Rrethi i lirisë dhe ‘shuplaka’ amerikane për Ramën

Rrethi i lirisë dhe ‘shuplaka’ amerikane për Ramën

Nga Enton Palushi - 20/12/2019

Rrallë ndodh të shohësh një fjalim kaq të mirë si ai që lexoi të premten Dan Koski, i ngarkuari me punë i ambasadës amerikane në Tiranë. Disa nga citimet e tij u bënë virale në rrjet për shkak të qartësisë së mesazheve. Ka prej atyre që thonë se pas shumë kohësh me fjalime të shëmtuara, pa thelb e kryesisht me lajle-lule për qeverinë, ky ishte fjalimi që duhej nga diplomatët. Të tjerë mund të thonë se për shkak të situatës, mund të tregohemi të njëanshëm.

Disa e çojnë më tej entuziazmin kur parashikojnë se fryma e re amerikane kundër qeverisë ka nisur dhe do pasohet me ardhjen e ambasadores Yuri Kim. Pak rëndësi ka kjo, ne duhet të kuptojmë se fjalimi i Koskit është në frymën amerikane të lirisë. Koncepti i tij se zgjidhja nuk është goma, por më shumë lapsa, mbetet shpirti i demokracisë amerikane. Francezët Tokëvil e shumë më vonë Levi, u mahnitën nga ky vend për shkak të qasjes ndaj lirisë. “Ne jemi sot këtu për të shqyrtuar kufinjtë e fjalës së lirë.

Unë thjesht ju kërkoj që ta vendosni atë kufi në mënyrë të gjerë dhe pa frikë,” thotë Koski. Sa herë është dashur, amerikanët e kanë zgjeruar rrethin e tyre të lirisë. Sa më i gjerë kufiri, aq më e mirë shoqëria, aq më i mirë shteti. Sa më e madhe liria, aq më shumë përparon një vend, aq më mirë ndjehen njerëzit. Rruga drejt zgjerimit të rrethit të lirive nuk ka qenë e lehtë. Kur duhej të luftohej për të drejtat e grave, ishin suffragete-t. Kur kishte nevojë që të protestohej për liritë e njerëzve me ngjyrë, ishte Malcolm X me shokë. Kur duhej më shumë frymëmarrje për komunitetet vulnerabël, ishte Harvey Milk e të tjerë. Nëse doni shembullin më të freskët, që mund të krahasohet edhe me atë që po ndodh aktualisht në Shqipëri, merrni lëvizjen MeToo (Edhe unë).

Qindra e mijëra vajza e gra, madje edhe djem e burra, po denoncojnë njerëz të fuqishëm që i kanë ngacmuar seksualisht, kanë abuzuar apo i kanë përdhunuar. Viktima më e fundit e kësaj lëvizje ishte princi britanik Andrew, të tjerë para tij e kanë pësuar keq, si producenti i njohur Harvey Weinstein, miliarderi Epstein, aktori Spacey, ish-prezantuesi Savile e dhjetëra e qindra njerëz të famshëm nga bota e biznesit, politikës e artit. Nëse dikush në Shqipëri do deklaronte se e kanë përdhunuar dy-tre dekada më parë, disa gjëra janë të sigurta. Fillimisht mund ta etiketojnë si lavire. Së dyti do mendojnë se ka një arsye tjetër se përse po flet tani.

Së fundmi, personi që ka akuzuar do bënte gjithçka që asaj t’i nxihej jeta akoma më shumë. Kështu kanë bërë shumë prej personazheve të diskredituar dhe të dënuar në SHBA e Britani. Dhe kanë pasur argumente të forta. Të zbardhësh një krim që ka ndodhur disa dekada më parë, mbetet mision shumë i vështirë. Por amerikanët qëllimisht e kanë zgjeruar rrethin e lirisë në këtë drejtim. Ata e dinë se mund të ketë edhe denoncime false, edhe shpifje e mashtrime. Por kauza madhore është që këto gra dhe vajza të flasin lirshëm, të mos ndjejnë kufizimet dhe frikën.

Lëvizja MeToo e ka bërë shoqërinë më të mirë. Shuma gra, vajza e burra ndjehen më të çliruar, kanë hequr barrën e frikës dhe nuk janë peng i dhunës fizike dhe mendore. Edhe interneti është vlerësuar që në fillimet e tij për një arsye madhore: sepse e zgjeron rrethin e lirisë, sepse i shtyn më tej kufijtë, sepse e lufton frikën.

Kjo është arsyeja se përse kryeministri Edi Rama kërkon ta kufizojë këtë rreth sa më shumë të jetë e mundur, duke e kthyer në një lak të ngushtë, mjaftueshëm sa për ta varur në qafën e çdo njeriu të lirë në vend. Mirëpo çdo e keqe e ka një të mirë. Secili autokrat e di se duke ngushtuar rrethin e lirisë, vetëm i shkurton jetën politike vetes.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco