Listat e hapura forcojnë oligarkët dhe jo qytetarët

Listat e hapura forcojnë oligarkët dhe jo qytetarët

Nga Ergys Mërtiri - 08/01/2020

Ka një eufori kolektive tek shumë aktorë publikë që besojnë se, shkopi magjik për të përmbysur sistemin politik ekzistues qëndron tek ndryshimi i kodit elektoral. Ata mendojnë se e kanë gjetur edhe formulën për këtë: Një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura. Mrekullia e këtij kodi qendron tek fakti se, sipas tyre, ai sjell eleminimin e dominimit të kryetarëve mbi partitë, duke bërë të mundur pashmangshmërisht demokratizimin e tyre, e për rrjedhojë edhe demokratizimin e vendit, gjë që do të sjellë shpëtimin.

Në fakt, ky sistem që ata kërkojnë nuk gjendet dhe aq nëpër Europë. Fare pak vende e aplikojnë dhe, për më tepër, kushtet politike të Shqipërisë nuk ngjajnë fare me to. Megjithatë, këto anashkalohen plotësisht në debatin publik. Si gjithmonë retorika zhvillohet në rrafshin e klisheve dhe populizmit. Vetë shndërrimi i një debati të tillë kaq teknik, - të cilin janë të aftë ta bëjnë shumë pak njerëz në këtë vend, - në një kauzë popullore, tregon se gjithsesi jemi brenda oportunizmit të zakonshëm. Pra asgjë e re nga fronti i përmbysjeve të mëdha!

Pikë së pari, vetë ideja se problemi i partive shqiptare qenkëshin kryetarët e tyre, është gjithashtu një mit. Nuk ka asnjë arsye për të qenë të prirur të besojmë se ministrat, apo i gjithë enturazhi i elitave partiake që përfshihen në qeverisje, janë më pak të korruptuar se kryetarët e tyre. Madje e kundërta është më e besushme: Duke qenë se përgjegjësitë e tyre janë më të vogla, edhe korruptueshmëria duhet të jetë më e madhe. Gjithashtu nuk ka asnjë arsye të besojmë se fragmentimi i pushtetit në një grusht duarsh pushtetarësh të nivelit të dytë, të cilët fitojnë fuqi për të kërcënuar me destabilitet çdo qeverisje që nuk kënaq orekset e tyre, e bën politikën më të mirë.

Në thelb, ajo për të cilën vuan qeverisja nuk është thërrmimi i pushtetit në një numër më të madh gojësh të uritura për korrupsion, por kufizimi i tij nëpërmjet institucionesh të pavarura funksionale. Problemi i Ramës sot, nuk është se taulantët, - zëvendësuesit potencialë të tyre me sistemin e ri të propozuar do të jenë gjithashtu produkt i manipulimit të votës dhe manipulimit propagandistik të mediave, - nuk kanë kurajë t’i ushtrojnë më shumë presion qeverisë, por se institucionet e pavarura janë kapur duke nxjerrë jashtë funksionimi themelet konstitucionale të vendit.

Pra, përpara se të na thuhet se cili sistem na sjell parajsën e premtuar, debati publik duhet të kish trajtuar fillimisht se cilin problem kërkojmë të zgjidhim nëpërmjet ndryshimit të kodit elektoral: A janë problemi kryetarët, politikanët e korruptuar, oligarkët, apo dikush tjetër?

Sipas atyre që pretendojnë se e kanë gjetur formulën e shpëtimit, problemi me sistemin aktual qendron tek fakti që kryetarët kanë pushtet absolut nëpër parti, për shkak se ata kanë të drejtë të përcaktojnë renditjet në listat elektorale. Kjo bën që rrjedhimisht ata të përcaktojnë se cili prej kandidatëve në listë do të jetë deputet e cili jo. Për këtë arsye, sipas tyre, kemi një parlament të mbushur me deputetë pa nivel intelektual, pa kredenciale morale e politike, pa autoritet e madje edhe të lidhur me botën e krimit.

Pikërisht, për të korrigjuar këtë, ata propozojnë një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, ku nuk do të kemi më një ndarje në zona elektorale, por ku gjithkush kandidon në rang kombëtar dhe ku renditjen në listë e përcakton populli, në bazë të votave që secili kandidat merr. Duke qenë të zgjedhur nga populli këta politikanë do të fitojnë pavarësi nga kryetarët duke i vënë ata përpara presionit për të qeverisur mirë.

Në fakt, nuk ka asnjë garanci se ky sistem do të prodhojë një qeverisje më të mirë. Pikë së pari, kryetarët do të vazhdojnë të kenë pushtet pasi ata do të vazhdojnë të jenë hartues të listave, pavarësisht se nuk do të kenë më në dorë renditjen e kandidatëve fitues brenda tyre. Një deputet që i bën presion kryeministrit, mund të përjashtohet nga lista dhe kaq mjafton për ta flakur në rrugë. Në këtë mënyrë, ky sistem nuk sjell asgjë në funksion të demokratizimit të partive. Këtë mund ta konstatojmë edhe në Kosovë ku, vendosja e një sistemi të tillë, nuk ka sjellë ndonjë përmirësim.

Në fakt, sistemi i propozuar, jo vetëm që nuk sjell asgjë nga ajo çfarë pretendohet, por përkundrazi, krijon shumë më tepër probleme se ç’ekzistojnë aktualisht.

Pikë së pari, nuk kemi arsye të besojmë se populli, - i cili në fakt është ai që zgjedh, përkrah dhe brohoret kryetarët që kemi pasur gjatë këtyre 30 vjetëve, - do të veprojë më mirë me nivelet e tjera të përfaqësimit politik. Së dyti, prodhimi i një gare midis deputetëve brenda vetë partive, paralelisht me garën midis partive, do ta çorientonte fushatën elektorale dhe do ta bënte edhe më të pamundur një politikë në funksion të qytetarit pas zgjedhjeve. Së treti, një sistem proporcional kombëtar, do të sillte njëtrajtësim të profileve politike çfarë do t’i bënte partitë më të paafta për të mbuluar role të ndryshme për të cilat ato kanë nevojë në jetën politike.

Megjithatë këto nuk janë thelbësore. Një prej problemeve më të rëndësishëm të këtij sistemi është fakti se ai eleminon zonat elektorale. Për pasojë, nuk kemi më deputetë zonash, por deputetë të zgjedhur në rang kombëtar, gjë që e shkëput politikën nga njerëzit në terren. Ata nuk kanë më përfaqësues të tyrin në parlament, gjë që shkon në kundërshtim të plotë me pretendimet e mbrojtësve të tij, për rritje të përfaqësueshmërisë politike.

Por edhe në rang kombëtar, sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura nuk e rrit aspak përfaqësueshmërinë. Madje përkundrazi, e përkeqëson atë. Ai nuk dërgon në parlament politikanë lokalë që njihen nga populli, gëzojnë reputacion në komunitet dhe përfaqësojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e tyre. Përkundrazi, ai e mbush parlamentin me përfaqësues të interesave të politikës së qendrës, kryesisht ata që dalin në media dhe kanë në duar shumë para dhe burime për të ndikuar në rrafsh kombëtar.

Që të fitosh zgjedhjet në një sistem të tillë duhet të jesh patjetër i lidhur me burime të mëdha influencash. Shkurt, duhet të jesh i lidhur me oligarkët. Një individ pa mbështetje të tilla, pa shumë para dhe pa akses në mjetet e komunikimit të oligarkisë nuk ka asnjë shans të fitojë, pasi ai nuk e kërkon më votën në komunitetet lokale, por e kërkon përballë të gjithë shqiptarëve në rang kombëtar.

Kjo do të thotë se sistemi i propozuar prej tyre, edhe nëse ia del të ulë fuqinë kryetarëve, por këtë fuqi nuk ia kalon popullit, por oligarkëve. Këta të fundit do të kenë më shumë mjete për t’iu bërë presion kryetarëve, nëpërmjet politikanëve tek të cilët ata investojnë, gjë që do të prodhojë një politikë akoma më të shkëputur nga qytetarët. Paradoksi na bën të biem me këmbët tona në gropën që donim të shmangnim. Sistemin që donim të përmbysnim, vetëm sa e forcojmë edhe më shumë.

Natyrisht që kodi zgjedhor ka nevojë të ndryshojë, por jo nëpërmjet një sistemi proporcional me lista të hapura. Një sistem miks do të ishte më i frytshëm. Kjo vlen të diskutohet, por pa harruar se, mbi të gjitha sistemi politik nuk rregullohet nga kodi zgjedhor, por nga një luftë e përditshme për forcimin e institucioneve, të cilat kanë nevojë të reformohen dhe rithemelohen në funksion të shtimit të barrierave ndaj qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Kot Fare09/01/2020 15:01

Gjithe artikulli eshte per ti bere fresk vendimit te kryetarit te PD, per te mbajtur te njejtin sistem zgjedhor.

Shkodrani09/01/2020 12:03

Artikull intersante , mendoi se sistemi zgjedhor nuk eshte problemi , sistemi zgjedhor duhet pershtatur dhe modifikuar por problemi i yne sot eshte amoraliteti i shoqerise sot po hup turpi , sot individet po krenohen me turpet dhe po turperohen prej vlerave , sot eshte trendy me kene hajne , imoral,rrencak,grabites , i pa gen ,homo,mashtrues , me gjitha kteo vese sot behesh politikan deputet , inister kryetar bashkie e punet tone acin perdite e me poshte dhe njerzit noraml dinjitoz,te ndershem ,atdhetare ,sojnik,me virtyte jane te dalun mode e keto nuk jane ne perfaqsim e kur ndonji behet perfasues publik opinioni thote eshte i ndershem nuk eshte as per vedi as per kend.Ne si shoqeri kemi nevoje te bejme nje hape cilesore perpara te vlersohet i miri , emira e te nxerrent ne periferi i keqi e kejqja.

ai09/01/2020 09:38

Cili kod zgjedhor është më i miri e më i përshtatëshmi në Shqipëri ?
Për mendimin tim , më shumë se kodi zgjedhor, duhet të vlerësohet zbatimi i një kodi penal që ndëshkon abuzimet me votat.
Meqë SPAK-u është konsideruar si shpëtim i Shqipërisë për ndëshkimin e korrupsionit deri tek drejtuesit më të lartë të shtetit, kryetari i kuvendit, presidenti e kryeministri, sigurisht që këta persona janë përgjegjës edhe në përzgjedhjen e ekipeve të tyre.
Ndërkaq në reformën e drejtësisë, nuk shoh të kjartësohet raporti i SPAK-ut me Gjykatën Kushtetuese, dhe është krijuar përshtypja se mbi SPAK-un nuk do të jetë kjo Gjykatë që mbron Kushtetutën, por do të jetë një jurist fuqiplotë si "inspektor i përgjithshëm i drejtësisë".
Nuk është i kjartë gjithashtu edhe raporti i kompetencave midis SPAK , BKH e Gjykatës së Lartë, me KQZ e Kolegjin Zgjedhor.
Nëse të gjitha këto institucione të larta të drejtësisë do të akaparohen nga një parti apo koalicion politik, është marrëzi të shohësh shpëtimin tek Kodi zgjedhor, cilido qoftë ai.
Në kodin penal të Shqipërisë, duhet të ketë një nen ku drejtësia të kërkojë ndëshkimin e një kryetari partie me funksionet e larta shtetërore, nëse nga partia e tij ka me shumicë ministra, , deputetë e kryetarë bashkie të korruptuar apo të lidhur me botën e krimit.
A ndiqet kjo praktikë e një kodi të tillë penal në vendet me demokraci të konsoliduar ?
Me aq sa di nuk ndiqet kjo praktikë në asnjë nga këto shtete.ndonëse edhe në shtetet me demokraci të konsoliduar ka përplasje politike të ashpra.
Po cili është përceptimi publik i shoqërisë për drejtësinë shqiptare që solli edhe këtë reformë të dyshimtë në drejtësi, që për disa vite asgjësoi fare institucionet më të larta të saj, që nga Gjykata Kushtetuese ?
Në opinionin publik mbizotëron mendimi se drejtësia, më shumë se e korruptuar nga mitmarja, është e kapur nga politika.
E shoh paradoksale që në Shqipëri, 30 vjet pas përmbysjes së diktaturës komuniste, në institucionet e larta të drejtësisë si produkt i "reformës në drejtësi", të ketë juristë të kohës se diktaturës, në një kohë që edhe e ashtuquajtura "e majtë" shqiptare, me retorikë e ka cilësuar ate diktaturë si kriminale.
Po a nuk ishte Sigurimi e drejtësia arma e krimeve të diktaturës enveriste ?
A nuk është paradoks që SPAK-un ta drejtojë një ish hetues që ka ndëshkuar shqiptarët që kanë "shkelur moralin komunist" ?

Arber08/01/2020 22:27

Sistemi qe eshte vetem te futen zonat dhe renditja te jete kush merr me shume ne zone. Heqia e zonave elektorale ka demtuar keq PDne se me lista e majta e ka stabel elektoratin, PDja si parti me e re ndikohet shume nga protagonizmi i kandidateve per deputet te cilet bejne dhe qe kufite ideologjik bien e njerezit votojne me teper per kandidatin dhe programin.

Shpetimi08/01/2020 22:13

E mira do te ishte : Sistem propocional me lista te hapura, por duke e ndare Shqiperine ne 4-5 zona.

Shqiptari08/01/2020 21:34

I nderuar Ergys! Te ndjek ne daljet e tua mediatike dhe te lexoj vazhdimisht. Sigurisht, e respektoj mendimin tend por ne kete analize nuk thellohesh shume, disa hapa te procesit i anashkalon dhe disa nuk i con llogjikisht deri ne fund. Une jam nje mbeshtetes i ketij sistemi dhe po te bisedojme ne tavoline, jam ne gjendje me llogaritje te sakta llogjike dhe matematike te te bind ty se ky sistem eshte sot per sot i vetmi qe vendos barazine e votes dhe e shpeton Shqiperine nga kthetrat e politikes dhe politikaneve te vjeteruar, nga te korruptuarit, nga oligarket hajdute dhe ia kthen pushtetin popullit.
Populli yne eshte aq mencur sa te zgjedhe vete ata njerez qe vlejne dhe i sherbejne, mjafton qe te votoje i lire dhe pa presion.
I nderuar Ergys, ky sistem eshte i shkelqyer, nuk mund te dilet ne perfundime te sakta me kaq sa ke shkruar. Ky sistem ka shume gjera qe duhen qartesuar e sqaruar mire.

Valbona08/01/2020 20:52

Bravo Ergys. Ky eshte thelbi i ketij propozimi qe eshte propozuar nga politikane hileqare e medioker dhe pranohet e kerkohet nga votuesit naive. Ky eshte nje sistem qe ja merr nje pjese te pushtetit kryetarev por nuk ja jep popullit por oligarkeve dhe drejtuesve te medias qe do te ekspozojne kandidatet e tyre. Thene ndryshe populli do te zgjedhe ata kandidate qe oligarket dhe media do te promovoje nderkohe qe po ashtu sic ndodh edhe aktualishte, madje edhe me shume, njerzit e afte e te zotet qytetaret nuk do te kene mundesi ti shohin ne media, nderkohe qe perfaqsuesit e oligarkise, me me shume para e makina, do ta kene me lehte ti takojne qytetare tedhe dere me dere, nderkohe qe njerzit e ndershem, te afte e te zotet me pak mjete financiare e automjete do ta kene edhe me te veshtire se aktualisht te bejne takime me qytetaret. Kjo do te beje tani oligarket akoma me shume jo vetem deputetet te cilet nuk do ti binden me kryetareve te partive (kjo do te konsiderohet fitore e madhe) por oligarkeve. Madje oligarket po pergatiten te krijojne partite e tyre qe te ngrejne klientelen e tyre.

Ergys ju keni shume te drejte, situata do te perkeqsohet me nje shpejtesi maramendese dhe askush nuk do te kete mundesi as ta ndaloje, as ta frenoje se per ta kthyer mprapsh as qe behet fjale. Ergys duhet te angazhoheni seriozihst qe kjo marrezi apo hile e Rames te mos behet realitet sepse shpejtesia e rrokullisjes se vendit do te jete shume e shpejte dhe dramatike. Kjo do te ishte poshtersi qe vetem Rames i intereson.

Shto koment

Denonco