Pse Kosovës (nuk) i nevojitet njohja nga Spanja?

Pse Kosovës (nuk) i nevojitet njohja nga Spanja?

Nga Veton Surroi - 20/12/2019

Kosovës nuk i nevojitet njohja e Spanjës për të qenë shtet i pavarur. Kosovës i nevojitet jetësisht njohja e Spanjës për të ndërtuar më tej identitetin e vet shtetëror evropian dhe perëndimor

1.

Herën e fundit që qesh takuar me një zyrtar spanjoll në Madrid ishte me ministrin e atëhershëm të Jashtëm, Moratinos. Ky ishte takimi i dytë me të dhe vinte pothuajse një vit pas atij të parit, kur Kosova përgatitej ta shpallte pavarësinë. Tash, me Kosovë të pavarur, biseda nuk ishte më në suazat e “çka do të ndodhë nëse (apo kur) Kosova e shpall pavarësinë” (me të gjitha spekulimet për ikjen masive të popullatës serbe pas valëve të dhunës, e të ngjashme), por në suazat e veprimeve të mëtejme: si do t’ia bënte Spanja me këtë realitet të ri që nuk deshi ta njihte fillimisht.

Dhe kështu biseda u përqendrua, mes tjerash, në dy pikat më kontestuese. Një, tek ndjeshmëria e brendshme e Spanjës (atëherë me partitë baske që kërkonin më shumë autonomi), pra frikën e Spanjës që duke njohur pavarësinë e Kosovës po e hap një proces problematik të brendshëm me baskët që mund ta përdornin të njëjtën precedencë. Dy, tek iniciativa e sapomiratuar serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që pavarësia e Kosovës të vlerësohej nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Shpreha habinë time se si Spanja, një demokraci e konsoliduar me një sistem funksional federal, mund të frikësohej nga pavarësia e Kosovës. Dhe, vura në pah tri parametrat që duhet të merren parasysh në çdo krizë që pretendon të përdorë “precedentin Kosovë”: çintegrimi i një shteti federal si ish-Jugosllavia, veprimi i dhunshëm deri në kufij të gjenocidit ndaj popujve brenda Federatës, dhe, në fund, një sistem i protektoratit ndërkombëtar me proces politik të integruar për të definuar ardhmërinë e atij vendi në bazë të vetëvendosjes. Asnjë prej këtyre parametrave nuk ishin (dhe nuk janë afër) asnjë krizë politike në Spanjë.

Dhe ministri që qe i pajtimit me këtë adresoi çështjen e dytë, atë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke thënë se Spanja do të marrë qëndrimin e vet për njohjen e pavarësisë së Kosovës në bazë të mendimit të GJND-së. Këtë e deklaroi edhe publikisht disa ditë më vonë.

2.

Rrëfimi i mëtejmë nuk u zhvillua sipas premtimeve.

Në politikë të brendshme spanjolle lidhshmëria mes Kosovës dhe baskëve u harrua shumë shpejt, ndërsa kur u shfaq kriza me Katalonjën, disa vjet më vonë, nuk u përmend më si analogji Kosova por Sllovenia.

Kur GJND-ja dha mendimin e vet, Kosova u pajtua me iniciativën e re të Serbisë dhe të BE-së që mendimi i GJND-së është aq i barasvlershëm sa edhe e drejta e mohimit të këtij mendimi nga ana e Serbisë. Spanja dhe shumë shtete të tjera (në veçanti në Amerikën Latine), te të cilat Spanja kishte lobuar fort për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës, e morën “dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit” si mundësi që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve dhe me përshkallëzimin e krizës në Katalonjë, nga zyrtarët spanjollë u dëgjua madje prononcimi se Spanja nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

3.

Javën e kaluar - në një takim në Madrid, të organizuar nga Instituti Mbretëror Elcano dhe Fondi për Shoqëri të Hapur të Kosovës - qe lehtë për të konstatuar se gjërat nuk do të zgjidhen vetvetiu. Në këtë dhjetëvjetësh të kaluar Kosova dhe Spanja kanë zbatuar të njëjtën politikë, nuk e kanë njohur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nëse Kosova nuk e ka bërë këtë, pse ta bënte Spanja?

Dilte se Spanja nuk mund të bëhej më kosovare se Kosova. Në fakt, ndërkohë u zhvillua edhe një paradoks. Gjatë dy vjetëve të fundit politika e jashtme e Spanjës u bë më mbrojtëse e tërësisë tokësore të Kosovës se presidenti i saj; Spanja qe njëra prej shteteve më të zëshme kundër ndarjes tokësore të Kosovës dhe këmbimit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarët spanjollë, mes tyre edhe të rangut të lartë, nuk kishin ardhur në atë takim për të dhënë këso analize, por për të dhënë një mesazh, të cilin po e japin gjithandej Evropës në fund të këtij viti: Spanja do ta njohë Kosovën posa të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, Madridi zyrtar nuk e shihte më problem pavarësinë e Kosovës si problem doktrinar, por të real-politikës: po zbriste prej “kurrë” në “do ta njohim, nëse...”. Me këtë Spanja hiqte dorë prej frikës së para njëmbëdhjetë vjetëve: më nuk është me rëndësi si do të interpretohet njohja e pavarësisë së Kosovës nga kushdo qoftë, cilado forcë politike a politikë etnike brenda Spanjës.

Dhe, zyrtarët ishin më se të vetëdijshëm se problemin e arritjes së marrëveshjes po e trashëgonte ai që deri dje ishte ministër i Jashtëm i vendit, Josep Borell, duke e trashëguar prej - edhe për këtë qenë të vetëdijshëm - një dështimi fundamental nga ana e shefes së Politikës së Jashtme Evropiane të pesë vjetëve të fundit.

4.

Kosovës nuk i nevojitet njohja e Spanjës për të qenë e pavarur.

Tingëlloi si provokim ky mendim imi, por m’u duk i nevojshëm të shprehesha, madje mu në Madrid. Udhëheqësit e Kosovës kanë hyrë në dhjetëvjetëshin e fundit, në rrëfimin se çështja e sovranitetit të vendit dhe tërësisë tokësore është ende e hapur. Politika e prirë nga H.Thaçi ka pranuar në procesin e Brukselit se ende mund të flitet për një “zgjidhje të statusit të Kosovës” e në takime të shpeshta me Vuçiqin edhe se tërësia e saj tokësore mund të jetë mall pazari. Këtë rrëfim që e kanë krijuar me sukses Republika e Serbisë së bashku me ish-kryeministrin dhe president i tanishëm, Thaçi, duhej ndërprerë.

Dhe më duket se formulimi i duhur, sado provokues të tingëllojë, është se Kosovës nuk i nevojitet njohja e Spanjës (pra, as Rusisë, Kinës apo ndonjë fuqie tjetër regjionale a botërore) për të qenë shtet i pavarur. Gjatë njëmbëdhjetë vjetëve të kaluar Kosova ka qenë shtet i pavarur dhe do të vazhdojë me apo njohje të Spanjës. Për më tepër, tashmë çdo vështrim realist, madje edhe në Serbi, shprehet lehtësisht se do të ishte jashtë mendjes së shëndoshë që të mendohet se qytetarët e Kosovës përnjëherë do të heqin dorë prej pavarësisë së vet për të krijuar status varësie.

Por, njëkohësisht, me konstatimin se Kosovës nuk i nevojitet njohja e Spanjës për të qenë shtet i pavarur, duhet thënë se Kosovës i nevojitet jetësisht njohja e Spanjës për të ndërtuar më tej identitetin e vet shtetëror evropian dhe perëndimor. Pa njohjen e Spanjës dhe pëlqimin e saj, Kosova e ka të vështirë të jetë anëtare e NATO-s, që është nevojë parësore e vendit, ndërsa shfaqet gjithnjë e më shumë depërtimi rus në regjion, madje deri tek ura e Mitrovicës. Dhe, dy, pa njohjen e Spanjës nuk ka absolutisht mundësi për integrim brenda BE-së. Nga ky prizëm, njohja e Spanjës dhe e katër shteteve të tjera të BE-së janë të një rëndësie jetike për ardhmërinë e Kosovës.

Në një botë që gjithnjë e më shumë ndërlikohet një gjë është gjithnjë e më e qartë, nevoja e forcave lindore që të depërtojnë sa më shumë në Perëndim, e të pengojnë konsolidimin e vet ekonomik, politik dhe ushtarak. Pjesë e kësaj përpjekjeje është edhe mbajtja e Kosovës jashtë familjes së Perëndimit; kjo tashmë është sërish çështje për NATO-n, BE-në dhe familjen transatlantike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp20/12/2019 13:14

As e njof as mund te me bjer radha as ta takoj dhe as te shkembehem ne rruge, por ajo qe kam theksuar edhe nje here tjeter po me kthehet ne opsesion. Veton Surroi mund te jete Presidenti i Ri i Kosoves.Sa per Spanjen Ne mund ta ndihmojme Spanjen Dhe jo anasjelltas.Si?.Ne vend te federates se rilindur te Jugosllavise qe po synohet te ringriet ,te ngreme ( te iniciojme) nje bashkim federativ te vendeve qe i jane bashkuar koalicionit te vlerave NATO dhe BE, qe kane hedhur nje hap dhe gjithe trupi eshte spostuar andej,E kam fjalen per Shqiperine,Maqedonine e Veriut,Malin e Zi dhe Kosoven.Ti japim edhe nje mesim Spanjes, katalanasve dhe gjithe botes se si mund te meren vesh e te bashkejetojne ne nje federate, popuj ,popullsi, dhe etnitete te ndryshme kur ne themel te maredhenieve qendrojne vlerat e lirise dhe demokracise.Nderkohe presim sa edhe serbet te modifikohen, jo gjenetikisht por demokratikisht. As Ne ,as Amerikanet as Gjermania, as Franca dhe as gjithe BE bashke nuk mund te rrije duke ja "lypur" Serbise dhe as duke e kap me zor.Kur Serbia i kaloj caqet edhe kjo u be.

Shto koment

Denonco