Dielli nuk lindi sot për të rrallin Xhevdet Ferri!

Dielli nuk lindi sot për të rrallin Xhevdet Ferri!

Nga Sali Berisha - 17/01/2020

Xhevdet Ferri, njeri nga artistët më të shquar dhe më të dashur të filmit dhe teatrit të Shqipërisë, mbylli dje sytë përgjithmonë.

Xhevdet Ferri, që në vitet e rinisë do të hynte në skenën e filmit dhe teatrit - më i talentuari, një super yll i brezit të tij.

Me interpretimet e tij në dhjetëra e dhjetëra role, ai me talentin e tij dhe virtytet arriti të fitonte emrin e mirë të një artisti të madh dhe të dashur e të respektuar nga publiku shqiptar.

Xhevdeti u nda nga jeta para kohe, për moshën e artit ai iku i ri. Kulme dhe lartësi të reja ishin horizonti që prisnin atë dhe filmin shqiptar. Por ai iku i pavdekshëm, sepse do të jetojë e shndrisë përjetë me veprat që la.

Pasardhës i një familjeje me emër e të shquar për Kosovën dhe mbarë kombin, ai me dinjitet të madh do të mbartë vlerat e saj.

Për familjen, miqtë, të afërmit, por edhe për artin, kulturën tonë, ndarja nga jeta e Xhevdet Ferrit është një zi e rëndë, humbje e madhe e pakompensueshme.

Por e tillë është kjo humbje për familjen e tij politike, Partinë Demokratike dhe demokratët shqiptarë, që kishin tek Xhevdeti një personalitet, ligjvënës që iu dha emër dhe nder.

Duke shprehur ngushëllimet më të ndjera, familjes së tij të nderuar, ju ftoj të dashur miq, si mirënjohje e thellë ndaj Xhevdet Ferrit, t’i lutemi Zotit që shpirti i tij i mirë të prehet në paqe. Ngushëllime!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco