enverit, ose si 30 Qershori.
Ndjese zoti Spahia por “puritan” e ma pertej ,jeni ju dhe disa pak rreth e rrotull e para mbrapa Olandezit,duke pritur qe Edi Rama tju jape pushtetin,sepse Luli na paska deshire te udheheqi popullin ,por i keni vene edhe ca kushte,si psh te hapi krahun,te cliroje mediat dhe fjalen e lire, te zbatoje urdhrat e Olandezit per pasojat e termetit,te mos vjedhi zgjedhjet,te fusi ne burg gangsteret,te fusi ne burg ministrant,sepse po nuk i beri keto, ju nuk do te nxirrni me gazeten RD, nuk do te merrni pjese ne reformen teritorjale,nuk do rrini asnje minute ne parlamentin e krimit,nuk do veni ne dijeni asnje nderkombetar se cfare ka katranosur Edvin Noriega ne Shqiperi,pa u mbushur 6 vjet (ekujvalent me pritjen qe te behet muti mullar),nuk do merrni pjese ne zgjedhjet vendore,nuk do te beni asnjelloj proteste,POR kercenimi arrin kulmin kur JU i jepni ultimatum per zgjedhje te parakoheshme dhe ceshte me kryesorja,pa Edi Ramen! Eshte skandaloze sjellja e Partise Demokratike karshi nje situate te tille!Sidoqofte nqse ju quajne “puritan”,mos u trishtoni,sepse jeni nje shkalle me lart se sa i paafti (ne rrastin me te mire) qepo merrni ne mbrojtje! Largoni Lulzim Bashen,mos ju kundervini kritikave ndaj tij!Populli eshte ne dite te hallit! Neser do jete vone!
Keta kane pasion te shkruajne hartime ne kohen e lire. Deri ne klase te 8 i sjellin gjerat qe perserisin gjithe kohes, pastaj mbeten bosh se nuk kane c'te thone me. Se per te bere pervec veres ne uje, nuk kane ndermend gje tjeter. pazar me njeri tjetrin, kaq vite une, kaq ti dhe mbaroi pulitika
me rafte pika, ky kujton se te gjithe jane me ramen...pupupu o loqe ti je te partia demokratike, e kuptojme qe ta do interesi, por ne te tjeret nuk jemi ne parti o kokrra e moles. ne na ikin dite, javet muajt vitet dhe se shpejti dekada duke ju degjuar juve te ndriturve qe ne vend ti luteni facebookut se ju mesoi te lidhnit dy fakte bashke por edhe i kunderviheni. o sa te lehte e ka rama me menditmare si puna jote.