Pa rroga, pa investime, pa cilësi por krenare për arsimin që (nuk) duam

Pa rroga, pa investime, pa cilësi por krenare për arsimin që (nuk) duam

Nga Ndriçim Mehmeti - 13/01/2020

7 vjet më parë deputetja Gjermeni dilte e pikëlluar përballë gazetarëve në selinë e PS-së duke deklaruar se “ishte e pafalshme që në ditën e 9-të të muajit janar mësuesit janë ende pa paga”. Ky ishte një lajm me të cilën PS-ja po bënte politikë të madhe duke filluar nga mësuesit.

7 vjet më pas në ditën e 12 të janarit, si çdo janar prej 2014, mësuesit dhe pedagogët kanë pa paga, por nga oborri i PS nuk ka asnjë deklaratë për shtypin.

Po ashtu Ministria e Arsimit, nuk ka asnjë reagim, pasi me siguri nuk e di ose nuk e ka informacionin që mësuesit paguhen çdo muaj dhe brenda datës 5.

Ministria e Financave as që bëhet fjalë të merret me këtë problem, ndërkaq që mjeshtri i financave për fat të keq na e ka marrë rindërtimi, se ai i kullandriste këto punë me kohë e me vakt.

A është vetëm një vonesë e pagës halli më i madh në këtë fillim viti? Sikur të ishte vetëm për një vonesë të vogël të pagës së një muajit do të thoshim “po ja falim”. Po arsimi ka marrë tatëpjetën. Ai ndodhet në rënie të lirë dhe një Zot e di se ku do të ndalet. Pa rroga, pa investime, pa cilësi me më shumë nxënës që braktisin shkollën, me praninë e bullizmit, drogës, duhanin, alkoolit e gjithçkaje që prodhon rruga transferohet në oborret dhe muret rrethuese të shkollës.

Nxënësit nuk kanë asnjë dëshirë [për të mësuar, shkolla është kthyer në një paradë mode, kush e kush të jetë veshur në mënyrën më luksoze në qytete e mëdha, ndërsa në vendet e vogla pa shumë mundësi financiare apo në periferi të zonave të mëdha urbane, atje flitet vetëm sesi të fitohet në mënyrë të paligjshme, kush janë të fortët a mund të punojmë etj. Ndërkaq mësueist janë në gjendjen e gjumit letragjik.

Ata janë shumë të kënaqur përmes shprehjes së famshme, “shyqyr që jemi në punë”:. Më tutje asgjë nuk ka rëndësi.

Ja dalin edhe kur rroga del me vonesë edhe kur nuk marrin shpërblim prej 7 vitesh, edhe kur i kërcënojnë me vendin e punës për të dalë në pritjet madhështore me rastin e vizitave të kryeministrit. Madje ata durojnë edhe t’i transferojnë, sepse gjejnë përsëri ngushëllim tek shprehja “shyqyr që jemi në punë”. Ata mësuesit, modestët deri në madhështi, tani janë thjesht skllevërit modernë të Ministrisë së Arsimit, të përkulurit (deri në tokë e jo në gjunjë, të shtetit), shtresa më se në nevojë për ta zgjuar, por që për fat të keq është e vështirë.

Mbase dhe vetë ata nuk e duan të jenë shumë ndryshe. E keqja që është bërë njësh me ta ju duket si një mirësi, njësoj si vullneti i Zotit që vështirë se e ndryshon. Janë të kënaqur kur kanë ftohtë, kur paguajnë vetë transportin, kur nuk kanë m jete didaktike, kur bëjnë sikur shpjegojnë dhe nxënësit bëjnë sikur kuptojnë.

Edhe nxënësit nga ana e tyre duken edhe më të kënaqur, madje tejet të kënaqur. Disa nga nota qyl që marrin, disa që kalojnë duke e quajtur zyshen dhe presorin “nona”, të tjerë që mbeten shajnë me rob shtëpie të gjithë, por në und qetësohen se do ta shtyjnë me zor klasën. Ata nuk janë ngritur asnjëherë për mungesë e ngrohjes, shkollat e rrënuar, të ndërtuara e sërish të rrënuar, për mungesën e laboratorëve, komjuterave etj. Ata e kanë për terezi sepse sipas mendjes së tyre “ç’punë lanë ata me këto gjëra”. Prindërit? Lëre fare. Janë të zënë shumë me punë. Nuk kanë kohë të hanë bukë e jo të merren me arsimin.

Për disa nëse shkolla do t’i mbante mundësisht deri nga ora 6 apo 7 e pasdites do të ishte një mrekulli. Akoma më mirë do të ishte sikur t’jua çonin vetëm për fundjavë. “Shkolla për këtë punë është, ti mësoj fëmijët, ti edukoj, ti mësoj si të sillen e pastaj të vijnë në shtëpi. Po të ishte se ne i dinim të gjitha i mbanin vetë”, kështu që ata e kanë përfunduar detyrën. Nëse fëmija rrezikohet të mbetet, një qokë të vogël dyshave a drejtorit dhe ja mori fund edhe ky hall. “Me para tani zgjidhet gjithçka e jo një dava note e qelbur në fizikë a kimi”.

Nëse pyet rilindësit e ndritur të shek. XXI, a është ky arsimi që duam? Përgjigjja është: patjetër. Dhe kanë të drejtë. Për ta ky është arsimi që duam. Mbjellja e paditurisë arroganca, promovimi i njerëzve mediokër duke filluar nga drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Arsimit, zëvendësit e tyre, drejtorët e drejtorive, drejtuesit vendor të arsimit e deri tek drejtues shkollash, është kthyer në sportin më të preferuar të qeverisë që drejtin sot vendin.

Nuk kanë rëndësi fare as rezultate e Maturës Shtetërore, as renditja e vendit në PISA, as të rinjtë që ikin, as ata që braktisin shkollën, as shkollat e rrënuar, të rindërtuara e përsëri të rrënuara, as paga mjerave e mësuesve dhe pedagogëve. Jo. Të gjitha këto nuk kanë pikë rëndësie, para modelit të krehjes, formës së syzeve, kombinimit të shallit me xhupin, të çantës me sandalet a këpucët, të vendndodhjes së vilës së ngrohtë e të freskët, plot ajër të pastat, diku larg Tiranës së qelbur. Sigurisht rrugët jashtë vendit janë shumë joshëse. Përveçse gënjejmë këdo që gjejmë para, kemi plot mundësi për të plotësuar apo zëvendësuar atë që na mungon në gardërobën e tejmbushur nga dhuratat dhe të ardhurat e pamata që sjell privilegji i të qenit në pushtet.

Na intereson luksi i zyrave, rikonstruksioni i Ministrisë së Arsimit, shpërndarja e përgjegjësisë në sa më shumë institucione në emër të decentralizimit, dëshira e madhe për të mos u marrë me punë, por me llogaritjet e fitimeve. Nuk duam e as nuk mundohemi të tregohemi të hapur e të bëjmë ndonjë gjë transparente, përveçse kur na urdhëron Komandanti, që një dështim ta mbulojmë me gënjeshtrën e radhës.

Ja të marrim një shembull. Shpallëm Paktin e Universitetit me disa pika: Biblioteka, kampuse, kontroll plagjiature, salla leximi, akses në internet etj. Nuk realizuam asgjë nga ato që thamë. Tani në janar 2020 me siguri Komandanti së bashku me Besën, e cila do të vishet e mban mikrofonin si një show girl, do na nxjerrin ndonjë xhuher të ri, siç i thonë nga anët e kryeministrit. Pse mendoni ju se do dalin e të japin llogari se çfarë u bë me paktin e universitetin, një vit pas shpalljes së tij? Jo. Meazallah. Në fund të fundit përse duhet ta bëjnë. Studentët nuk kërkojnë llogari dhe janë të kënaqur, pedagogët po ashtu, ndërsa drejtuesit e Universiteteve, fakulteteve dhe njësive bazë, akoma më të lumtur.

Besa, Komandanti, deputetë e kryetarë bashkish që janë parë kaq të qeshur e të lumtur, kur i kanë prerë shiritat shkollave që rrëzuan nga tërmeti nuk duken gjëkundi. Janë zhdukur nga ekrani.

Deputetë dhe ish-deputetë të shumicës, dikur mësues e pedagog dhe ata pak, që janë edhe aktualisht pedagog, as që e ngrenë zërin, sepse presin të jenë në listën e radhës. Duke qenë në listë ke më shumë mundësi për projekte, thithje fondesh për shoqatën që drejton dhe më shumë akses në zyrat e shtetit. Por edhe po ike duarbosh nuk mbetesh.

Të gjithë e kanë të garantuar vendin në Universitet, titujt i kanë marrë dhe rroga ecën dhe punët përsëri shkojnë vaj. Arsimi dhe problemet e tij? Nuk janë problemet e tyre. Keqardhja dhe dëshpërimi i opozitares, për rrogën e pa marrë 7 vjet më parë, tanimë është kthyer në rutinë e çdo muaji tani që janë në pushtet. Ndërsa rroga e tyre legale, del gjithmonë në fillim të muajit, pavarësisht se ata e marrin të ndarë në tremujore, pasi kanë edhe burime të tjera. Në këtë janar me siguri edhe znj. Gjermeni nuk e di që janë vonuar pagat, se edhe po ta dinte tani që janë në pushtet, nuk mund të ketë kritika, vetëm lavde për qeverinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco