Le ta inaugurojmë ligjin e Ramës, me një shpifje të tmerrshme: Mafia mbrohet nga qeveria!

Le ta inaugurojmë ligjin e Ramës, me një shpifje të tmerrshme: Mafia mbrohet nga qeveria!

Nga Poli Hoxha - 19/12/2019

Pas betimit te presidenti, Ilir Meta, të 8 prokurorëve të parë të SPAK, ambasada e SHBA në Tiranë na njoftoi se kriminelët e mëdhenj, të korruptuarit dhe të paprekshmit deri dje, që sot e tutje duhet të kenë frikë.

Edhe unë besoj se SPAK do të bëjë ca gjëra të mira kundër pa ndëshkueshmërisë në këtë vend, por ajo që po shohim tani për tani, në fakt është se më të frikësuar se pushtetarët e korruptuar dhe trafikantët e maskuar si ‘biznesmenë strategjikë`, po duken gazetarët dhe një pjesë e medieve online.

Madje të parët i kam vënë re, si më të qetë dhe të ‘çliruar’. Dhe nuk kanë faj gazetarët, sepse burgu është ‘lule’ përpara gjobave `për qejf` të cilat tani nuk i ka më në dorë gjykata, por qeveria e politika.

Meqenëse ligji `anti-shpifje` që miratoi Edi Rama ditën e djeshme me dhunën e votave të parlamentit të tij `pul-ist` është një tymnajë që lë hapësira të mëdha abuzimi, nuk jam shumë i sigurt; a e kap apo jo këtë shkrim. Një nga problemet e maskaradës me fjalën e lirë që `u ligjërua` dje është edhe ai i amplifikimit të lajmeve, që vijnë nga mediat e kolegët jashtë vendit.

Nuk është e ndarë nëse kur (për shembull) një media italiane, gjermane apo britanike e quan qeverisjen e Edi Ramës ‘Narkoshtet’ dhe ne këtu e ribotojmë këtë konstatim, na kap apo jo sëpata që mprehu Rama së fundmi.

Prandaj për ta testuar (edhe pse pritet që presidenti ta rrëzojë, duke e shtyrë të paktën deri në muajin Janar), po hedhim këtë lajm-analizë.

Në ditët e para të muajit Gusht të këtij viti, një dokumentar i RAI 3 i titulluar, ‘Narcotica’, tronditi opinionin publik shqiptarë, por jo qeverinë.

Nëpërmjet dëshmive dhe fakteve të shumta, ky prodhim profesional zbuloi realitetin e vërtetë të një ‘Narkoshtetit’ në mes të Europës, vetëm pak kohë pasi kryeministri Edi Rama kishte deklaruar një fakenews, sipas të cilit; ‘Shqipëria nuk ekzistonte më në hartën e vendeve, që kultivojnë kanabis’.

Ndër episodet më interesante të këtij dokumentari është ai ku flasin prokurorë italianë të Antimafias, të cilët hedhin poshtë propagandën qeveritare plot mashtrime, se pas ‘bumit’ të kultivimit të kanabisit në vitet 2015-2016, tashmë ky fenomen në vendin tonë gati është zhdukur. Por e vërteta që zbuloi ‘Narcotika’ është krejtësisht tjetër, madje edhe më alarmuese.

Kështu kryeprokurori i Katanzaros, Nicola Gratteri (shih videon më poshtë), pohoi se ‘të paktën një e treta e territorit të Shqipërisë është kultivuar me mariujanë...prodhimi është 5-fishuar’. Dhe nuk bëhet fjalë për vitin 2016, por për vitit 2019 që po lëmë pas.

Kjo është një `shpifje e madhe`, e cila u amplifikua `fërfërfër` me të madhe nga `mediat e kazanit`, këtu në Shqipëri.

Por kjo `shpifje` e përhapur nga gati të gjithë portalet në fillim të muajit Gusht (Dhe ribotuar sot nga unë te Syri.net, një ditë pas votimit të ligjit), nuk është asnjë gjë, krahasuar me atë që do të hedhim `copy paste` më poshtë.

 ‘Në Shqipëri ata (kriminelët e trafikantët) janë të paprekshëm. Bëhen të pasur, bëjnë krime. Mafia në Shqipëri ka mbështetje dhe mbrojtje nga të gjitha nivelet e qeverisë; nga ato më të ulëta e deri më të lartat’

Kjo është shumë e rëndë. Prandaj për të hequr `merakun` e botuesve për gjobën e madhe që mund t`ju vijë nga Rama i cili e ka `Syrin` në syrin e ciklopit, vendosa që të vendos emrin që në fillim të këtij shkrimi, i cili në fakt nuk është shkrimi im por amplifikim i deklaratave të prokurorit Gratteri dhënë për dokumentarin e  RAI 3, kushtuar ‘narkoshtetit’ që na ka ndërtuar Edi Rama.

Tani imagjinoni këtë situatë; Endri Fuga që merret me këto punë në një qoshe ngjitur me zyrën e kryeministrit na kërkon që ta heqim shkrimin brenda 7 orëve, pasi sipas tij; `Nivelet nga më të lartat deri te ato më të ulëta të qeverisë Rama, nuk mbështesin dhe mbrojnë Mafian. Shkrimi juaj është shpifje!`

Ne i themi; Po ça ke o Endri këtë nuk e konstatojmë ne, por vetë kryeprokurori i Antimafias së Katanzaros, Nicola Gratteri. Ja ku e ke edhe me zë, edhe me figurë.

Por ashtu siç edhe tha Edi Rama në parlament, ne nuk duhet që këtë `shpifje` ta përhapim `fërfër-fërfër-fërfër` nëpër portalet ku punojmë.

Pasi edhe me logjikën më foshnjore ky shkrim nuk ka si të hiqet, Fuga, në emër të qeverisë për të cilën është bërë kjo `shpifje` e tmerrshme ankohet te AMA. Këta e kalojnë çështjen te `specialistët` e medias te Komisioni i Ankesave të emëruar aty po nga AMA, e cila kontrollohet (po merren edhe masat e fundit) po nga qeveria.

Këta `specialistët` e gazetarisë sipas ligjit të Ramës nuk kanë tagër te RAI 3, por te ne `të shkretët` po. Dhe po të duan të sjellin një shkresë ku të thonë, se atyre nuk ka çfarë ju duhet fare se çfarë bëjnë mediat jashtë vendit, ju- ti, si e provoni lajmin dhe atë titullin aty lartë që konstaton: Se qeveria shqiptare mbështet dhe mbron Mafien?!

Nuk ke çfarë të mbrosh, përveçse tu tregosh dhe përkthesh ‘Narcotica’ të RAI 3 dhe intervistat e prokurorëve italianë.

Por këtë sipas këtij ligji, mund ta çosh në gjykatë!

Deri atëherë mblidh mendjen mirë me një gjobë të majme dhe paralajmërim për mbyllje, ngaqë ke bërë një shpifje të tmerrshme:

Mafia në Shqipëri ka mbështetje dhe mbrojtje nga të gjitha nivelet e qeverisë; nga ato më të ulëta e deri më të lartat!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco