Lajmi i fundit

LIVE/ Drejtuesit e Partisë Demokratike takim me demokratët e Belshit

Njerëzit nuk e duan të vërtetën se i mban zgjuar natën

Njerëzit nuk e duan të vërtetën se i mban zgjuar natën

Nga Ndriçim Mehmeti - 27/12/2019

Kështu mendoj Madhëria e Tij, duke ndenjur në minder me zjarrin që i rrinte kundruall dhe e ndriçonte prej festes e deri në brezin e brekusheve të tij, si qëmoti. Fërkoi mjekrën të zbardhur e të ashpër dhe miri një vendim. Nesër ditën e pazarit në aksham, do të shpallet me ferman të posaçmë, formimin e Zyrës së Habereve.

I mblodhi tej e ndanë, vezirë, pashallarë, agallarë, çaushë e dizdarë, gjellëbërës e pastrues, ndezësit e llambave më vajgur e u tha: ‘Dëgjoni o njerëz! Kam netë të tëra që fle shumë pak dhe mendja më rri tek ju. Kam dëgjuar nga njerëzit e mi, pashallarë e vezir, e madje edhe nga këta që ju ndezën llambat nëpër lagje, që ju gjumë në sy nuk bëni. Flisni e flisni, ca kundër meje, ca të tjerë më duan dhe një pjesë nuk dinë çarë të besojnë.

Kujtojën se të gjitha ato që thuhen e dëgjohen, pazareve, akshehaneve e mejhaneve janë të vërteta. Unë them jo. Pse duhet të dëgjoni kaq shumë gjëra, shumica e të cilave nuk janë të vërteta? Ja fjala vjen: Kush tha që në mbretërinë time, ka fakir fukarenj, njerëz të pastrehë, të papunë e të pashpresë? Ne po ndrijmë kudo.

Gjithë sinia e gjitonia na kanë zili, se nuk janë si ne. Ata kanë gjetur në mes tënë, ca kalemxhinj të shitur, të cilët, vijnë e ju fryjnë në vesh, për gjëra që nuk kanë ndodhur. Si nuk ka barna, veshje, shkolla e kujdes për fëmijët e vegjël? Kush e beson këtë gënjeshtër të madhe?

Pse duhet të mendojmë kaq shumë e të themi, pa  asnjë arsye se unë, vezirët e pashallarët që merremi me punët e Dëvletit, vjedhim a futim ndonjë lek në xhepin tonë, byrazerëve a të akrabave tanë? Na shihni a ngjajmë se si vjedhës të rëndomtë, a hajdutë të mëdhenj? Unë vetë vishem si qëmoti, mezi gjej një copë beze a shajak, për një palë shallvare a çitjane, të tjerët vijnë e qepin në mes të mexhlisit, tek terzinjtë më të lirë që ka kazaja a nahija ku rrinë. Shtëpitë i kemi si mos më keq.

Ca i kemi pa dritare e me një baxha mbi kokë që mezi shohëm pakëz diell e të tjerë, janë arratisur tutje nëpër harcat e fshatrave. Nuk lanë më gjëmb, thrume, murriz,  ferë, lofatë e shqopë pa pastruar, për të hapur vend për shtëpitë e tyre. Për ujë kanë rregulluar me mundim, një ahuz në oborr e atje lahen vetë, teshat dhe freskonen në behar. Me pak fjalë jetojnë si mos më keq. Po ç’tju them më tepër se kaq, gjëra që ju i dini vetë.

Po ju do të pyesni pse ju kam thirrur. Kam dëgjuar fjalë lart e poshtë jo fort të mira, për veten dhe të tjerë rreth oborrit tim. Dijeni pra se janë gënjeshtra. Që të gjitha pa asnjë përjashtim. Prandaj e ngrita Zyrën e Habereve.

Ajo do të kujdeset të botojë një fletushkë, me të gjitha haberet që vijnë nga mbretëria ime dhe gjithë sinija. Do të botonen hallet e popullit që do ti zgjidhë vetë unë. Do të kemi edhe lajme për tyxharë, bakallë e terzinj. Nuk do të shkruajnë në këtë kartë a fletushkë quajeni si të doni, njerëz dosido. Për këtë kam vënë në krye të Zyrës, të besuarin tim Emin Fugar Pashën, që e ka mendjen të hollë si shpatë japoneze, gojën bilbil e penën më artë të gjithë mbretërisë. Mos u habitini kur të më shikoni në çdo faqe.

Qejfi nuk ma ka të dalë, por Emin pasha më ka thënë se vetëm kështu ndreqen punët e Devletit. Sa herë që do të shohin fytyrën time, mileti do të jetë i kënaqur, më tha Emin Pashai. I pangopuri nuk do të ketë më uri, i padituri do të mësoj shkronjat vetë, i pastrehi, do t’i duket se është ulur anës oxhakut dhe po fle për shtatë palë qejfe, tyxharit që nuk i shkel njeri në derë, do t’i mbushet dyqani me myshterinj.

Keni për të parë e dëgjuar gjëra, që nuk i keni ëndërruar asnjëherë. Pa do të flasëm edhe për ata që nuk na duan të mirën, tejendanë dynjasë. Juan ngas llafin për ca vende të Avrupës. Ka nga ata që denden tërë ditën me bar e vijnë më çajnë kokën, për ca të paudhë nga tanët që u bien më qafë me demek, në vend të tyre.

Ata i mësuan vetë dhe këta haramsëzët tanë, filluan të bëjnë limer, nëpër sokake, lokale e bordellot e Aklandisë. Pale galikët që na shesën mend me kulturën, pikturën, artin dhe elegancinë e tyre. Vijnë e më tregojnë mua, më të ndriturit nga mendja e llafi, se nuk i kam punët mirë.

Se gjasme, këtu në vendin tim të bekuar, ne po vidhkemi, jemi bërë palë me kusarinë, me të ligun e nopranin. Pa dale pak Manu o i madhi i Galisë. Me kë kujton se flet? Me një mbret dosido apo kushdo? Unë jam më i naltësuari mes atyre që janë sot, e bile-bile edhe me ata që kanë qenë këtu e një shekull para.

U bë një hollak, i Galisë të më thotë mua se si duhet të sillem, çfarë duhet të bëj e si të qeveris miletin tim. Edhe Hanëmja e madhe e Alemanjës, në fillim nuk është se më kishte shumë qejf, por që kur më njohu personalisht, bën be e rrufe për kokën time. I keni parë axhanset se ç’thotë çdo tri ditë për mua. Vetëm lavde e lajka, saqë unë vetë, mendoj ndonjëherë se jam në ëndërr, nuk ka mundësi i them vetes, të jem kaq i mirë e i mençur.

Pra që të rrimë drejtë e të flasim shtrembër, ju vetë e shikoni se në çfarë begatie jetoni. Mos u merrni me llafe e dëngla që dëgjoni lart e poshtë. Rrini urtë, në mos sot nesër do të jetë ditë të bukur edhe për ju. Ka Perëndia për të gjithë. Në fillim do të na mbushë e kënaq ne, e më pas kur të vijë vakti edhe për ju. Qeshni de qeshni. Përse më rrini vetull ngrysur. Si nuk ju pëlqejnë shakatë e mia? Ëhë e mora vesh.

Doni të çmpini këmbët se u bëtë tri sahat këtu. Epo edhe unë u lodha, por nuk e jap veten, se e bëj për ju e jo për veten. Megjithatë, jeni të lirë sot. Prapë këtu do të jemi çdo javë që të qajëm hallet tuaja edhe ju të më dëgjoni se çdo të them e ti mbani vath në vesh. Më dëgjoni e flisni sa më pak, se unë fjalët kam bereqet për ju.

Mbasandaj kur të mbaroj, le themi fjalinë që ju e keni më shumë për zemër: Zoti e bëftë mirë. Mos e mundoni veten me pyetjen: Vallë a janë të vërteta ato që them unë, sepse e vërteta o njerëz, ju bën keq ju le pa gjumë’.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco