Trekëndëshi Rilindas për shqiptarët

Trekëndëshi Rilindas për shqiptarët

Nga Dritan Kaba - 18/12/2019

Nuk është paketa ligjore ndaj medias më e keqja dhe me diktatorialja.

Nuk është kjo paketë ajo që kufizon lirinë e të shkruarit apo të bërit lajm!

Nuk është kjo paketë, që të detyron të mbyllin gojën, sytë edhe veshët, mikrofonat apo objektivët e kamerave, gazetarët.

Nuk është kjo paketë që po e kthen vendin në diktaturë!

E keqja fillon tek një qeveri që ka ardhur në pushtet me votat e blera nga bandat e krimit të organizuar, nga votat e blera nga klientët e PPP super korruptive. Kemi një qeverisje të zezë, kriminale, të paaftë, të kapur, arrogante, që po bën gjithçka për të mbajtur një pushtet të dalë nga krimi dhe jo nga vota e lirë!

Edi, si Makbethi zhytet nga një krim në tjetrin. Nga një gjak në tjetrin. Nga një PPP, në tjetrën edhe më të keqe edhe më korruptive.

Reagimi i mbrëmshëm i OSBE e bën edhe më të qartë që vendi ynë fatkeqësisht po përdoret si një epruvetë për eksperimentet e një grupi që do të rrijë në pushtet pa vota, e një establishmenti që është kthyer në një llum kënete në institucione të tillë edhe si OSBE.

Në atë institucion nuk është se nuk ka njerëz të vërtetë që të bardhës i thonë të bardhë dhe të zezës të zezë, siç është znj. Glover dhe ekipi i saj, që hartuan raportin e fundit të votimeve moniste për pushtetin lokal. Me atë raport kjo qeveri jo nuk duhej të merrte në mënyrën më qesharake drejtimin e OSBE, por duhej të ishte nën akuzë të qartë nga vetë autoritetet e OSBE.

Qëndrimi i zyrtarëve të OSBE ndaj gjestit rrugaçëror të ambasadorit Borchardt drejtuar grave shqiptare, është shumë më i turpshëm se qëndrimi ndaj kësaj pakete ligjore! Nëse media atëherë do e ngrinte me forcë dhe do e kundërshtonte këtë qëndrim të zyrtareve të OSBE ndoshta nuk do ishin sot para këtij fakti të rëndë për profesionin e tyre! Por shumë nga mediat u mjaftuan me transmetimin e gjestit të shëmtuar të Borchardt. Ky ambasador i mbrojtjes së trafikut të drogës, i zgjedhjeve të vjedhura dhe të blera, i mbulimit të korrupsionit të frikshëm, i ‘hareshëm’ me zyrtarët shqiptarë është pasqyra më e qartë e llumit kënetor ku gjendet OSBE sot.

Qershia mbi tortë, për këtë organizëm, është kryesimi i tij nga vendi, i cili është kanali kryesor i trafikut të drogës në Evropë dhe i pastrimit të parave. Këto fakte duhen për të kuptuar kush është OSBE sot.

Ky ligj nuk është i vetëm. Ai paraprihet fillimisht me ndryshimet e ligjit të koncesioneve në 2014, ku u ligjërua mohimi i konkurrencës dhe garës, vjedhja me kontratë dhe korrupsioni gjigand u vesh me parzmore ligjore.

Ky ligj mostër u pasua me një tjetër reformë false me qëllime të qarta politike me përkrahjen më të gjerë të mundshme të ndërkombëtarëve siç quhet reforma në drejtësi, që për mua është një kapje kriminale e gjyqësorit përmes akteve ligjore të paprecedenta. Sot shqiptaret ‘gëzojnë’ një prokurori memece, të kapur tërësisht, që realisht është burimi i gjithë kësaj ‘fuqie’ i qeverisë rilindase! Kemi tre institucione ‘të reja’ KLP, KLGJ dhe KED që drejtohen nga drejtues të zgjedhur jo vetëm në mënyrë të paligjshme por edhe të pamoralshme. Në institucionet e KLP dhe KLGJ me shumë se gjysma e anëtarëve janë kundërshtuar edhe nga ndërkombëtarët, por pas kundërshtimit ata ranë në qetësi, nuk u ndjenë më duke rënë me shumë kënaqësi në llumin kënetor të qeverisë së Rilindjes. Sot vendi është pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese. Por pas procesit të përzgjedhjes së kandidaturave të para të anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe pas zgjedhjes në mënyrë antiligjore e inspektorit të përgjithshëm të KED, nuk kam asnjë besim tek këto institucione drejtësie. Më bën çudi edhe heshtja e ndërkombëtarëve ‘shqiptarë’ rreth këtij emërimi më saktë se zgjedhjeje apo gare vlerash. Metani është caktuar nga rilindasit në këtë detyrë bashkë me miratimin e ligjit, ndaj e bllokuan zgjedhjen e inspektorit për dy vite me radhë.

Pas kapjes së plotë të ekonomisë, sistemit të drejtësisë, natyrisht do i vinte radha edhe medias së pa kapur. Kështu këtu nuk ka asnjë çudi.

Sot Rilindasit përmbyllën trekëndëshin e tyre të Bermudës, atë te varjes ne litar apo mbyllen Shqipërinë e kthyen plotësisht në kënetë, për shqiptarët: me vënien në kontroll me anë të ligjeve të ekonomisë, drejtësisë dhe medias!

Pa ekonomi të lirë, me një drejtësi tërësisht të kapur, me një media nën kërcënim, shqiptarët kanë dy rrugë para tyre, atë të emigrimit masiv ose të marrin vetë fatet në dorë.

Sot është dita kur edhe opozita të bëjë të qartë qëndrimin e saj deri diku të dyzuar ndaj këtyre ‘ndërkombëtarëve’ pa asnjë kompleks.

Sot një qëndrim realist ndaj tyre është një rreze drite për shqiptarët e thjeshtë.

Sot opozita nuk duhet të ketë asnjë kompleks përballë ndërkombëtarëve të llumit kënetor. Është kjo opozitë që rrëzoi sistemin komunist, të etërve, të të bijve që janë sot në pushtet. Është kjo opozitë, që futi Shqipërinë në NATO kur bijtë e etërve ulërinin kundër anëtarësimit të saj. Është kjo opozitë që liberalizoi lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Edhe këto arritje u bënë me reforma, jo me lobingje të ndyra me zhapikë kënetash!

Sot shqiptarët, nga opozita, duan garanci që nuk do vazhdojnë të jenë kavie laboratori të globalistëve, por zot në vendin e tyre.

Sot shqiptarët duan shpresë, duan dinjitet, duan ndryshim!

Sot nga opozita shqiptarët duan garanci reale dhe të qarta, jo premtime elektorale!

Sot opozita duhet ta bëjë, ndryshe nesër është vonë, shumë vonë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Many 18/12/2019 14:36

Rama kishte frik olldashin. Per lulin nuk I ha daullja fare.

Ajo18/12/2019 13:52

Z. Kaba mos i bej thirrje kot opozites se nese ajo do e kishte me te vertete kundershtimin ndaj ketij ligji qe vulos diktaturen e Rames perfundimisht, sot gjithe demokratet dhe LSI-stet e thjeshte me ne krye Bashen dhe Kryemadhin, duhet te ishin bashkuar ne protesten para parlamentit? A pe ti ndonje prej tyre sot ne shesh, sepse une me aq sa shoh nepermjet lajmeve, nuk pashe asnje?
Atehere?
Them se Basha kish mundesi te bente histori, sidomos kur pati guximin te braktise parlamentin se bashku me LSI- ne, por fatkeqesisht treni i historise erdhi dhe u largua me Bashen e ngujuar ne platformen e stacionit.
Duhet me patjeter, biles eshte emergjente, dalja ne skenen politike opozitare te nje trimi qe duhet te sfidoje keta burokratet e nginjur te BE-se dhe OSBE-se apo edhe ndonje Palmeri,sepse situata ne vend eshte me shume se gati. AI duhet te vihet ne krye te popullit per ta permbysur me cdo mjet diktaturen e sapo instaluar perfundimisht ne Shqiperi!

Shqiptari18/12/2019 13:48

Po kur zgjohet opozita nga gjumi,di te ma thuash te lutem ,se tani eshte dhe stina e letargjis, o se harrova kemi opozit kujtim gjuzin dhe rudin ata do ta shpetojne shqiperine ,sa te marrin edhe pake honorare se i duhen per te kuruar hunden.Nuk e di se mos shpifa se keta te rrujne sumen .

Shto koment

Denonco