Rama dhe pasqyra që nuk duam ta shohim

Rama dhe pasqyra që nuk duam ta shohim

Nga Doan Gjyzeli - 10/01/2020

‘Sa më e fuqishme të bëhet Partia, aq më pak tolerante do të tregohet, sa më e dobët opozita, aq më i egër despotizmi…’.

Ky është vetëm një fragment nga romani ‘1984’ i Geroge Orwell, por që fatkeqësisht ne e hasim në përditshmërinë tone jashtëletrare. Eshtë një moment ku dy personazhet e romanit, O’Brajëni dhe Unistoni, po diskutojnë dhe, i pari, që përfaqëson mendimin dhe forcën e partisë, i thotë të dytit që beson ende te Njeriu, se, përmes urrejtjes, përmes përqeshjes, përmes diskreditimit dhe poshtërimit, do të krijohet një botë lehtësisht e zotëruar nga një politikë e tillë pasi, sipas tij, urrejtja krijon më shumë garanci se dashuria.

Ne fakt, kur e rilexon me vëmendje, mund të dallosh lehtësisht ngjashmërinë e madhe mes ideve të O’Brajënit dhe atyre që aplikon kryeministri Rama. Po pse na afrohet kaq shumë Rama me atë që thotë O’Brajëni? Ndoshta për faktin se Rama që njohim sot lehtësisht nga televizionet, nga ai që bën paradë përpara varfërisë, është Rama që kërkon të tallet me debatuesit, kërkon të delegjitimojë gazetarët, që kërkon të vërë etiketa fyese për kundërshtarët.

Është pikërisht ai që nuk ka asnjë drojë të shfaqet si bullist politik kur imiton edhe për ndonjë ves apo defekt të lindur tjetrin përballë (do të mjaftonin vetëm deklaratat për Dash Shehin apo imitimi për Edi Palokën në Kuvend për ilustrim).

Kryeministri Rama, për hir të së vërtetës ka kohë që ka dalë përpara pasqyrës ashtu siç është. Ka dalë kur kërkoi t’u hidhte hi syve studentëve pas protestës së tyre përmes një vendimi aspak ligjor dhe fyes për administratën, kur vendosi për punësimin e ekselentëve pa mbaruar ende studimet dhe pa asnjë konkurs.

Rama ka dalë përpara kësaj pasqyre edhe me paradë përpara varfërisë dhe problemeve që u shfaqën pas tërmetit të 26 nëntorit. Duke marrë rolin e bamirësit, Rama urdhëroi bashkitë të akordonin një fond qiraje, kur faktikisht ekspertët as nuk kishin shpallur vlerën dhe hartën e dëmeve të ndodhura.

Por atij qartësisht i intereson vetëm që të mos ketë ankesa, pavarësisht se problemet nuk mund të zgjidhen në këtë mënyrë. Mjafton të shikojmë çfarë ka ndodhur në dy fshatrat e Korçës, ku edhe pse pak shtëpi të prishura, ende disa vijojnë të jetojnë në çadra.

Apo tallja që ndodhi pas 21 shtatorit, ku ai mblodhi qeverinë me urgjencë, në mesnatë, ndërkohë që nuk u dha banorëve asnjë zgjidhje serioze, ç’ka solli më pas edhe disa nga viktimat e 26 nëntorit.

Dhe, pasi e pa që institucionet dhe qeverisja e tij ishte shkërmoqur, pasi ishte kujdesur vetëm në televizor dhe jo në terren për pasojat e tërmetit të 21 shtatorit, ai mori edhe rolin e kryebamirësit duke mbledhur rreth vetes gjithë shoqatat apo fondacionet bamirëse, me idenë se, kushdo në këtë vend ia beson atij gjithçka.

E më pas, për t’i fyer inteligjencën çdo njeriu normal, nxori në televizione pamje kur të prekurit nga tërmeti i puthnin duart (ndërkohë që largoi ata që i kërkonin llogari, në rastet kur ishin pa regjinë e ERTV). Veprime tipike të një njeriu që mendon vetëm për pushtetin e tij dhe ku populli është një cirk ku ai duhet të zbavitet.

Në fakt, këtë pasqyrë, më shumë se sa qytetarët e thjeshtë duhet ta lexojë opozita. Më së pari për të mos imituar paradat e Kryeministrit. Kur nuk ka më asnjë përfaqësues në pushtetin lokal, e as në Kuvend, opozita e Bashës duhet të ofrojë ndihma dhe ide konkrete. Ekspertët e saj duhet të bëjnë projekte për daljen nga kjo krizë, duke pasur parasysh se çdo bënin edhe vetë po të ishin sot në pushtet. Kjo nuk do të thotë as ta tolerojnë Ramën në paradën e tij perverse me varfërinë, e as ta sulmojnë thjesht se e kanë kundërshtar.

Por të vazhdojnë t’i ofrojnë zgjidhje siç bënë ditët e para dhe t’i ngrenë atij çështje konkrete për daljen nga kriza. Qytetarët janë vërtet të varfër, por asnjëherë nuk janë aq naive sa të mos ndajnë veprimin e ndershëm nga mashtruesi.

Dhe Ramën mashtrues sot mund ta dallojë i madh dhe i vogël. Por çështja është se çdonjëri kërkon të shohë zgjidhje, dhe opozita e ka rastin të tregojë këtë përgjegjësi përmes një ndryshimi rrënjësor të qasjes me ekspertët e duhur, dhe duke qenë me qytetarët, pa pasur nevojë as për kamera e as për foto.

Pasqyra ku ka dalë Rama është kollaj sot të dallohet. Mbetet vetëm se përballë kësaj pasqyre opozita të zgjedhë fytyrat që nuk bartin pengjet e së shkuarës dhe që qytetarin nuk e shikojnë si një marionetë, siç e sheh sot Rama dhe mazhoranca e tij. Për opozitën duhet të jetë e qartë se, qytetarët do të mbështesin një lëvizje larg cirkut të sotëm.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco