Një fitore tjetër e opozitës së Bashës në një luftë të vështirë

Një fitore tjetër e opozitës së Bashës në një luftë të vështirë

Nga Enton Palushi - 14/01/2020

Kur një nga deputetët e Bundestagut gjerman mbajti një fjalim në seancën ku do të miratohej rezoluta me kushtet për Shqipërinë, theksoi se ata nuk do të mashtroheshin më nga manovrat që bën qeveria shqiptare. Këtë herë rezoluta ishte e kopsitur dhe të gjitha pikat e saj kishin një qëllim: realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Opozita shqiptare e Lulzim Bashës kishte arritur një fitore të rëndësishme: Fati i integrimit të Shqipërisë ishte lidhur pashmangshmërisht me nevojën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Duke respektuar një nga pikat e kësaj rezolute, opozita arriti të imponohej ndaj mazhorancës edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve për të krijuar një Këshill Politik, i cili do të miratojë reformën zgjedhore me konsensus të palëve dhe ndihmën e ekspertëve të huaj, kurse parlamenti skandaloz do të kthehet vetëm në noter të saj.

Të gjithë e dinë se rezoluta e Bundestagut gjerman është varianti më i mirë për integrimin e shqiptarëve në Bashkimin Europian, një integrim që e dëshirojnë mbi 95 përqind e shqiptarëve. Demokratët duhet të jenë krenarë se kjo është puna e tyre, duke treguar edhe njëherë se janë partia e madhe e shqiptarëve, e cila e ka çuar përpara dhe po e mban akoma gjallë narrativën e integrimit pro-perëndimor. Kurse kundërshtarit i ka vdekur kjo narrativë, ndaj e shihni teksa përpëlitet mes historive me Mini-Shengenë, me turq, serbë, rusë, kinezë, me hoxhallarë e me priftërinj.

*
Takimi i parë i Këshillit Politik për reformën zgjedhore ka prodhuar plot reagime dhe ndjeshmëri që kanë në fokus opozitën shqiptare. Kur e sheh fluksin e komenteve, nga një anë e kupton se është mirë që njerëzit i kanë pritshmëritë e larta te opozita, pasi te e fundit mendojnë se ajo është e ardhmja, kurse Edi Rama është e shkuara. Por nuk mund të mos vësh re pa dëshpërim se problemin më të madh nuk e kemi me atë që ka dhunuar të drejtën e votës, por me të dhunuarin. Psikologët thonë se ‘teoria e fajësimit të viktimës’ është shumë e përhapur. Ajo e ka mbi të gjitha bazën te besimi se bota është e drejta dhe gjithkush merr atë që meriton. Mirëpo nëse keni jetuar në Tokë dhe jo në ndonjë planet tjetër, duhet ta dini se bota nuk është e drejtë dhe jeta është një luftë e vazhdueshme në kërkim të së mirës. Edhe opozita shqiptare do donte që Shqipëria të ishte e drejtë, që Damian Gjiknuri, Vangjush Dako e shumë të tjerë të ishin në burg për blerjen e votave. Edhe ajo do donte që qeveria të ishte larguar me kohë pasi e ka rrënuar vendin. Edhe ajo do donte që pas protestave masive dhe skandaleve të shumta, Edi Rama të kishte dhënë dorëheqjen si në çdo vend normal. Mirëpo ne nuk jemi vend normal dhe kjo e bën këtë luftë akoma më të vështirë. Çdo zgjidhje e lehtë që ofrohet mbetet vetëm populizëm për konsum mediatik.
Pastaj, mos harroni se çdo nismë ligjore do e miratojë një parlament i caktuar. Thonë se karma është lavire, ndaj mund të sillni në kujtesë ata deputetë dhe ish-deputetë, të cilët i urreni me të drejtë, që u detyruan të miratojnë me duart e tyre një ligj ekstremisht të ashpër kundër tyre, si ai i dekriminalizimit, i propozuar nga opozita. Kështu do bëjnë edhe me reformën zgjedhore, kështu do bënin edhe me vetingun në politikë, nëse do ia kishin pranuar opozitës. Më mirë me miratimin e tyre.

*
Hapi i sotëm vetëm sa nis një rrugë. Pjesa më e vështirë nuk do të jetë miratimi i reformës, por zbatimi i saj. Të gjithë e dimë se ka ligje të mira që nuk zbatohen sepse mungon presioni mbi të gjithë ata që që do merren me zbatimin. Kjo ishte arsyeja se përse opozita dogji mandatet dhe doli në rrugë. Sot e çdo ditë më shumë është më e vështirë të luash me votën e shqiptarëve.

Kjo është arsyeja se përse duhet vazhduar presioni për ta bërë votën e lirë të shqiptarëve një të drejtë të shenjtë. Po të mos ishin protestat e opozitës dhe presioni ndërkombëtar, ndoshta tani nuk do ishit kaq të zemëruar kur përmendet emri i Gjiknurit. Po të mos ishte aftësia e opozitës për ta ngjitur çështjen e zgjedhjeve në krye të axhendës politike, sot do ishit duke diskutuar për herë të N-të mbi çmimet që ka marrë sheshi Skënderbej si e vetmja arritje e qeverisjes së Ramës.

Ndaj le ta ruajmë këtë presion duke kujtuar se historia e zgjedhjeve të lira në Shqipëri është e lidhur ngushtë me problemin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka depërtuar në çdo qelizë të shoqërisë.

Dan Ariely, një psikolog me nam botëror, thotë se studimet e tij tregojnë se një lider i korruptuar e korrupton të gjithë shoqërinë. Një lider i kriminalizuar e kriminalizon të gjithë vendin. Ndaj, pasi vendi është mbushur me drogë dhe mjerimi është ulur këmbëkryq, nuk keni pse lemeriseni kur shihni lajme si ai i Mallakastrës ku një tufë adoleshentësh vrasin dhe përdhunojnë një grua pas pazareve për drogën. Të mirat dhe të këqijat e një vendi e kanë një gjenezë: votën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

i deleguari14/01/2020 20:46

Zoti Enton Palushi,ju thoni,"Të mirat dhe të këqijat e një vendi e kanë një gjenezë: votën." Plotesisht dakord,por a nuk vlen ky pohim edhe brenda nje partie dhe vete nje kryetari me reputacion te dyshimte per shkak te mos konseguences se te cilit,nje pjese jo e vogel e fajesojne deri ne ate mase sa duan largim nga posti i kryetarit? A nuk duhet Lulzim Basha t'i nenshtrohet nje votbesimi pas nje opozite terkuze me shume se 6 vjecare e mbushur me skandale qeverisese,qe disa thone ka bere me shume hapa mbrapa se perpara? A ka sondazhe PD ? A mund te eksperimentohet ne kete vend me vite e vite A nuk eshte test i mjaftueshem per aftesite e kryetarit edhe onturazhi dhe stafi i ofruar prej tij inegzistent opozitar si me tipiket Edi Paloka,Edmond Spaho e plot te tjere nga ata qe nepermjet listes u bene deputete? A eshte pergjegjesi e Bashes qe mosbesimi ndaj opozites ka arritur kulmin me fillo protesta,ler protesta bej betime harro angazhime dhe shqipetaret ikin e ikin...? Zoti Basha pati kurajon dhe meriten qe largoi Patozin,Topallin,Imamin,Bregun,Rulin,Boden,por ka edhe mjaft gabime ,bile te renda.Eshte domosdoshmeri votebesimi sot se sa pasojat neser,sidomos per njerez te shkolluar ne zemer te perendimit! Vertet qe cdo gje eshte kethyer ne anormalitet nga Edvin Mafija,por nuk ka justifikim qe t'i pergjigjesh me elegance fine demokratike shkaterrimit nga themelet te shtetit,prandaj nevoitet nje "keshill vendim marres",prandaj duhen pyetur ata qe dijne,jo ata qe tundin koken!

Shto koment

Denonco