'Fukarallëk-maskarallëk' s'ka për t'ja garantuar 'Mbretit' qetësinë

'Fukarallëk-maskarallëk' s'ka për t'ja garantuar 'Mbretit' qetësinë

Nga Ilir Nikolla - 19/12/2019

Fukarallëk - maskarallëk. Kjo është trashëgimia filozofike që trojet e Arbërit morën nga Perandoria Osmane. Fukarrallëk-maskarallëk, domethënë se rrënimi ekonomik dhe uria kanë lidhje të drejtpërdrejtë me dinjitetin e njeriut. Pra, s’ishte më si dikur, në kodin zakonor shqiptar, nga veriu në jug, kur secili kishte dinjitetin e vet dhe ulej i barabartë në sofër me të tjerët, pavarësisht kamjes.

Me Perandorinë Osmane e më pas me diktaturën komuniste, standardet morale dhe të drejtat e njeriut u kthyen në një monedhë shkëmbimi për pak më shumë bukë, për pak më tepër karrierë e tash së fundi edhe për pak më shumë mbrojtje nga dhuna e shtetit apo dhuna e krimit të organizuar.

Fraza “fukarallëk-maskarallëk” merr edhe më fort kuptim nga zhvillimet e ditëve të fundit, kur Edi Rama, megjithë protestat e gazetarëve, politikës dhe faktorit ndërkombëtar, miratoi ligjin anti-shpifje, më saktë ligjin që vendos censurën dhe autocensurën në media. Rama premtoi solemnisht se vetë s’do ta përdorte mekanizmin e AMA-s për të mbyllur mediat, pasi punët e tij do t’i zgjidhte me gjykatë, por mendonte se AMA mund të përdorej nga njerëzit e thjeshtë, për t’u mbrojtur nga keqbërja e medias.

Me fjalë të tjera, Rama s’do ta përdorte median, por njeriu i thjeshtë Elisa Spiropali mund t’i mbyllte mediat me urdhër administrativ, nëse do të ndihej moralisht e cenuar, ashtu siç duhej të kishte ndodhur më herët edhe me vajzën e gruas së kryeministrit, e cila jo vetëm e fitoi gjyqin me 7 portale, por paraprakisht këto portale do të duhej të ishin mbyllur, nëse ky ligj do të kishte hyrë në fuqi. Për njerëzit e thjeshtë e do mekanizmin e censurës Rama, pasi për vete ndihet i fortë me gjykatat e vjetra e me gjykatat e reja.

Kjo tredhje e mediave vjen në të njëjtën kohë me publikimin e nivelit zyrtar të varfërisë në Shqipëri e që zbulon se 671 mijë shqiptarë jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Shifra është zyrtare, e INSTAT, por një shifër edhe më e frikshme është ajo e shqiptarëve që s’përballojnë dot marrjen e shërbimeve bazë. Mbi 1,1 milionë shqiptarë, ose 38 për qind e popullsisë së vendit është sot në pamundësi për të përballuar shpenzimet për pushimet vjetore një javë larg nga shtëpia; në pamundësi për të përballuar një vakt me mish pule, një herë në dy ditë; në pamundësi financiare për të përballuar një telefon (duke përfshirë telefonin celular); në pamundësi për të pasur një TV me ngjyra; në pamundësi për mbajtjen e shtëpisë ngrohtë në mënyrë të përshtatshme dhe në pamundësi për të paguar faturat e ujit e të dritave.

Këto të dhëna janë fotografia e Shqipërisë së sotme, së cilës po i kërkohet të mbyllë gojën. Ligji ka kaluar dhe sipas trashëgimisë komuniste, pritet “fukarallëk-maskarallëk”, pra pritet të pranohet realiteti, të pranohet diktati dhe mediat të rikthehen në kohën e temenasë. Shenjat nuk është se s’janë dhënë, protesta e djeshme e gazetarëve para parlamentit ishte e vakët, ndërkohë që oligarkët e mediave tradicionale po fërkojnë duart, sepse hëpërhë, do t’i pritet koka konkurrencës së medias online, e cila po i nxirrte disi jashtë tregut.

Si në një lojë birilash, kanë rënë njëra pas tjetrës të gjitha pushtetet. Pyetja është: me ligjin e fundit, a do e garantojë “mbreti” qetësinë e tij? Me mbi 1 milionë shqiptarë që po kullandrisen në brigjet e urisë dhe që do ishin një minë me sahat për këdo vend të pasur, imagjinoni për buxhetin tonë të vogël e të sakatuar nga vjedhjet, ajo qetësi as duhet ëndërruar.

Fukarallëk-maskarallëku veç vonon prishjen e “status-quo”-së, por si në një spirale ngjitëse, ajo edhe paralajmëron se zgjidhja që do të vijë do të jetë shumë më e dhimbshme për disa dhe mjaft e zhurmshme për serhixhinjtë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco